Ja fjala e plotë e Ministrit Saimir Tahiri në takimin me të rinjtë

Të nderuar kolegë, ministre,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor,
Të nderuar partnerë,
Të nderuar përfaqësues të shkollave,
Të nderuar nxënës, mësues,
 
Nuk besoj se do arrij të shpreh atë që dua të them aq mirë sa ç’bënë nxënësit e gjimnazeve që erdhën këtu, duke dhënë mesazhe të forta që shpresoj të mbeten thellë në ndërgjegjen e secilit në këtë sallë, e më pas secili të gjejë forcën për të shkuar e për të komunikuar me cilindo (me çdo nxënës në klasë, me të gjithë mësuesit, me çdo komunitet, në çdo lagje e çdo qytet). Për ta kthyer betejën ndaj çdo vesi (veçanërisht kundër drogës, alkolit, duhanit) në prioritet shoqëror.
 
E shënoi këtë takim Drejtori i Arsimit të Lezhës: la paketën e cigareve këtu në shenjë demonstrative. Drejtor, shpresoj të mos ta kesh një për ta lenë këtu e një për ta mbajtur në xhep, shpresoj ta kesh lënë tamam, dhe besoj Policia do ta ketë parasysh që nëse kapesh sërish me cigare të paktën do të të njoftojmë (qesh).
 
Por mua më bëri përshtypje njëri nga nxënësit, i cili evokoi këtu modelin e gabuar që shpesh ndjekin adoleshentët: modelin sipas të cilit “nëse pi duhan bëhesh më shpejt burrë”. E shumë kanë rënë në këtë grackë. Në grackën ku, duke iu dedikuar vesit (qoftë dhe duhanit) në moshë të re, sikur “piqesh më shpejt”, “je më trendy”, “bëhesh më shpejt burrë”. Edhe mua në fakt kështu më është dukur në atë kohë – dhe s’e kam lënë ende duhanin. Ndoshta nuk kam aq kurajo sa drejtori që ta le këtu, përpara jush, por do vijë dita ta le edhe unë duhanin.
 
Ama një gjë e kam kuptuar me shumë siguri. Asnjë nga këto vese nuk të burrëron më shumë, as të bën burrë më shpejt – përkundrazi, të plak më shpejt! Dhe asnjë nga këto model nuk është i denjë për t’u edukuar apo (akoma më pak) për t’u ndjekur.
 
Unë e di shumë mirë, ashtu si dhe ju, se në shkollat e komunitetet tona vendore ka modele të gabuara: modele të atyre që i dedikohen duhanit, alkoolit, apo (akoma më keq) edhe lëndëve narkotike. E këta duket sikur janë të rinjtë më “trendy”. Ata që e kanë më të lehtë të krijojnë shoqëri. Ata që duket sikur janë më “modernë “. Në fakt nuk është kështu. Fatkeqësisht nuk është kështu.
 
Nëse ka diçka që duhet të luftojmë me shumë forcë është lufta kundër këtyre fenomeneve nëpërmjet modelit, duke i dhënë mundësi të rinjve të kenë modelet ndaj të cilave të referohen dhe të krenohen. Lindita kolegia ime bashkë me stafin e saj në Ministrinë e Arsimit ka bërë një punë të shkëlqyer për t’i shndërruar shkollat. Një mundësi, ku modeli i shëndoshë dhe komuniteti bashkë me dijen të krijojnë atë rrugë, atë shtrat ku të gjithëve ne na jep mundësinë të garantojmë të ardhmen. Të rinjtë e gjeneratës tjetër, Shqipëria e gjeneratës tjetër meriton punë sot, meriton sakrifica sot.
 
Ne e dimë shumë mirë, siç e dini të gjithë që është vështirë, të riparosh gjithçka është shkatërruar në këto mbi dy dekada. Është vështirë, të krijosh një model tjetër për të rinjtë, të denjë për t’u referuar dhe për t’u krenuar të gjithë bashkë. Është vështirë!
Është vështirë t’i kthesh shkollat në qendrat komunitare ku të edukohen të rinjtë dhe të rejat. Është vështirë, por jemi në rrugën e duhur. Ne e dimë shumë mirë që gjithçka kemi bërë deri më sot nuk mjafton. Po është mjaftueshëm për të na treguar që jemi në rrugën e duhur për ta bërë siç duhet të tashmen dhe mbi të gjitha të ardhmen.
 
