Izraeli ka nisur ndërtimin e qendrës së parë të posaçme për ekzekutimet me varje të personave të dënuar për terrorizëm, pas hyrjes në fuqi të ligjit për dënimin me vdekje.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i cili tha se projekti është pjesë e premtimeve që kishte bërë pas marrjes së detyrës.
“Premtova se do t'i përkeqësoja kushtet për terroristët në burgje dhe e mbajtëm këtë premtim. Premtova se do të miratonim Ligjin për Dënimin me Vdekje për Terroristët dhe e bëmë. Tani po nis ndërtimi i objektit për varje”, deklaroi Ben-Gvir.
Sipas autoriteteve izraelite, qendra do të ketë edhe ambiente të posaçme vëzhgimi, ku familjarët e viktimave të sulmeve terroriste do të mund të ndjekin ekzekutimet. Në njoftim thuhet se atyre do t'u pajisen me leje të posaçme hyrjeje.
“Po shkruajmë histori. Terroristët tanë meritojnë vetëm një gjë: vdekje me varje”, u shpreh ministri.
Në qershor, Ben-Gvir emëroi gjashtë anëtarë të familjeve të viktimave të sulmeve terroriste si mbikëqyrës të zbatimit të ligjit për dënimin me vdekje, të miratuar nga Knesset në muajin mars.
Sipas ministrit, ata do të kenë rol në mbikëqyrjen e kushteve të të dënuarve me vdekje dhe në zbatimin e ligjit.
“Askush nuk e meriton më shumë se familjet që kanë paguar çmimin më të lartë në luftën kundër terrorizmit të jenë pjesë e mekanizmit të mbikëqyrjes. Ky është një vlerësim për dhimbjen e tyre dhe për të drejtën që të jenë pjesë e luftës për drejtësi dhe parandalimin e terrorizmit”, deklaroi Ben-Gvir.






Komente
Komento