Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një sulm ndaj Iranit këtë të shtunë në atë që e cilësuan si 'sulm parandalues'. Njoftimin e bëri ministri i mbrojtjes, Israel Katz teksa shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Mediat raportojnë për 201 të vrarë e 747 të plagosur pas sulmit në Iran.
Një zyrtar izraelit ka deklaruar se nga sulmet është vrarë lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei. Viktima kanë mbetur edhe dhëndri i tij së bashku me bashkëshorten. Mediat izraelite raportojnë se Khamenei mund të jetë vrarë, një informacion ky ende i pakonfirmuar zyrtarisht. Teherani e ka mohuar që të jetë vrarë, ndërsa mediat thonë se ai mund të shfaqet në televizion përmes një fjalimi.
Sipas njoftimeve, objektivat e sulmeve amerikane në Iran përfshinin parlamentin, presidencën, Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare, Ministrinë e Inteligjencës, Organizatën e Energjisë Atomike të Iranit dhe, më e rëndësishmja, kompleksin e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei. Kjo u raportua nga transmetuesi amerikan Fox Neës, duke cituar një listë objektivash të atribuuara sulmeve amerikane. Transmetuesi gjithashtu pretendoi se sulme kibernetike ishin kryer edhe kundër mediave iraniane, përfshirë agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA.
Në kundërpërgjigje, regjimi iranian ka nisur filluar sulme raketore në Joridani, Bahrein dhe Katar. Kryeqyteti i Bahreinit, Manama, është goditur pasi një bazë amerikane në kryeqytet u sulmua me raketa. Në të njëjtën kohë që Bahreini po goditej, shpërthime të shumta dhe të fuqishme u dëgjuan edhe në kryeqytetin e Katarit, Doha, disa minuta pasi Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi se të gjitha raketat e lëshuara nga Irani ishin interceptuar.
Shpërthime janë dëgjuar edhe në Riad, kryeqyteti i Arabisë Saudite, në kuadër të hakmarrjes iraniane që goditi gjithashtu disa baza amerikane edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa filmime të bëra publike tregojë për zjarr dhe tym në Palm Island në Dubai. Ngushtica e Hormuzit është mbyllur.
Sulmi që po zhvillohet kundër Iranit do të jetë më i gjerë krahasuar me bastisjet ajrore të qershorit ndaj impianteve bërthamore iraniane. Kështu raporton The New York Times, duke cituar zyrtarë të administratës amerikane.
Vetë presidenti Donald Trump konfirmoi në një video të publikuar në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara kishin nisur një fushatë ushtarake në Iran.
“Irani nuk do të mund ta ketë kurrë armën bërthamore. Ne u përpoqëm të bënim një marrëveshje, por ata refuzuan çdo mundësi për të hequr dorë nga ambiciet e tyre bërthamore”,- tha Trump.
Po ashtu, përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump ka deklaruar se lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka vdekur. Trump i ka bërë thirrje popullit iranian që të ngrihen dhe të marrin në dorë fatet e tyre.
Lajm ne perditesim...
Presidenti amerikan Donald Trump ka shkruar në një postim në rrjetet sociale se lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei ka vdekur. Po ashtu Trump i ka bërë thirrje popullit iranian që të ngrihen dhe të marrin në dorë fatet e tyre.
Postimi i Trump:
Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori, është i vdekur. Kjo nuk është vetëm drejtësi për popullin e Iranit, por për të gjithë amerikanët e mëdhenj dhe ata njerëz nga shumë vende në të gjithë botën, që janë vrarë ose gjymtuar nga Khamenei dhe banda e tij e banditëve gjakatarë. Ai nuk mundi të shmangte inteligjencën tonë dhe sistemet tona të gjurmimit shumë të sofistikuara dhe, duke punuar ngushtë me Izraelin, nuk kishte asgjë që ai, ose udhëheqësit e tjerë që janë vrarë së bashku me të, mund të bënin. Ky është shansi më i madh për popullin iranian për të rimarrë vendin e tyre. Po dëgjojmë se shumë nga IRGC-ja e tyre, Ushtria dhe Forcat e tjera të Sigurisë dhe Policisë, nuk duan më të luftojnë dhe po kërkojnë imunitet nga ne. Siç thashë mbrëmë, "Tani ata mund të kenë imunitet, më vonë marrin vetëm Vdekje!" Shpresojmë që IRGC dhe Policia do të bashkohen në mënyrë paqësore me Patriotët Iranianë dhe do të punojnë së bashku si një njësi për ta rikthyer vendin në Madhështinë që meriton. Ky proces duhet të fillojë së shpejti, pasi jo vetëm vdekja e Khameneit, por edhe vendi është shkatërruar shumë, madje edhe shfarosur, vetëm brenda një dite. Megjithatë, bombardimet e rënda dhe të sakta do të vazhdojnë, pa ndërprerje gjatë gjithë javës ose, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të arritur objektivin tonë për PAQE NË TË GJITHË LINDJEN E MESME DHE, NË TË VËRTETË, NË BOTË!
Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje.
Lajmi në përditësim....
Media amerikane Fox News ka shkruar Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili sundoi Republikën Islamike për më shumë se tre dekada, ka vdekur pas sulmeve të sotme në Teheran.
Sipas Fox News, udhëheqësit izraelitë konfirmuan se kompleksi dhe zyrat e Khameneit u shndërruan në rrënoja të shtunën në mëngjes, pas sulmit në qendër të Teheranit.
“Khamenei ishte autokrati më jetëgjatë i Lindjes së Mesme bashkëkohore. Ai nuk arriti të ishte i tillë duke qenë një kumarxhi. Khamenei ishte një ideolog, por një që ndoqi pa mëshirë ruajtjen dhe mbrojtjen e ideologjisë së tij, shpesh duke bërë dy hapa përpara dhe një hap prapa”, tha për Fox News Digital Behnam Ben Taleblu, drejtor i lartë i programit të FDD-së për Iranin.
“Pikëpamja botërore e Khameneit u formësua nga anti-amerikanizmi dhe antisemitizmi i tij militant, të cilat u shfaqën për herë të parë në protestat e tij kundër Shahut të Iranit”, shtoi ai.
I lindur më 19 prill 1939, në Mashhad, në Iranin lindor, Khamenei ishte midis aktivistëve islamistë që luajtën një rol qendror në revolucionin e vitit 1979 që rrëzoi Shahun e mbështetur nga SHBA-të, Mohammad Reza Pahlavi.
Një zyrtar izraelit, i cituar nga Channel 12 dhe Sky News Arabia konfirmon vrasjen e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei dhe gjetjen e trupit të tij nga rrënojat e kompleksit të tij në Teheran.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar sërish pas sulmeve të ditës së sotme në drejtim të Iranit.
Sipas mediave të huaja, Netanyahu ka deklaruar se ka shenja të shumta që lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, të ketë vdekur pas sulmeve.
Në një mesazh video-mesazhi, Netanyahu deklaroi: "Regjimi i Ajatollahëve nuk duhet të ekzistojë më. Ne shkatërruam kompleksin e Khameneit, vramë komandantët e Gardës Revolucionare dhe zyrtarët e lartë bërthamorë."
Sulmi, shtoi kryeministri, u "udhëhoq nga Trump". Po ashtu Netanyahu kishte edhe një thirrje për iranianët: "Pushtoni rrugët dhe përfundoni punën."
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka dënuar sulmet e sotme të SHBA-së dhe Izraelit në Iran.
Sipas mediave të huaja, Mamdani tha sot se New York po zbaton masa të shtuara sigurie, pas trazirave të shkaktuara sëfundi në Lindjen e Mesme.
“Sulmet ushtarake të sotme ndaj Iranit, të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, shënojnë një përshkallëzim katastrofik në një luftë të paligjshme agresioni”, shkroi ai në rrjetin social ‘X’.
“Amerikanët nuk e duan këtë”, shtoi Mamdani, i cili u takua me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të enjten.
“Ata nuk duan një luftë tjetër në kërkim të ndryshimit të regjimit. Ata duan lehtësim nga kriza e ekonomike. Ata duan paqe. Unë jam i përqendruar në sigurimin që çdo banor i New Yorkut të jetë i sigurt”, përfundoi Mamdani.
Kryebashkiaku tha se ka qenë në kontakt me komisionerin e policisë së qytetit dhe zyrtarët e menaxhimit të emergjencave pas përshkallëzimit jashtë shtetit.
“Po ndërmarrim hapa proaktivë, duke përfshirë rritjen e koordinimit midis agjencive dhe forcimin e patrullave të vendeve të ndjeshme për shkak të kujdesit të tepruar”, tha ai.
Departamenti i Policisë së Qytetit të Nju Jorkut tha më herët të shtunën se do të shtojë patrullat në "vendndodhje të ndryshme të ndjeshme" në të gjithë qytetin.
Mamdani u dërgoi gjithashtu një mesazh të drejtpërdrejtë iraniano-amerikanëve që jetojnë në New Jork, duke thënë: “Ju jeni pjesë e strukturës së këtij qyteti - ju jeni fqinjët tanë, pronarët e bizneseve të vogla, studentët, artistët, punëtorët dhe udhëheqësit e komunitetit. Do të jeni të sigurt këtu.”
Në sulmet e kryera sot në Teheran nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara dyshohet se janë vrarë dhëndri dhe nusja e Udhëheqësit Suprem të Republikës Islamike, Ali Khamenei. Lajmi raportohet nga disa media arabe, të cilat ia atribuojnë informacionin një anëtari të Këshillit Bashkiak të Teheranit, Mitham Mazfar. Ngjarja është raportuar nga disa media, por ende nuk është verifikuar dhe nuk ka pasur as konfirmim dhe as përgënjeshtrim nga burime qeveritare, megjithëse Mazfar i ka përmendur ata si “martirë”.
Transmetuesi izraelit Channel 12 raportoi se Izraeli e konsideron të mundshme edhe vdekjen e Ali Khameneit në sulmin e kryer sot, duke cituar burime izraelite të paidentifikuara. Sipas kanalit televiziv, ekzistojnë “tregues në rritje” që mbështesin këtë vlerësim. Media theksoi se nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për këtë informacion.
Pak minuta më parë, Channel 12 kishte raportuar se Khamenei ishte “të paktën i plagosur”. Po ashtu, televizioni njoftoi se sulmet e sotme kanë shkaktuar “dëme shumë të konsiderueshme” në udhëheqjen e regjimit iranian dhe te komandantët e tij ushtarakë.
Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan, i ka kërkuar botës islame të veprojë urgjentisht për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm në Lindjen e Mesme.
Sipas deklaratave të transmetuara nga agjencia e lajmeve Anadolu, Erdogan tha se do të përshpejtojë përpjekjet diplomatike për të vendosur një armëpushim dhe për t'u rikthyer në tryezën e negociatave.
Erdogan raportohet gjithashtu të ketë thënë se është "thellësisht" i shqetësuar për sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, të cilat ai tha se "filluan me provokimet e Netanyahut".
"Ne gjithashtu i konsiderojmë të papranueshme sulmet me raketa dhe dronë të Iranit kundër vendeve tona vëllazërore në Gjirin Persik, pavarësisht arsyes", shtoi Erdogan.
Kujtojmë se ditën e sotme SHBA-të dhe Izraeli nisën sulme ajrore në Iran, teksa Teherani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa.

