Ja çfarë ndodhi më 21 Janar 2011

Ja çfarë ndodhi më 21 Janar 2011
Protesta e 21 Janarit 2011, ishte mbarëpopullore dhe I adresohej një sistemi të kalbur dhe të korruptuar, që kishte uzurpuar të gjitha resurset ekonomike të vendit duke zhytur në varfëri të thellë dhe të pashpresë qytetarët.
 
Protesta ishte paralajmëruar të niste në orën 12:00 të mesdrekës. Protestuesit që vinin nga rrethet, grumbulloheshin në pikat si Zogu I Zi, Pallatet me Shigjeta, Rruga e Elbasanit, Stacioni I Trenit dhe Rruga e Dibrës.
 
Të drejtuar nga organizatorët përgjegjës të rretheve, në mesditë ata duke vërshuar në arteriet kryesore të kryeqytetit janë grumbulluar në Sheshin Skënderbej dhe më pas janë bashkuar me protestuesit që vinin nga Rruga e Elbasanit, në afërsi të Hotel Dajtit. Prej këtu janë drejtuar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit drejt Kryeministrisë.
 
Zemërimi ishte i madh dhe në momentin e grumbullimit tek Hotel Dajti, u vunë re grupe të rinjsh që shkëputeshin duke dhënë indiciot se kjo nuk do ishte një protestë e zakonshme.
 
Nën drejtimin e deputetëve të Opozitës në atë kohë, protestuesit janë grumbulluar para Kryeministrisë. Situata ka dalë jashtë kontrollit dy orë më vonë, në orën 14:00 kur turrma është provokuar me forcat e shumta të policisë që rrethonin Kryeministrinë.
 
Mes rreshtave të parë të protestuesve dhe policisë kanë nisur përplasjet fizike, të cilat nuk kanë pushuar edhe pas ndërhyrjes së deputetëve të Partisë Socialiste për t’i qetësuar.
 
Në këtë moment vjen lëvizja e parë e Gardës së Republikës, duke qëlluar pa paralajmërim me gaz lotsjellës ndaj protestuesve.
 
Të gjendur të papregatitur për këtë veprim të Gardës, gazi lotsjellës ka sjellë panik dhe ka detyruar të tërhiqen edhe forcat e policisë, të cilët nuk ishin të pajisur me masat antigaz.
 
Mes protestuesve janë futur edhe automjetet zjarrëfikëse për t’i detyruar me presionin e ujit të largoheshin, një tjetër lëvizje e pamenduar mirë dhe që rezultoi e dështuar.
 
Në orën 16:00 pjesa më e madhe e protestuesve ishte shkëputur nga pjesa e dhunshme që shkëmbente gurë me policinë dhe gardën. Këta të fundit, kryesisht adoleshentë, ishin grumbulluar nga krahu I Piramidës dhe angadalë protesta po vinte drejt fundit.
 
Dhe pikërisht në këtë moment, ja nisën të zbrazeshin fillimisht në ajër dhe më pas drejtpërdrejt turrmës armët e Gardës së Republikës.
 
Të shtënat sollën një tjetër reagim të protestuesve, dhe në këto momente nga Spitali Ushtarak filluan të vinin informacionet e para për të vrarë dhe plagosur.
 
Lajmi I të vrarëve u konfirmua nga deputetët e Partisë Socialiste, ndërsa në spitalin ushtarak nisi loja e deklaratave që vrasjet ishin bërë me armë të kalibrit të vogël dhe nga afër, duke aluduar se ishin vrarë nga vetë protestuesit.
 
Me ardhjen e mbrëmjes, protestuesit po largoheshin dhe kjo solli një revansh të forcave të policisë, të cilët nisën të godisnin në rrugë, shoqëronin dhe rrihnin sërish në komisariat të gjithë të rinjtë dhe të rejat që ndeshnin.
 
Dhunës së policisë nuk I shpëtuan as deputetët e Partisë Socialiste dhe gazetarët në mësymjen e uniformave blu tek dy kullat binjake.
 
Në media u hodh dhe një video ku pretendohej për lëvizje të dyshuara të njërit prej protestuesve për të faktuar ato deklaratat që kalonin edhe kufijtë imagjinatës, për vrasje të kryera nga vetë protestuesit të pajisur me çadra-pistoletë.
 
Por filimimet e operatorëve dhe gazetarëve zbardhën misterin kur në dritaren e katit të parë të Kryeministrisë dukej punonjësi I gardës që qëllonte mbi turrmën.
 
Ndërkohë që nga brenda Kryeministrisë ishin kujdesur që të fshiheshin dhe zhdukeshin nga serveri të gjitha pamjet e përftuara nga kamerat e sigurisë së institucionit.
 
Në 21 Janar u vranë Ziver Veizi nga Gjirokastra, Aleks Nikaj nga Lezha, Hekuran Deda nga Peshkopia dhe Faik Myrtaj nga Fieri, ndërsa pati dhjetëra të plagosur.

Redaksia online
(Gerti Xaja/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja