Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar mbylljen e menjëhershme të qytetit të Hebronit dhe përgatitjen e një bllokimi të plotë të Bregut Perëndimor, pas një sulmi me armë ndaj një pike kontrolli izraelite, ku humbën jetën dy ushtarë dhe u plagosën tre të tjerë. Dy palestinezët e dyshuar si autorë të sulmit u vranë më pas gjatë një shkëmbimi zjarri me ushtrinë izraelite.
Vendimi u mor pas një mbledhjeje të Netanyahut me drejtuesit e sigurisë dhe ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz. Kryeministri izraelit tha se forcat e sigurisë kanë marrë urdhër të vendosin menjëherë një perimetër sigurie rreth Hebronit dhe të përgatiten për bllokimin e të gjithë Bregut Perëndimor.
“Kam udhëzuar forcat e sigurisë të vendosin menjëherë një perimetër sigurie rreth qytetit të Hebronit dhe të përgatiten për një bllokim të plotë të gjithë Judesë dhe Samarisë”, deklaroi Netanyahu, duke përdorur emërtimin izraelit për Bregun Perëndimor.
Sulmi ndodhi mëngjesin e 23 tetorit, pranë një pike kontrolli në jug të Bregut Perëndimor. Sipas ushtrisë izraelite, dy palestinezë të armatosur hapën zjarr ndaj ushtarëve. Fillimisht u raportuan pesë ushtarë të plagosur, por më pas ushtria konfirmoi vdekjen e dy prej tyre, të identifikuar si Ron Yonatan Roytman dhe Yuval Shai Svilem.
Një gazetar i AFP-së, dëshmitar i ngjarjes, raportoi se kishte parë dy palestinezë të veshur civilë, të armatosur me pistoletë dhe armë automatike, duke shkëmbyer zjarr me forcat izraelite. Të dy u vranë nga ushtria izraelite.
Pas sulmit, Netanyahu paralajmëroi se Izraeli po përgatit atë që ai e cilësoi si operacionin më të madh ushtarak në Bregun Perëndimor që nga viti 1967.
“Forcat izraelite janë gati ta realizojnë dhe ne do të vendosim kohën, por ai po vjen”, tha kryeministri, sipas një videoje të publikuar nga zyra e tij.
Ai deklaroi se ushtria do të hyjë në lagjet nga ku kanë ardhur autorët e sulmeve, do të evakuojë banorët, do të kontrollojë banesat një nga një dhe do të shkatërrojë infrastrukturën që Izraeli e cilëson terroriste.
Ndërkohë, ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, urdhëroi shembjen e një sërë ndërtesash palestineze pranë vendit të sulmit, të cilat ai i cilësoi si ndërtime të paligjshme.
“Pas sulmit, kam urdhëruar shembjen e menjëhershme të një sërë ndërtesash arabe të paligjshme pranë vendit të ngjarjes. Urdhri do të zbatohet brenda orës së ardhshme dhe do të vazhdojë gjatë gjithë pasdites”, shkroi Smotrich.
Gjatë një vizite në zonë, Smotrich njoftoi gjithashtu se ishte miratuar krijimi i katër fermave të reja izraelite në kodrat jugore të Hebronit.
“Ky është vetëm fillimi. Mesazhi është i qartë: terrorizmi që godet qytetarët izraelitë ka një çmim shumë të lartë”, deklaroi ai.
Vendimet e qeverisë izraelite kanë sjellë reagimin e Italisë.
“Nuk jemi dakord. Ne duam që populli palestinez të mund të realizojë më në fund ëndrrën e tij për një shtet, duke jetuar në paqe me Izraelin, të cilit duhet t'i garantohet siguria. Por nuk është duke goditur popullsinë palestineze, sidomos fshatrat paqësore të krishtera, që zgjidhet problemi i sigurisë së Izraelit”, deklaroi Ministri i Jashtëm Antonio Tajan nga Stambolli.
Ai kërkoi gjithashtu lirimin e menjëhershëm të pesë aktivisteve italiane të ndaluara nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor, teksa shoqëronin palestinezët gjatë vjeljes së ullinjve. Autoritetet izraelite i kanë akuzuar aktivistet, së bashku me persona të tjerë të ndaluar, për mbështetje të terrorizmit, qëndrim në zona të ndaluara dhe veprimtari kundër Izraelit. Tajani i kundërshtoi këto akuza, duke thënë se gratë nuk kishin kryer asnjë vepër penale.
Përshkallëzimi i situatës ndodh vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare në Izrael, të planifikuara për më 27 tetor. Bregu Perëndimor është nën pushtimin izraelit që prej Luftës Gjashtëditore të vitit 1967.




Komente
Komento