TIRANE- Mbledhja e 14 dhjetorit 1983 në Komitetin Qëndror. Porositë e Enver Hoxhës: Si të hetohet prapavija armiqësore në pyetjet që bëjnë ushtarët e sektorëve si ai i xhenios..

Nëse ka elementë armiqësorë në Ushtri, ata mund të zbulohen nga pyetjet që bëjnë. Disa pyetje mund të jenë të drejtpërdrejta, konstatuese, por ka edhe disa pyetje që bëhen me qëllim armiqësor, sidomos për demoralizim në rradhët e ushtrisë. Enver Hoxha e shtjellon në këtë mënyrë, çështjen e edukimit politik në sektorët e Ushtrisë ndërsa pyet Simon Stefanin gjatë mbledhjes së 14 dhjetorit 1983 se si është situata sa i takon edukimit politik në sektorët problematikë si ai i xhenios.

Hoxha vazhdimisht kërkon të dijë se për çfarë pyetet në këto sektorë, dhe Simon Stefani thotë se ata bëjnë edhe pyetje për aftësinë mbrojtëse të ushtrisë tonë... “ushtritë e tjera thonë këta kanë armatime më të shumta e më të sofistikuara, kurse ne i kemi më pak të sofistikuara”, thotë Simon Stefani. Duke e trajtuar këtë argument herë si kosntatim e herë si provokim, Enver Hoxha, Simon Stefani, Ramiz Alia dhe Hekuran Isai kalojnë më tej në raste konkrete që janë nën vrojtimin e Sigurimit të Shtetit. Ndërsa Simon Stefani thotë se janë 8 ushtarë nën vrojtimin e Sigurimit, ndërhyn Hekuran Isai, duke saktësuar se në të vërtetë janë 35 ushtarakë.

Isai thotë se janë kryesisht ushtarë, njëri prej tyre është nënoficer, por janë edhe 5 oficerë nën vrojtimin e Sigurimit. Ai përmend rastin e njërit prej tyre, i quajtur Muharrem që është komandant divizioni në Berat. Udhëheqësit habiten se si ky element armiqësor është vendosur Komandant divizioni. Diskutimet mbi këtë çështje vijojnë edhe më tej gjatë mbledhjes së sekretarëve, por sot për lexuesit do të sjellim këtë pjesë diskutimesh deri tek rasti i komandantit të divizionit në Berat, për të vijuar në ditët në vijim me rastet e tjera që diskutohen në këtë mbledhje. Më poshtë sjellim procesverbalin e zbardhur së bashku me faksimilet e dokumentit.
 
Dokumenti

Shoku Simon Stefani: Puna politike në ushtri, siç e dini zhvillohet në dy rrugë rrugë: në rradhë të parë ne dërgojmë atje  programet ku parashikohet të bëhen tema të programuara, si për vitin e parë, ashtu edhe për vitin e dytë të shërbimit ushtarak. Punën politike në njësitë poshtë, në togë, fjala vjen, e zhvillon komandanti i togës. Puna politike zhvillohet kudo në ushtri tri herë në javë nga 2 orë. Veç kësaj, një herë në javë bëhet informacion politik me ushtarët. 50 përqind të kohës zhvillohen temat që i dërgojmë për ushtrinë që këtej, nga Komiteti Qëndror. Këtu përveç disa temave të karakterit ushtarak popullor të ushtrisë sonë, përfshihet edhe historia e Partisë së Punës së Shqipërisë.

Ndërsa 50 përqind e kohës tjetër që mbetet, lihet në dispozicion të komiteteve të Partisë dhe të organizatave bazë në reparte për problemet që i shqetësojnë gjatë gjithë vitit, siç janë ato të disiplinës, të marrëdhënieve kuadër-masë, të marrëdhënieve me terrenin, një seri problemesh të tjera që ata e gjykojnë se duhen bërë objekt zbërthimi me ushtarët etj.

Shoku Enver Hoxha: Po si bëhen tani këto? Na trego pak konkretisht. Kush raporton? Në ç’forma raportimi bëhen konkretisht? Kush i kontrollon këto? Komandantit të togës ia kanë caktuar këtë punë, dhe ne e dimë si i kanë caktuar dhe se si ca prej tyre i bëjnë mirë, kurse ca të tjerë nuk i bëjnë mirë.
Shoku Simon Stefani: Po, ka edhe nga ata që nuk i bëjnë mirë. E vërteta ashtu është.