Sulm në Iran
Sipas mediave iraniane, 201 persona janë vrarë si pasojë e sulmeve SHBA-Izrael.
Raportet shtojnë se këto sulme u zhvilluan në 24 provinca dhe deri më tani janë plagosur 747 persona.

Teherani ka ndërmarrë një sërë goditjesh me raketa, pas sulmeve të Izraelit dhe SHBA-së që shënjestruan ditën e sotme Iranin.
Sulmet e Iranit shënjestruan bazat amerikane në rajon, ku raketat dhe dronët e lëshuar nga Teherani goditën disa shtete, si Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Kuvajtin dhe Bahreinin.
Ministria e Brendshme e vendit bëri të ditur se disa ndërtesa banimi në kryeqytetin e Bahreinit ishin në shënjestër të sulmeve iraniane.
Nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale, të verifikuara nga Al Jazeera, tregojnë një dron iranian që godet një kullë në Manama.
Një shpërthim i fortë dëgjohet në momentin e goditjes, i ndjekur nga një zjarr i madh dhe re të dendura tymi.
? #BREAKING | Iranian Shahed kamikaze drone struck a building near the US Navy’s 5th Fleet headquarters in Bahrain!
— Bricx News (@BricxNews) February 28, 2026
Retaliation for US-Israel strikes on Iran. Footage shows the direct hit in Manama.
Situation escalating fast in the Gulf...#Iran #Bahrain #USNavy #MiddleEast pic.twitter.com/VvlrRnE8R3
Rreth 200 avionë luftarakë janë përdorur në sulmin “masiv” ndaj Iranit. Kështu bëri të ditur ushtria izraelite.
Objektivat e goditura kanë qenë 500. “Avionët luftarakë hodhën qindra municione ndaj rreth 500 objektivave, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe lëshues raketash, në zona të ndryshme të Iranit njëkohësisht”, shtoi ushtria.
“Sulmi më i madh në historinë e forcave tona ajrore.”
Ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto, ka mbetur i bllokuar në Dubai, pas sulmeve që Irani kreu në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat erdhën pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit në Iran.
Mediat italiane bëjnë të ditur se ai kishte qenë në Emiratet e Bashkuara Arabe që nga dita e djeshme për arsye personale (kishte shkuar të merrte familjen e tij përpara se të kthehej në Itali).
Po ashtu bëhet e ditur se Crosetto kishte planifikuar të kthehej sot, por fluturimi i tij i planifikuar u anulua për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore pas sulmeve izraelite dhe amerikane në Iran.
Po ashtu mediat italiane bëjnë të ditur se 200 të rinj italianë janë bllokuar në hotelin e sulmuar nga Irani në Dubai.
Autoritetet e Dubait kanë konfirmuar një incident në një ndërtesë në zonën Palm Jumeirah, ku raportohet se janë plagosur 4 persona. Katër personat e plagosur janë transportuar në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.
"Ekipet e reagimit emergjent u dërguan menjëherë dhe vendi është siguruar. Mbrojtja Civile e Dubait ka konfirmuar se zjarri tani është nën kontroll", tha zyra e shtypit e hotelit në një deklaratë, raporton Al Jazeera.

Shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite, Eyal Zamir
“Çdo armik që kërcënon sigurinë e Shtetit të Izraelit "do të paguajë një çmim të rëndë".
Kështu u shpreh Shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite, Eyal Zamir, në një mesazh drejtuar qytetarëve menjëherë pas nisjes së sulmeve të përbashkëta me SHBA-të kundër Iranit.
"Ne jemi të përgatitur me gatishmëri të lartë operacionale, mbrojtjeje dhe sulmi. Po përballemi me një fushatë të rëndësishme, fatale dhe të pashembullt për të shkatërruar aftësitë e regjimit terrorist iranian, i cili përfaqëson një kërcënim të vazhdueshëm ekzistencial për sigurinë e Shtetit të Izraelit. Kjo është një fushatë që do të sigurojë ekzistencën dhe të ardhmen tonë këtu, në tokën e paraardhësve tanë, për të gjitha brezat", tha Zamir, duke shpjeguar se "objektivat strategjikë" ishin goditur.
Agjencia Tasnim News Agency, një media e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), raporton se Ngushtica strategjike e Hormuzit – e vendosur në jug të Iranit, midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit – do të mbyllet.
Tasnim citon “burime” sipas të cilave anijet po marrin mesazhe nga IRGC se asnjë mjet lundrues nuk lejohet të kalojë përmes Ngushticës.
Ngushtica konsiderohet një nga rrugët detare më të rëndësishme të tregtisë në botë dhe një pikë kyçe për tranzitin e naftës. Afërsisht një e pesta e naftës dhe gazit në botë kalon përmes saj.
Pas sulmeve të sotme të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, mësohet se autoritetet iraniane ju kanë dërguar mesazhe celulare qytetarëve, ku u kanë kërkuar që të largohen nga kryeqyteti, Teherani.
"Nëse është e mundur ruani qetësinë dhe shkoni në qytete të tjera", shkruhej në mesazh, raportojnë mediat e huaja.
Ndërkohë sipas stacionit televiziv iranian Al-Alam TV, lideri Suprem Ali Khamenei pritet të mbajë një fjalim së shpejti, duke dalë në ekran për herë të parë pas sulmeve.
Ende nuk dihet ku ndodhet konkretisht Khamenei, pasi pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit nuk ka asnjë informacion për të. Mediat izraelite raportuan më herët se ai mund të ketë vdekur.
Irani, përmes ministrit të Jashtëm, Abbas Araghchi i ka dërguar letër Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku deklaron se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkelur ligjin ndërkombëtar duke sulmuar Teheranin.
"Shtetet e Bashkuara dhe regjimi izraelit duhet të marrin përsipër përgjegjësinë e plotë dhe të drejtpërdrejtë për të gjitha pasojat që vijnë nga kjo, duke përfshirë çdo përshkallëzim që vjen nga veprimet e tyre të paligjshme. Të gjitha bazat, objektet dhe asetet e forcave armiqësore në rajon do të konsiderohen objektiva legjitime ushtarake si pjesë e ushtrimit legjitim të të drejtës së Iranit për vetëmbrojtje", thuhej në letër.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të zhvillojë sot një mbledhje urgjente, pas sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, pas sulmeve të përbashkëta ndaj Iranit.
Zyra e kryeministrit të Izraelit, publikoi në rrjetet sociale një foto të Netanyahut, teksa zhvillonte bisedën telefonike. Në tavolinën e tij të punës, Netanyahu kishte vendosur librin “Aleatët në Luftë”.
ראש הממשלה בנימין נתניהו בשיחתו עם נשיא ארה"ב דונלד טראמפ. pic.twitter.com/yZMMgBqGl8
— ראש ממשלת ישראל (@IsraeliPM_heb) February 28, 2026
Ditën e sotme, SHBA dhe Izraeli kryen disa sulme ajrore në Iran.
Mediat iraniane kanë njoftuar se nga sulmet e sotme kanë humbur jetën të paktën 70 persona dhe janë plagosur 90 të tjerë në Iranin Jugor në provincën Hormozgan.
Për shifrat e raportuara, Agjencia iraniane e lajmeve Fars ka pretenduar se ka cituar edhe burime nga Shëndetësia në vend.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 60 të mitur ishin midis viktimave, ndërsa 80 persona u plagosën kur një raketë goditi një shkollë vajzash.

Agjencia shtetërore e lajmeve WAM e Emirateve të Bashkuara Arabe raportoi se ministria e mbrojtjes kishte interceptuar një valë të re raketash dhe dronësh iranianë. Ndërkohë, në Bahrein, Ministria e Brendshme tha se sirena e qartë u dëgjua në të gjithë vendin. Bahreini më parë konfirmoi një sulm brenda territorit të tij dhe tha se një qendër shërbimi e Flotës së Pestë të SHBA-së ishte goditur. Disa shtete arabe të Gjirit Persik kanë thënë se kanë qenë shënjestër e raketave iraniane.
Shpërthime u dëgjuan dhe në qendër të Tel Avivit, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, nga vendngjarja. Sirenat e alarmit vazhdojnë të bien pa pushim në qytet për shkak të lëshimeve të vazhdueshme të raketave nga Irani.

Selia e OKB-së
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një seancë urgjente të shtunën, pasi SHBA-të dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit.
Seanca e jashtëzakonshme u kërkua nga misionet e përhershme të Francës, Bahreinit, Kinës, Rusisë dhe Kolumbisë, sipas një deklarate nga misioni i përhershëm i Rusisë në OKB.
Disa filmime të bëra publike tregojë për zjarr dhe tym në Palm Island në Dubai. Të njëjtën gjë e raporton dhe Reuters, ndërsa mediat thonë se 4 persona kanë mbetur të plagosur.
Disa orë më parë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vendosur të evakuojnë Burj Khalifan, kullën më të lartë në botë, pasi Irani goditi me raketa balistike në shenjë hakmarrje për sulmet amerikane dhe izraelite në tokën iraniane mëngjesin e sotëm.
Regjimi iranian thotë se në shënjestër ka vënë bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe sulmet në Dubai mund të jenë të lidhura me këtë gjë.
Dubai ka një numër të madh shqiptarësh, një pjesë e të cilëve janë vendosur atje si rezidentë.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, në një konferencë për shtyp, deklaroi se forcat ajrore britanike “janë në qiell sot” në Lindjen e Mesme “si pjesë e operacioneve të koordinuara mbrojtëse rajonale për të mbrojtur njerëzit tanë, interesat tona dhe aleatët tanë”. Starmer konfirmon se Britania e Madhe nuk ka luajtur asnjë rol aktiv në sulmet e sotme të koordinuara mes SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa shton se regjimi i Iranit “është krejtësisht i neveritshëm.”
“Mbretëria e Bashkuar nuk luajti asnjë rol në këto sulme, por prej kohësh e kemi bërë të qartë se regjimi në Iran është krejtësisht i neveritshëm. Ata kanë vrarë mijëra njerëz nga populli i tyre, kanë shtypur brutalisht disidentët dhe janë përpjekur të destabilizojnë rajonin.
Forcat tona janë aktive dhe aeroplanët britanikë janë në qiell sot si pjesë e operacioneve të koordinuara mbrojtëse rajonale për të mbrojtur popullin tonë, interesat tona dhe aleatët tanë. Siç ka bërë Britania më parë, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, ne kemi rritur mbrojtjen për bazat dhe personelin britanik në nivelin më të lartë. Gjithashtu, po kontaktojmë shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar në rajon dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për t'i mbështetur ata”, tha ndër të tjera Starmer.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi thotë se me informacionet që ai ka, lideri suprem Ajatollah Ali Khamenei është gjallë.
Duke folur nga Teherani për NBC News, Araghchi u shpreh se pas sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit dy komandantë kishin vdekur.
Por sipas tij, zyrtarë të lartë të regjimit kishin mbijetuar, përfshirë kreun e gjyqësorit dhe kryetarin e parlamentit.
“Të gjithë zyrtarët e lartë janë gjallë. Pra, të gjithë janë tani në pozicionin e tyre dhe ne po e trajtojmë këtë situatë dhe gjithçka është në rregull”, tha ai.

Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar deklarojnë në një njoftim të përbashkët se “nuk kanë marrë pjesë” në sulmet amerikane ndaj Iranit. Ato theksojnë se i kanë kërkuar vazhdimisht Iranit “të heqë dorë nga programi i tij bërthamor” dhe dënojnë kundërpërgjigjet e Teheranit ndaj vendeve të rajonit.
“Nuk kemi marrë pjesë në këto sulme, por jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe partnerët e rajonit”, thuhet në deklaratën e grupit E3.
Ajatollah Ali Khamenei
Një zyrtar i lartë izraelit i tha Channel 1: "Do të tronditeshim nëse Khamenei do të shfaqej drejtpërdrejt. Sipas vlerësimit tonë, ai nuk është më me ne, por po presim konfirmim përfundimtar."
Një burim tjetër izraelit i tha N12 se udhëheqësi suprem i Iranit "ka shumë të ngjarë të mos i mbijetojë sulmeve".
Transmetuesi izraelit Channel 12 kishte raportuar se Khamenei ishte "të paktën i plagosur". Stacioni shtoi se udhëheqësi suprem pritej të shfaqej me një fjalim publik së shpejti, duke spekuluar se, nëse do ndodhte, mund të ketë qenë i regjistruar paraprakisht. Channel 12 raportoi gjithashtu se sulmet e sotme kishin shkaktuar "dëme shumë të konsiderueshme" udhëheqjes së regjimit iranian dhe komandantëve të tij ushtarakë.

Foto: Rezidenca e Trump në Mar-a-Lago
Presidenti amerikan Donald Trump ndoqi nisjen e sulmeve ndaj Iranit nga rezidenca e tij Mar-a-Lago, e cila ndër vite është përdorur si qendër vendimmarrjeje për operacione të ndjeshme ushtarake dhe të sigurisë kombëtare. Sipas burimeve, Trump u shoqërua nga Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Gjenerali Dan Caine, me të cilët kishte shqyrtuar për javë të tëra opsionet ushtarake ndaj Iranit.
Ata përdorën një dhomë të sigurt brenda pronës për të monitoruar nisjen e fushatës, të cilën presidenti e përshkroi si “masive”.
Kjo nuk është hera e parë që Mar-a-Lago shërben si vend për vendime të rëndësishme të sigurisë kombëtare. Në vitin 2020, Trump u takua me zyrtarë të lartë në një ambient të sigurt në pronë për të marrë vendimin për eliminimin e komandantit të lartë iranian Qasem Soleimani.
Në vitin 2017, nga një tjetër dhomë e sigurt në të njëjtën pronë, ai autorizoi sulme ndaj Sirisë pas përdorimit të armëve kimike. Më pas, gjatë një darke me Presidentin kinez Xi Jinping, Trump deklaroi se e kishte informuar homologun e tij për sulmet ndërsa po shërbehej ëmbëlsira.
Gjatë vitit të kaluar, Trump ndodhej në Mar-a-Lago edhe kur Shtetet e Bashkuara nisën një fushatë ajrore kundër rebelëve Houthi në Jemen. Ai gjithashtu monitoroi lëshimin e raketave Tomahawk ndaj kampeve të dyshuara të ISIS-it në Nigeri në ditën e Krishtlindjeve, si dhe zhvillimin e operacionit në Karakas për kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin
Presidenti Vladimir Putin zhvilloi një video-konferencë me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë në Rusi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se u diskutua në lidhje me sulmet e Izraelit dhe SHBA-ve ndaj Iranit.

Linjat ajrore globale kanë anuluar dhe po ndryshojnë itinerarin e fluturimeve në të gjithë Lindjen e Mesme pasi SHBA-të dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit, duke shkaktuar mbyllje të hapësirës ajrore në Iran, Irak, Izrael dhe Jordani, raporton Reuters.
Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve nga Flightradar24 treguan se qielli mbi Iranin dhe Irakun ishte praktikisht i zbrazët të shtunën në mëngjes, duke krijuar një zonë të dukshme "të zbrazët" në hartat globale të fluturimeve.
Përshkallëzimi i fundit i situatës shton presionet me të cilat përballet tashmë industria e aviacionit, që kur mbylljet e zgjatura të hapësirës ajrore ruse dhe ukrainase kanë shtyrë më shumë trafik Evropë-Azi përmes korridoreve të Lindjes së Mesme. Kufizime të mëtejshme nënkuptojnë devijime më të gjata, kosto më të larta të karburantit dhe operacione më komplekse.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vendosur të evakuojnë Burj Khalifan, kullën më të lartë në botë, pasi Irani goditi me raketa balistike në shenjë hakmarrje për sulmet amerikane dhe izraelite në tokën iraniane mëngjesin e sotëm.
Ndërkohë një person ka humbur jetën nga mbetjet që binin pasi mbrojtja ajrore kapi raketa iraniane që synonin bazat amerikane në Abu Dabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, tha agjencia shtetërore e lajmeve WAM. Ministria e mbrojtjes tha se viktima ishte një shtetas aziatik.
Emiratet e Bashkuara Arabe e përshkruan sulmin si “një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një akt frikacak”.

