JERUZALEM – Një proces gjyqësor i transmetuar drejtpërdrejt në televizion, me viktimat në sallën e gjyqit që do të mund të shohin – ose të rishohin, në rast se kanë qenë pengje – personat që i kanë torturuar dhe masakruar. Një tribunal i posaçëm, i përbërë nga tre gjyqtarë ushtarakë. Parlamenti izraelit ka miratuar ligjin për ngritjen e këtij procesi kundër terroristëve të Hamasit që morën pjesë në sulmet e 7 tetorit 2023, ku u vranë 1.200 persona dhe 251 të tjerë u rrëmbyen e u dërguan në Gaza.
Të pandehurit janë mes 200 dhe 300 persona – numri i saktë mbahet sekret – dhe mes tyre ndodhen edhe militantë xhihadistë të kapur në Rripin e Gazës gjatë dy viteve të luftës, konflikt që ka shkaktuar mbi 70 mijë viktima palestineze. Autoritetet izraelite i konsiderojnë ata pjesë të grupeve të armatosura që sulmuan dhe pushtuan fshatrat në jug të Izraelit gjatë ofensivës së 7 tetorit.
Ligji është votuar edhe nga opozita, me 93 vota pro nga 120 deputetë të Knesset-it, parlamentit izraelit. Në të përcaktohet se të akuzuarit do të gjykohen për krime kundër popullit hebre, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ligji parashikon edhe dënimin me vdekje për ata që shpallen fajtorë për gjenocid. Vetëm disa javë më parë, Knesset miratoi një tjetër ligj që rikthen dënimin kapital, i shtyrë fort nga Itamar Ben-Gvir, ministri izraelit i Sigurisë së Brendshme dhe lider ekstremist i kolonëve hebrenj. Megjithatë, ligji nuk pritet të ketë fuqi prapavepruese dhe ka shumë gjasa që ndaj militantëve të Hamasit të përdoret dispozita që ekziston tashmë në kodin ushtarak izraelit.
Ekzekutimi i vetëm me varje në historinë e Izraelit ka qenë ai i Adolf Eichmann-it, një prej organizatorëve kryesorë të Holokaustit nazist, në vitin 1962. Edhe procesi i tij gjyqësor u transmetua drejtpërdrejt në televizion dhe për shumë izraelitë ajo ishte hera e parë që dëgjonin publikisht dëshmitë e të mbijetuarve të Holokaustit.
Ndërkohë, dje një organizatë joqeveritare izraelite publikoi një dosje mbi atë që e cilëson si “dhunë seksuale sistematike” të kryer gjatë sulmeve të 7 tetorit dhe ndaj pengjeve të mbajtura në Gaza. Organizata “Civil Commission” ka mbledhur 430 dëshmi dhe denoncon raste përdhunimesh, përdhunimesh në grup, torturash, gjymtimesh seksuale dhe sulmesh seksuale të kryera edhe në prani të familjarëve të viktimave./ Corriere della Serra
Komente