Shoku Enver Hoxha: Prandaj ne duhet të dimë, si bëhen këto punë?
Shoku Simon Stefani: Këto njëherë i kontrollon vetë Partia. I kontrollojnë komisarët dhe punonjës të tjerë që janë ngarkuar të zhvillojnë punën ideopolitike me ushtarët.
Shoku Enver Hoxha: Vijnë raportojnë këta nga brigadat?
Shoku Simon Stefani: Vijnë, posi,  na dërgojnë informacione.

Shoku Enver Hoxha: Ke parë ti ndonjë prej këtyre?
Shoku Simon Stefani:  Po kam parë.
Shoku Enver Hoxha: Për punën politike?
Shoku Simon Stefani: Kam parë informacione për punën politike, që është zhvilluar kjo temë, ka qenë kjo pjesëmarrje, janë bërë këto pyetje etj.

Shoku Enver Hoxha: Ç’dalin nga këto pyetje, për shëmbull, se nga pyetjet që bëhen  dalin dhe botkuptimet  e pjesëmarrësve në këtë tema.
Shoku Ramiz Alia:  Dalin qartësitë dhe paqartësitë.
Shoku Enver Hoxha: Unë dua të na i thuash një çikë në detaje këto,  pa në përgjithësi e marr me mend se si bëhen, prandaj na trego hollësisht si bëhen në këtë dhe në atë repart. Në repartin e xhenios bëhet apo s’bëhet punë politike?
Shoku Simon Stefani: Bëhet po si!

Shoku Enver Hoxha: Bëhen pyetje?
Shoku Simon Stefani: Bëhen.
Shoku Enver Hoxha:  Këto pyetje të çfarë natyre janë? Sigurisht punë politike dhe edukative atje bëhet ashtu siç bëhet në të gjithë ushtrinë.
Shoku Simon Stefani: Njësoj bëhet.

Shoku Enver Hoxha:   Këtu nuk i kemi si të burgosur këta, po janë njerëzit tanë që i kemi dërguar të kryejnë shërbimin ushtarak dhe të punojnë në repartet e xhenios. Tani gjatë punës politike që bëhet me këta, sigurisht ka edhe debate, bëhen edhe pyetje, të cilave  u jepet përgjigje. Tani këto pyetje të çfarë natyre janë? Në përgjithësi unë i di, po dua ta di këtë çështje  një çikë më konkretisht.
Shoku Simon Stefani: Ja çfarë pyetje bëhen konkretisht: Përse nuk na jepni armë edhe neve?-pyesin ata, se këtyre armë nuk u japim ne.
Shoku Enver Hoxha: Ka edhe reparte të tjera ushtarë që nuk kanë armë, po ushtrohen me armë druri.

Shoku Simon Stefani: Po stërvitjen me armë druri e bëjnë.
Shoku Enver Hoxha:   Domethënë ky nuk ëhstë ndonjë problem.
Shoku Simon Stefani: Këto pyetje pra të tilla janë: pse na vini neve gjithmonë që të punojmë në fortifikime? Na çoni të stërvitemi edhe ne si gjithë të tjerët.
Shoku Enver Hoxha:  Po stërvitje bëjnë ata?
Shoku Simon Stefani: Po si, bëjnë edhe stërvitje.

Shoku Enver Hoxha:   Atëherë përse ankohen?
Shoku Simon Stefani: Ankohen se ushtartë e armëve të tjera bëjnë më shumë stërvitje, kurse këta të xhenios bëjnë më pak, ndërsa punime fortifikuese bëjnë më shumë.
Shoku Enver Hoxha: E di unë atë, e di, po çështë kjo arsye që japin ata, kur edhe në repartet e tjera përdoret pushkë prej druri për stërvitje? Përse në repartet e tjera  bëhet stërvitje më shumë, kur niveli i programeve është i ndarë sipas degës?
Shoku Ramiz Alia: Se këta janë xhenierë.