Gjithçka nisi me dy shpërthime të fuqishme. Më pas, kolona të dendura tymi filluan të ngriheshin në qiellin e Teheranit.
U godit zona qendër-jug e kryeqytetit iranian, veçanërisht rruga Pasteur, ku ndodhen pallati presidencial dhe rezidenca e Udhëheqësit Suprem, selia e sigurisë kombëtare dhe Asambleja e Ekspertëve (organi i përbërë nga klerikë, i ngarkuar me emërimin e Udhëheqësit Suprem në rast se ai nuk shfaqet përmes karizmës personale). Shumë banorë të qytetit, të kapluar nga paniku, po përpiqen të largohen drejt veriut.
Sulmi i ndërmarrë në orët e para të mëngjesit nga Izraeli, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, këtë herë nuk kishte në shënjestër vetëm centrifugat iraniane, por edhe qendrat e pushtetit, drejtuesit politikë, ushtarakë dhe gjyqësorë të vendit. Sipas medias amerikane Axios, që citon burime izraelite, objektivat e sulmeve ishin Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei dhe presidenti Masoud Pezeshkian.
Media izraelite raportojnë se gjatë sulmeve ajrore dyshohet se kanë humbur jetën komandanti i Gardës Revolucionare, Mohammad Pakpour, dhe ministri i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh.
Përveç zonës së rrugës Pasteur, raketat ranë edhe mbi bulevardin Keshavarz, një nga shëtitoret më të bukura të qytetit, e rrethuar nga zyra qeveritare.
Mes objektivave ishin selia e Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë, godina e Gjykatës Supreme dhe aeroporti Mehrabad.
Shpërthime u regjistruan edhe në qytetin e shenjtë Qom dhe në Isfahan, ku ndodhet objekti bërthamor me uraniumin më të pasuruar të vendit (deri në 60%). Shpërthime u raportuan gjithashtu në Lorestan, Kermanshah, Karaj dhe Tabriz.
Teherani kishte kërcënuar me një “luftë shkatërruese” në rast sulmi. Dhe kundërpërgjigjja iraniane nuk vonoi. Pasdaranët njoftuan nisjen e operacionit duke deklaruar se kishin goditur me dronë dhe raketa balistike komandën e Flotës së Pestë të SHBA-së në Bahrein, si edhe baza amerikane në Katar dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, përveç objektivave ushtarake në Izrael.
Është hera e parë që Republika Islamike ndërmerr sulme ndaj të gjitha objekteve amerikane në rajon, gjë që më parë e kishte shmangur, duke u kufizuar zakonisht në ato që përshkruheshin si sulme “të kufizuara” hakmarrëse kundër Shteteve të Bashkuara gjatë periudhave të tensionit të lartë. Qershorin e kaluar, për shembull, Teherani kishte shënjestruar bazën ajrore Al Udeid në Katar, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelite dhe amerikane. Tani ky objekt është goditur sërish, së bashku me bazën Ali Salem në Kuvajt, bazën Al Dhafra në Emirate dhe bazën e Flotës së Pestë amerikane në Bahrein.
Në Doha, deri tani, të gjitha raketat e lëshuara janë interceptuar nga sistemi i mbrojtjes Patriot: niveli i shqetësimit është shumë i lartë mes tre mijë italianëve që ndodhen në Katar.
Një shpërthim i fuqishëm tronditi edhe kryeqytetin e Emirateve: në Abu Dhabi, të paktën një person dyshohet se ka humbur jetën nga copëzat e raketave.
Katari, Kuvajti dhe Emiratet kanë mbyllur hapësirën ajrore: janë pezulluar edhe fluturimet nga dhe drejt Dubait.
Liderët arabë druhen se Irani mund të godasë jo vetëm objektivat amerikane në territorin e tyre, por edhe infrastrukturat strategjike si impiantet e gazit dhe të naftës, apo madje të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalojnë ngarkesat e naftës. Përveç rrezikut të një përshkallëzimi të mëtejshëm, ata frikësohen se ndryshimi i regjimit, për të cilin tashmë shprehet hapur Donald Trump, mund të shkaktojë një vakum pushteti, një luftë civile apo një destabilitet të përhapur që do të përfshinte të gjithë rajonin.
Pamjet video që po qarkullojnë online tregojnë skena dramatike pas rënies së raketave në periferi të kryeqytetit të Katarit, Doha.
Pamjet, të verifikuara nga Al Jazeera, tregojnë njerëz duke bërtitur dhe duke u përpjekur të shpëtojnë teksa objekti bie nga qielli, duke shkaktuar një shpërthim të madh, me flakë të kuqe dhe tym të trashë të zi.
“Është pikërisht pranë dhomës time,” dëgjohet një person duke folur për shpërthimin. “O Zot! Qoftë Allahu me ne,” shton ai.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka mbajtur këtë mëngjes një mbledhje të komitetit të krizës së qeverisë (Cobra) dhe planifikon të zhvillojë telefonata me aleatët në orët në vazhdim.
Zëdhënësi i qeverisë britanike theksoi se Britania nuk dëshiron të jetë dëshmitare e një eskalimi të mëtejshëm në një konflikt më të gjerë rajonal dhe ripërsëriti mbështetjen për një zgjidhje të negociuar ndaj ambicieve bërthamore të Iranit. Britania nuk ka qenë e përfshirë në sulmet SHBA-Izrael.
Ndërkaq, presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka cilësuar situatën si jashtëzakonisht të rrezikshme për të gjithë rajonin. Ai tha se regjimi iranian duhet të angazhohet në negociata të sinqerta për të ndalur programet bërthamore dhe raketore dhe veprimet që destabilizojnë Lindjen e Mesme. Macron shtoi se populli iranian duhet të ketë mundësinë të ndërtojë lirshëm të ardhmen e tij, ndërsa masakrat e regjimit islamik e diskreditojnë atë dhe kërkojnë që popullit t’i jepet zëri sa më shpejt. Presidenti francez ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Të dy liderët evropianë theksuan rëndësinë e diplomacisë dhe qetësisë, duke paralajmëruar se çdo eskalim i mëtejshëm do të kishte pasoja serioze për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, i dënoi sulmet në Lindjen e Mesme, të cilat sjellin vetëm "vdekje, shkatërrim dhe mjerim njerëzor", dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të rifillojnë negociatat.
"Unë dënoj sulmet ushtarake të këtij mëngjesi në Iran nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe sulmet hakmarrëse pasuese nga Irani. Si gjithmonë, në çdo konflikt të armatosur, janë civilët ata që paguajnë çmimin më të lartë. Për të shmangur këto pasoja të tmerrshme për civilët, bëj thirrje për përmbajtje dhe u bëj thirrje të gjitha palëve të arsyetojnë, të ulin tensionet dhe të kthehen në tryezën e negociatave, ku vetëm disa orë më parë kishin kërkuar në mënyrë aktive një zgjidhje", tha Turk në një deklaratë.

Emiratet e Bashkuara Arabe dënuan sulmet iraniane në territorin e tyre, duke thënë se këto goditje përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal. Ministria e Jashtme e EBA-së deklaroi se sulmet përbëjnë shkelje të përsëritura nga Irani dhe paralajmëroi për pasoja nëse veprime të tilla vazhdojnë.
Ministria tha se EBA vazhdon të bëjë thirrje për diplomaci për të ulur tensionet, por rezervon të drejtën për të mbrojtur veten dhe për të garantuar sigurinë e saj.

Mediat e huaja kanë publikuar imazhe satelitore nga kompleksi ku jetonte Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamanei, tashmë totalisht i shkatërruar nga sulmet ajrore të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Britania deklaroi të shtunën se Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të zhvillojë armë bërthamore dhe se është e gatshme të mbrojë interesat e saj.
Një burim qeveritar tha se Britania nuk ka marrë pjesë në sulmet dhe se Kryeministri britanik, Keir Starmer, do të zhvillojë një mbledhje emergjente reagimi, të njohur si mbledhje COBRA, të shtunën.
“Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të zhvillojë një armë bërthamore dhe kjo është arsyeja pse ne kemi mbështetur vazhdimisht përpjekjet për të arritur një zgjidhje të negociuar,” tha një zëdhënës i qeverisë në një deklaratë.
“Si pjesë e angazhimeve tona afatgjata për sigurinë e aleatëve tanë në Lindjen e Mesme, ne kemi një sërë kapacitetesh mbrojtëse në rajon, të cilat së fundmi i kemi forcuar. Jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona,” shtoi zëdhënësi.

Ministria e Jashtme ruse dënoi sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe bëri thirrje për një ndalim të menjëhershëm në një zgjidhje politike dhe diplomatike.
"Në mëngjesin e 28 shkurtit, forcat amerikane dhe izraelite nisën sulme ajrore në territorin iranian. Shkalla dhe natyra e përgatitjeve ushtarako-politike dhe propagandistike që i paraprinë këtij veprimi të pamatur, përfshirë vendosjen e një force të konsiderueshme ushtarake amerikane në rajon, nuk lënë asnjë dyshim se ky ishte një akt i planifikuar dhe i paprovokuar i agresionit të armatosur kundër një shteti anëtar sovran dhe të pavarur të Kombeve të Bashkuara, në shkelje të parimeve dhe normave themelore të së drejtës ndërkombëtare", tha ministria në një deklaratë.
Ministria dënon faktin se "sulmet po kryhen përsëri nën maskën e një procesi të ripërtërirë negociatash, gjoja të hartuar për të siguruar një normalizim afatgjatë të situatës rreth Republikës Islamike, dhe pavarësisht sinjaleve të dërguara palës ruse në lidhje me mungesën e interesit të izraelitëve për një përballje ushtarake me iranianët".

Ministria e Jashtme e Kuvajtit ka dënuar sulmet në territorin e saj, të cilat tha se janë kryer nga Irani “në shkelje flagrante” të hapësirës së saj ajrore dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Ajo deklaroi se Kuvajti rezervon të drejtën për t’u përgjigjur në një mënyrë që është “në përputhje me shkallën dhe natyrën e këtij sulmi” dhe paralajmëroi se aktiviteti i mëtejshëm ushtarak do të minonte stabilitetin e rajonit.
Edhe Arabia Saudite ka dënuar me “termat më të ashpër” sulmet iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Katarit, Jordanisë dhe Kuvajtit.
Arabia Saudite paralajmëroi për “pasoja të rënda” për shkak të shkeljes së vazhdueshme të “sovranitetit shtetëror dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare”.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa kanë thënë se zhvillimet në Iran janë “shumë shqetësuese”.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të mbrojnë civilët dhe të respektojnë plotësisht ligjin ndërkombëtar”, thanë të dy udhëheqësit në një deklaratë të përbashkët.
“Në koordinim të ngushtë me shtetet anëtare të BE-së, ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar që qytetarët e BE-së në rajon të mund të mbështeten në mbështetjen tonë të plotë.”

Foto: Ushtarë iranian
Ushtria iraniane tha se do t'u japë Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara një "mësim historik" pas sulmeve ndaj qyteteve iraniane.
"Siç e kemi deklaruar tashmë, çdo bazë në rajon që ndihmon Izraelin do të jetë një objektiv i Republikës së shenjtë Islamike dhe forcave tona të armatosura, dhe ne nuk do të tregojmë asnjë hezitim", tha zëdhënësi i Forcave të Armatosura, Gjenerali i Brigadës Abolfazl Shekarchi.

Media të huaja raportojnë për vdekjen e komandantit të Gardës Revolucionare, Mohammad Pakpour, dhe të ministrit të Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, pas sulmeve në Iran nga Izraeli dhe SHBA. Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë iraniane, gjenerali Abdolrahim Hatami, është i paprekur dhe vazhdon të drejtojë forcat e armatosura, sipas një njoftimi të agjencisë së lajmeve IRNA. Ndërkohë, agjencia Mehr ka shkruar se e gjithë kryesia e forcave të Republikës Islamike nuk është goditur.
Të paktën 85 nxënëse kanë mbetur të vrara në një sulm që, sipas autoriteteve iraniane që fajësojnë Izraelin, ka goditur një shkollë për vajza në jug të Iranit.
Është agjencia zyrtare iraniane IRNA ajo që ka përditësuar bilancin e ngjarjes së ndodhur në zonën e Minabit, në provincën Hormozgan. IRNA raporton gjithashtu për 60 nxënëse të mbetura të plagosura.
Shkolla e goditur, ka deklaruar për agjencinë guvernatori i provincës, Mohammad Radmehr, është institucioni “Shajareye Tayabeh”.

Ushtria jordaneze thotë se mbrojtja e saj ajrore ka kapur dy raketa balistike që kishin në shënjestër vendin.
Banorët e kryeqytetit Aman thanë se dëgjuan shpërthime të forta dhe sirena sulmesh ajrore.

Teherani e konsideron «të ligjshme të reagojë ndaj sulmeve të Uashingtonit dhe Tel Avivit», të kryera ndërsa po zhvillohej një proces diplomatik midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
«Sulmi ushtarak i SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit po ndodh ndërsa është në zhvillim procesi diplomatik», shkruhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme iraniane, i publikuar në kanalin e saj në Telegram. «Përgjigjja ndaj kësaj agresioni është një të drejtë e ligjshme e Iranit sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara».
«Ushtarakët iranianë po përdorin të gjitha mjetet dhe kapacitetet për të kundërshtuar agresionin e SHBA-ve dhe Izraelit», vijon njoftimi.

