Kabineti i sigurisë i shtetit të Izraelit është mbledhur mbrëmjen e djeshme për rreth pesë orë për të dalë më pas me vendimin se nuk do të marrë pjesë në negociatat për paqe me Hamasin, të planifikuara të kryheshin në kryeqytetin e Egjiptit, Kairo. Sipas mediave vendase, Izraeli nuk ka më ndërmend të bëj asnjë lloj armpushimi me Hamasin deri sa të arrijë me sukses objektivin e saj, shkatërrimin e tuneleve që përdoren nga terroristët dhe më pas tërheqja e trupave do të bëhet në mënyrë të njëanshme, pa negociata. Gjithashtu është deklaruar në media se mospranimi nga ana e Izraelit për fillimin e negociatave për paqe ka influencuar dhe rrëmbimin, në ditët e fundit, të ushtarit izraelit që dyshohet të mbahet peng nga Hamasi.
Ndërkohë nga pala palestineze, në kuadër të negociatave për paqe, pritet mbrëmjen e sotme të mbërrijnë në Kairo delegatët e OLP (Organizata për Lirinë e Palestinës), kurse delegacioni i Hamasit do të jenë prezent në bisedime mëngjesin e të dielës. Në kryeqytetin egjiptian do mbërrijë dhe asistenti i numrit dy të Departamentit Amerikan të Shtetit, William Burns.
Redaksia Online
(e.n/shqiptarja.com)