Shoku Enver Hoxha:  Këta janë xhenierë, prandaj në program parashikohet të bëjnë edhe stërvitje, të bëjnë dhe punë.  Ka pastaj plot ushtarë të tjerë që bëjnë roje. Këta rojet, ngrenë gjë krye, thonë që pse na futni vetëm neve në roje? Ne edhe këtyre u bëjmë stërvitje.
Shoku Simon Stefani: Roje bëjnë të gjithë, shoku Enver.

Shoku Enver Hoxha:   Atëherë edhe te këta mund të lindin pyetje, po çfarë pyetje? Pyetje të tjera, jo si ata që mund të  bëhen në reparte të ndryshme, të gjitha këto që  bëhen e diskutohen përbëjnë jetën e repartit, drejtimin e partisë nga ana politike, ideologjike, morale, tërë këtë punë, nga pyetjet që bëhen shihet pulsi i njerëzve, se po të jetë vetëm çështja që pse s’na jepni armë edhe ne, kjo nuk mund të quhet nga ne si punë armiqësore.
Shoku Simon Stefani: Jo. Dhe ata u kanë shpjeguar se nuk është çështja që ju nuk keni armë, pse ç’janë gjithë këto mjete, tërë këto mekanizma që keni nëpër duar, që ju vënë në dispozicion dhe u janë besuar.
Shoku Enver Hoxha: Po atëherë pse ankohen?
Shoku Simon Stefani: I bëjnë këto pyetje ushtarët e këtyre reparteve Shoku Enver.

Shoku Enver Hoxha: Unë nuk them që nuk i bëjnë, bile mendoj se bëjnë jo vetëm këto, po edhe të tjera.
Shoku Simon Stefani: Bëjnë edhe pyetje të tjera, edhe për problemet e situatës, ka pastaj që bëjnë edhe pyetje provokuese. Shoku Enver Hoxha: Po pikërisht këto dua të di unë.
Shoku Simon Stefani: Bëjnë, përshembull, pyetje për aftësinë mbrojtëse të atdheut tonë. Pyetje të tilla sidomos në këto reparte ka.
Shoku Enver Hoxha: Mirë është që ti dimë si bëhen konkretisht këto pyetje? Ti dini mirë sidomos ju dhe ata që drejtojnë repartet për të njohur gjendjen shpirtërore të efektivit të tyre.
Shoku Simon Stefani: Për të ditur në përgjithësi, gjendjen moralo-politike të ushtrisë.

Shoku Enver Hoxha: Se ndryshe nuk mund të njihet gjendja moralo-politike e efektivit, duke caktuar tekstet e programet, duke dërguar një pjesë këtej, pse një pjesë e kanë  edhe vetë dhe me kaq të mendohet se mbaroi puna politike. Prandaj duhet parë ç’efekte kanë këto dhe ç’reaksione prodhojnë.
Shoku Simon Stefani: Ne, shoku Enver bashkë me  shokët e reparteve, i ndjekim këto me kujdes shumë të madh e me vigjilencë. Sa pyetje të tilla që, si i thonë, janë të karakterit politik, dalin.
Shoku Enver Hoxha: Ja, për shembull, të shihet se të çfarë karakteri politik janë, se ka shumë rëndësi parrulla politike që hidhet, e çfarë natyre është etj.
Shoku Simon Stefani: Disa nga ato kanë të bëjnë me aftësinë mbrojtëse të ushtrisë sonë.

Shoku Enver Hoxha: Si, e  në ç’formë del kjo pyetje që ka të bëjë me çështjen e aftësisë tonë mbrojtëse?
Shoku Simon Stefani: Ushtritë e tjera thonë këta kanë armatime më të shumta e më të sofistikuara, kurse ne i kemi më pak të sofistikuara. Komisarët gjatë punës politike që bëjnëe  kanë sqaruar këtë pyetje.
Shoku Enver Hoxha: Domethënë, ata u shpjegojnë që armë atomike ne s’kemi, mirëpo ai që bën pyetje, mund ta thotë këtë edhe si një konstatim, prandaj duhet parë e vlerësaur kjo që bëhet në rrugë armiqësore apo në rrugën e një konstatimi?
Shoku Simon Stefani: Këto thuhen edhe në rrugë armiqësore, edhe drejtpërdrejt.