Foto: Reza Pahlavi
Reza Pahlavi, trashëgimtari i dinastisë Pahlavi në mërgim ka reaguar pas operacionit amerikano-izraelit ndaj Iranit.
Në një status të postuar në mediat sociale Pahlavi thotë se ndihma e premtuar nga Trump ka mbërritur, por, fitorja përfundimtare ‘do të jetë në duart tona’.
Teksa u bën apel popullit që të jenë vigjilentë, Pahlavi nënvizon se 'Dua të jem pranë jush sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që së bashku ta rimarrim Iranin dhe ta rindërtojmë atë. Rroftë Irani.'
Postimi i plotë i Reza Pahlavit:
Të dashur bashkëkombës të mi, momente vendimtare na presin. Ndihma që Presidenti i Shteteve të Bashkuara i premtoi popullit të guximshëm të Iranit tani ka mbërritur. Kjo është një ndërhyrje humanitare, objektivi i saj është Republika Islamike, aparati i saj i shtypjes dhe makina e saj vrasëse, jo vendi i madh i Iranit dhe populli i tij.
Megjithatë, pavarësisht mbërritjes së kësaj ndihme, fitorja përfundimtare do të arrihet prapëseprapë nga ne. Jemi ne, populli i Iranit, që do ta përfundojmë punën në këtë betejë përfundimtare. Koha për t’u kthyer në rrugë po afron.
Tani që Republika Islamike po shembet, mesazhi im për ushtrinë, forcat e zbatimit të ligjit dhe forcat e sigurisë të vendit është i qartë: Ju keni bërë një betim për të mbrojtur Iranin dhe popullin iranian, jo për të mbrojtur Republikën Islamike dhe udhëheqësit e saj. Detyra juaj është të mbroni popullin, jo të mbroni një regjim që ka marrë peng atdheun tonë përmes shtypjes dhe krimit.
Bashkohuni me kombin dhe ndihmoni në sjelljen e një tranzicioni të qëndrueshëm dhe të sigurt. Përndryshe, do të fundoseni së bashku me anijen e shkatërruar të Khameneit dhe regjimin e tij.
Dhe mesazhi im për Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Presidentin Trump, është ky: Populli i nderuar i Iranit, pavarësisht shtypjes brutale dhe vrasjeve nga ky regjim, qëndroi me guxim për gati dy muaj.
Tani ju kërkoj të tregoni kujdesin maksimal për të ruajtur jetën e civilëve dhe bashkatdhetarëve të mi. Populli i Iranit është aleati juaj natyror dhe aleati i botës së lirë, dhe ata nuk do ta harrojnë ndihmën tuaj gjatë periudhës më të vështirë të historisë së Iranit.
Dhe për ju, bashkatdhetarët e mi të dashur në Iran: Në këto orë dhe ditë të ndjeshme, më shumë se kurrë, ne duhet të mbetemi të përqendruar në qëllimin tonë përfundimtar: rimarrjen e Iranit. Ju kërkoj, për momentin, të qëndroni në shtëpitë tuaja dhe të ruani qetësinë.
Qëndroni vigjilentë dhe të përgatitur në mënyrë që, në kohën e duhur – për të cilën do t’ju informoj saktësisht – të mund të ktheheni në rrugë për veprimin përfundimtar. Ndiqni mesazhet e mia përmes mediave sociale dhe mediave satelitore. Nëse ndodhin ndërprerje në internet dhe shërbimet satelitore, unë do të qëndroj në kontakt me ju përmes valëve të radios. Jemi shumë afër fitores përfundimtare.
Dua të jem pranë jush sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që së bashku ta rimarrim Iranin dhe ta rindërtojmë atë. Rroftë Irani.
Reza Pahlavi.

Foto:Benjamin Netanyahu dhe Donald Trump
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar pas sulmeve në Iran, një operacion i përbashkët i Izraelit dhe SHBA-së.
Përmes një video-mesazhi Netanyahu falenderon presidentin amerikan Donald Trump, teksa shprehet se Irani ka nevojë për një ndryshim regjimi.
"Falënderoj mikun tonë të madh, Presidentin Donald Trump, për lidershipin e tij historik. Veprimi ynë i përbashkët do të krijojë kushtet që populli i guximshëm iranian të marrë fatin e tij në duart e veta. Për 47 vjet, regjimi i Ajatollahëve ka bërtitur 'Vdekje Izraelit', 'Vdekje Amerikës'. Ka derdhur gjakun tonë, ka vrarë shumë amerikanë dhe ka masakruar popullin e vet. Nuk mund të lejohet të pajiset me armë bërthamore që do ta lejonin atë të kërcënonte të gjithë njerëzimin.
Ka ardhur koha që të gjitha segmentet e popullit iranian - persianët, kurdët, azerët, balukët dhe ahvazët - të çlirohen nga zgjedha e tiranisë dhe t'i sjellin liri dhe paqe Iranit. Ju bëj thirrje juve, qytetarëve të Izraelit: ndiqni udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm. Në ditët në vijim, në Operacionin "Ulërima e Luanit", të gjithë ne do të tregojmë durim dhe guxim. Së bashku do të rezistojmë, së bashku do të luftojmë dhe së bashku do të sigurojmë përjetësinë e Izraelit. Vëllezër dhe motra, qytetarë të Izraelit, pak më shumë se një orë më parë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një operacion për të hequr kërcënimin ekzistencial që paraqet mbretërimi i terrorit në Iran", tha ai.

Presidenti Donald Trump konfirmoi në një video të publikuar në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara kishin nisur një fushatë ushtarake në Iran.
Reagimi i plotë i presidentit Donald Trump:
Pak kohë më parë, ushtria e Shteteve të Bashkuara filloi operacione të mëdha luftarake në Iran. Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i egër, shumë i ashpër dhe i rrezikshëm.
Veprimtaritë e tij kërcënuese rrezikojnë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, trupat tona, bazat tona jashtë vendit dhe aleatët tanë në mbarë botën. Për 47 vjet, regjimi iranian ka brohoritur “vdekje Amerikës” dhe ka zhvilluar një fushatë të pandërprerë gjakderdhjeje dhe vrasjesh masive, duke shënjestruar Shtetet e Bashkuara, trupat tona dhe njerëz të pafajshëm në shumë e shumë vende.
Ndër veprimet e para të regjimit ishte mbështetja e marrjes me dhunë të Ambasadës së SHBA-së në Teheran, duke mbajtur dhjetëra amerikanë peng për 444 ditë. Në vitin 1983, përfaqësuesit e Iranit kryen bombardimin e kazermave të marinsave në Bejrut, ku u vranë 241 ushtarakë amerikanë.
Në vitin 2000, ata e dinin dhe ndoshta ishin të përfshirë në sulmin ndaj USS Cole. Shumë njerëz vdiqën. Forcat iraniane vranë dhe gjymtuan qindra ushtarakë amerikanë në Irak. Përfaqësuesit e regjimit kanë vazhduar të ndërmarrin sulme të panumërta kundër forcave amerikane të stacionuara në Lindjen e Mesme në vitet e fundit, si dhe kundër anijeve amerikane ushtarake dhe tregtare në korsitë ndërkombëtare të lundrimit.
Ka qenë terror masiv. Dhe ne nuk do ta tolerojmë më. Nga Libani në Jemen dhe nga Siria në Irak, regjimi ka armatosur, trajnuar dhe financuar milici terroriste që kanë përmbytur tokën me gjak.
Ishte përfaqësuesi i Iranit, Hamasi, që nisi sulmet monstruoze të 7 tetorit ndaj Izraelit, duke vrarë më shumë se 1,000 njerëz të pafajshëm, përfshirë 46 amerikanë, dhe duke marrë 12 qytetarë tanë peng. Ishte brutale. Diçka që bota nuk e kishte parë kurrë më parë.
Irani është sponsori numër një shtetëror i terrorizmit dhe së fundmi ka vrarë dhjetëra mijëra qytetarë të vet në rrugë ndërsa protestonin. Ka qenë gjithmonë politika e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht e administratës sime, që ky regjim terrorist të mos ketë kurrë armë bërthamore. Do ta them sërish: ata nuk do të kenë kurrë armë bërthamore.
Kjo është arsyeja pse në Operacionin “Midnight Hammer” qershorin e kaluar, ne shkatërruam programin bërthamor të regjimit në Fordo, Natanz dhe Isfahan. Pas atij sulmi, i paralajmëruam të mos rifillonin kurrë ndjekjen e tyre dashakeqe për armë bërthamore. Ne kërkuam vazhdimisht të arrinim një marrëveshje. U përpoqëm. Ata donin ta bënin, pastaj nuk donin, pastaj donin sërish. Thjesht donin të praktikonin të keqen.
Por Irani refuzoi, siç ka bërë për dekada e dekada. Refuzoi çdo mundësi për të hequr dorë nga ambiciet bërthamore. Dhe ne nuk mund ta tolerojmë më. Në vend të kësaj, ata u përpoqën të rindërtonin programin e tyre bërthamor dhe të vazhdonin zhvillimin e raketave me rreze të gjatë që tani mund të kërcënojnë miqtë dhe aleatët tanë në Europë, trupat tona jashtë vendit dhe së shpejti mund të arrijnë edhe territorin amerikan.
Imagjinoni sa i guximshëm do të bëhej ky regjim nëse do të kishte armë bërthamore.
Për këto arsye, ushtria e Shteteve të Bashkuara po ndërmerr një operacion masiv dhe të vazhdueshëm për të parandaluar që kjo diktaturë e ligë dhe radikale të kërcënojë Amerikën dhe interesat tona thelbësore të sigurisë kombëtare. Ne do t’i shkatërrojmë raketat e tyre dhe do ta rrafshojmë industrinë e tyre të raketave. Do të zhduket plotësisht. Do ta asgjësojmë marinën e tyre. Do të sigurohemi që përfaqësuesit terroristë në rajon të mos destabilizojnë më rajonin apo botën dhe të mos sulmojnë më forcat tona.
Do të sigurohemi që Irani të mos marrë armë bërthamore. Është një mesazh shumë i thjeshtë: ata nuk do të kenë kurrë armë bërthamore. Ky regjim do ta mësojë së shpejti se askush nuk duhet të sfidojë forcën dhe fuqinë e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara.
Ne lutemi për çdo ushtarak që rrezikon jetën për të siguruar që amerikanët dhe fëmijët tanë të mos kërcënohen kurrë nga një Iran i armatosur me armë bërthamore. I kërkojmë Zotit të mbrojë të gjithë heronjtë tanë në rrezik. Dhe besojmë se, me ndihmën e Tij, ata do të triumfojnë.
Anëtarëve të Gardës Revolucionare Islamike, forcave të armatosura dhe policisë u them sonte: dorëzoni armët dhe do të keni imunitet të plotë. Përndryshe, do të përballeni me vdekje të sigurt.
Popullit të madh dhe krenar të Iranit i them: ora e lirisë suaj ka ardhur. Qëndroni të strehuar. Mos dilni nga shtëpitë. Jashtë është shumë e rrezikshme. Bombat do të bien kudo. Kur të përfundojmë, merrni në dorë qeverinë tuaj. Do të jetë e juaja për ta marrë. Kjo mund të jetë mundësia juaj e vetme për breza të tërë.
Për shumë vite keni kërkuar ndihmën e Amerikës, por nuk e keni marrë. Asnjë president nuk ishte i gatshëm të bënte atë që po bëj unë sonte. Tani keni një president që po ju jep atë që doni. Le të shohim si do të përgjigjeni.
Zoti i bekoftë burrat dhe gratë e guximshme të forcave tona të armatosura. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zoti ju bekoftë të gjithëve. Faleminderit.

Forcat e armatosura izraelite kanë identifikuar raketa të lëshuara nga Irani drejt Izraelit. Sirena po dëgjohen në veri, dhe qytetarëve u është urdhëruar të shkojnë në strehimore.

Presidenti Donald Trump konfirmoi në një video të publikuar në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara kishin nisur një fushatë ushtarake në Iran.
“Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i pamëshirshëm, shumë i ashpër dhe i rrezikshëm,” tha presidenti amerikan.
“Aktivitetet e tij kërcënuese rrezikojnë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, trupat tona, bazat tona jashtë vendit dhe aleatët tanë në mbarë botën,” u shpreh ai në mesazhin tetëminutësh.
“Për 47 vjet, regjimi iranian ka brohoritur ‘Vdekje Amerikës’ dhe ka zhvilluar një fushatë të pandërprerë gjakderdhjeje dhe vrasjesh masive, duke synuar Shtetet e Bashkuara, trupat tona dhe njerëz të pafajshëm në shumë e shumë vende,” tha ai.
Foto: Ali Khamenei
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, nuk është në kryeqytetin Teheran dhe është transferuar në një vend të sigurt, tha një burim zyrtar për agjencinë e lajmeve Reuters.
Ndërkohë sipas Associated Press, të paktën një nga sulmet në Teheran kishte në shënjestër një zonë ku ndodhen zyrat e Khameneit.
Foto nga shpërthimet në Teheran
Sulmi i Izraelit ndaj Iranit ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara, tha një burim izraelit për CNN.
Zyrtarët amerikanë besojnë se sulmi i Izraelit ndaj Iranit mund të jetë "shumë më i gjerë" sesa sulmet e SHBA-së kundër objekteve bërthamore iraniane qershorin e kaluar.

Pas shpërthimveve të fuqishme që vijonë akoma në kryeqytetin iranian Teheran, bëhet me dije se është mbyllur hapësira ajërore.
Sipas mediave shpërthimet janë regjistruar veçanërisht në lindje dhe veri të qytetit, përfshirë edhe në Urën Seyed Khandan, ku ndodhet selia e përbashkët e forcave të armatosura.
Komente




Si gjithmone, Amerika dhe Izraeli dy popuj te keqinj, pushtues qe duan te vjedhin pasurite e vendeve te tjera. Mjer ai popull qe ka nafte e gaz, se po nuk ja dha SHBA-se shterpe,e pret lufta.
PërgjigjuDuke e ditur që jan në muajin e ramazanit ky e bombardon .duket luf fetare hajt shnet
PërgjigjuKjo ca po i ndodh Iranit mund te na ndodhe edhe ne , ne qofte se nuk i dorezojme Ballukun sistemit te drejtesise shqiptaro-amerikane! A mundemi ne ti sulmojme bazat amerikane ne rajon ? Veshtire! Prandaj Rama te dorezoje Ballukun!
PërgjigjuHipokrit, Koreja e Veriut ka 80 vite qe thote vdekje per SHBA-ne, dhe nuk po ua mban me e sulmu.Pra, ceshtje te tjera jane ne loje.
PërgjigjuIrani cope cope ne armatim.Lere ç'thone,qe ka ashtu e ashtu,me kallasha eshte akoma.Ka disa rraketa qe Israeli ja kap me dore.Mendoj qe kete rradhe bien Ajtollahet nga pushteti,por mjere mileti çdo heqi ne te ardhmen.
PërgjigjuHajd me kom t'mar
Përgjigju