Shoku Enver Hoxha: Kur ai pyet se ç’mund të bëjmë ne me këto armë që kemi, kur armiku ka armë të tjera shumë të fuqishme, të sofistikuara, s’ka dyshim që një pyetje e tillë mbjell demoralizim në ushtri. Prandaj unë, oficeri, që jam në rrugën e partisë u them atyre që bëjnë pyetje të tilla: djema, këto armë që kemi në duar (dhe këto që po them tani unë i kam  të shkruara në sa e sa fjalime) ne duhet t’i shfrytëzojmë sa më mirë  për mbrojtjen e atdheut, se armiku ka vërtet armë më moderne dhe më me shumicë, po ne me këto që kemi duhet të përpiqemi e ti përballojmë ata. Një konstatim të tillë e bën Partia, po punë armiqësore mund të quhet vetëm në atë rast, kur tjetri thotë që ne nuk kemi ç’u bëjmë dot gjë armiqve me mjetet që kemi.

Shoku Ramiz Alia:  Po në qoftë se ai na thotë që si do të përpiqemi për t’i bërë ballë ne këtij armiku të fuqishëm.
Shoku Hekuran Isai: Armiku kishte edhe në Vietnam të tilla armë të sofistikuara, megjithatë populli i Vietnamit me ato armë që ksihte, qëndroi dhe fitoi kundër amerikanëve.
Shoku Simon Stefani: Natyrisht puna e Partisë i ka sqaruar të gjitha këto pyetje, po këta janë bërë nga djem të rinj, të ardhur në ushtri të papërgatitur si duhet politikisht, kurse kuadrot e punës politike në Ushtri i kanë sqaruar këto çështje. Megjithatë veç veprimtarisë armiqësore, raste të tilla ka.

Siç ju raportoja edhe në informacion, interes po tregohet edhe nga të huajt për të ditur ç’ka në ushtrinë tonë, gjithmonë kjo në rrugë agjenturore, po drejtpërdrejt punë armiqësore në ushtri nuk kemi pasur, ata elementë të paktë të dyshimtë aq sa janë, ndiqen nga punonjësit e Sigurimit. Të tërë atje janë nën kontrollin e Partisë dhe të organeve të sigurimit.
Shoku Enver Hoxha: Në ç’drejtim vihen nën vrojtimin e Sigurimit të Shtetit në ushtri ata pak elementë që bëjnë punë armiqësore. Ç’kërkojnë të dinë këta dhe ç’mundohen të bëjnë?
Shoku Simon Stefani:  Tetë veta kemi gjithsej nga këta në vrojtim.

Shoku Hekuran Isai:  Gjithsej nga sigurimi i Shtetit për agjitacion e propagandë, jo në rrugën e konstatimit, po në rrugë armiqësore në ushtri, ne kemi në ndjekje jo 8 po 35 veta.
Shoku Enver Hoxha: Ç’janë këta, oficerë apo ushtarë?
Shoku Hekuran Isai:  Nga gjithë këta vetëm njëri  është nënoficer, të tjerët janë ushtarë të ardhur nga terreni, të infektuar në rrethana nga më të ndryshmet që vazhdojnë të flasin edhe tani që janë të mobilizuar në ushtri, kurse nënoficer kemi vetëm një. Me prirje për arratisje kemi nga 5-6 vetë, po edhe këta janë ushtarë dhe nënoficerë, se oficerë nuk kemi. Nga oficerët si agjentë kemi në ndjekje nja 5-6 veta.
Shoku Simon Stefani: Tetë veta janë këta, kështu kemi biseduar bashkë.

Shoku Hekuran Isai:  Për tetë veta që kemi biseduar, unë e kam informuar shokun Simon një ditë. Nga oficerët jemi në ndjekje të njërit, është një komandant divizioni në Berat, të quajtur Muharrem.
Shoku Enver Hoxha: Komandant divizioni qënka ky atje?
Shoku Simon Stefani: Po komandant divizioni.
Shoku Hekuran Isai: Ky ëhstë një njeri për të cilin ka shumë dyshime....


Shkrimi u përditësua në 27 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)