Ashtu siç e dimë shumë mirë që Policia e Shtetit ka një super volum pune, bënë shumë për të edukuar të rinjtë dhe të rejat. Komunitetet vendore, çdo punonjës i Policisë së Shtetit mundohet të krijojë ekzaktësisht këto modele. Po ne e dimë që ka ende shumë për të bërë. Po askush nga ne nuk ka dot mundësi të krenohet për çka kemi bërë sot. Jo se kemi bërë pak, po se ajo që mbetet për t’u bërë është gjithmonë më shumë se ajo që kemi bërë.
 
Më bëri përshtypje, (një ndër studentët e tjerë, në mos jam gabim i Shkodrës). I gjithë grupi dha idenë e solidaritetit, forcën dhe fuqinë shpirtërore për t’i dhënë dorë njëri-tjetrit, veçanërisht atyre që janë në nevojë. Veçanërisht atyre që i janë dhënë vesit, qoftë duhanit, qoftë alkoolit, qoftë drogës, akoma më keq. Sepse e gjitha është një luftë që nuk bëhet dot nga askush vetëm. As Policia e shtetit nuk ia del vetëm. As shkollat, mësuesit nuk ia dalin dot vetëm.  Askush asnjë njeri nuk ia del dot vetëm, në qoftë se nuk bëhemi të gjithë bashkë të kundërshtojmë këtë model. Dhe kjo është një luftë. 
Lufta kundër drogës, kundër alkoolit, duhanit është një luftë që më së pari fitohet në mendje para se të fitohet në rrugë, para se të fitohet aty ku kultivohet droga, para se të fitohet aty ku konsumohet duhani dhe alkooli, fitohet në mendje.
Fitohet tek modeli dhe ndaj unë kam shumë shpresë që këto takime do krijojnë një fuqi njerëzore të tërë për t’i dalë përball të gjithë bashkë këtyre fenomeneve. Pa toleruar asgjë, pa neglizhuar asgjë por duke pasur si qëllim tonin kryesor, të krijojmë një shoqëri të shëndetshme. Miqtë e mi. Unë jam shumë i vetëdijshëm që gjithçka bëjmë sot ndoshta nuk duket e gjitha sot, gjithçka rrezikojmë sot sjell pasoja fatale për nesër ama. 
Dhe ajo që rrezikojmë më shumë është e ardhmja, e ardhmja e fëmijëve tanë. Unë kam një djalë 5 vjeç. Nuk do të doja kurrë që im bir të rritej duke veneruar ose duke marrë modelet e gabuara të atyre që i dedikohen vesit dhe jo sportit, për shembull. Të atyre që i dedikohen veseve dhe jo dijes, librave. Ashtu siç jam shumë i sigurt që çdo mësues dhe mësuese është prind përpara se të jetë i tillë. Është prind për fëmijët e tij. Është prind për nxënësit në klasë. 
Ashtu siç jam shumë i sigurt që të gjithë ata të rinj e të reja që janë sot këtu në sallë apo që nuk janë këtu por me të cilët ju duhet të flisni nuk e kuptojnë ende rrezikun që i vjen të ardhmes, Shqipërisë së gjeneratës tjetër nga gjithçka që nuk bëjmë siç duhet sot. Unë nuk kam fjalë aq sa duhet për të falënderuar të gjithë të rinjtë e të rejat që sot edhe mua më dhanë një leksion shumë të mirë për fuqinë njerëzore që ka një brez i tërë për t’u përballur bashkë me ne, bashkë me Ministrinë e Arsimit, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, bashkë me Policinë e Shtetit, me ndihmën e vyer të partnerëve për të ndërtuar Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Për të ndërtuar një gjeneratë të tërë të rinjsh e të rejash të cilët ta duan Shqipërinë duke dashuruar veten larg veseve, larg problemeve duke i thënë jo alkolit, jo duhanit, jo drogës dhe po jetës. Unë ju falënderoj pa masë për gjithçka keni bërë. 
Nëse është e mundur organizatorët mbase, unë do të doja t’ju ftoja të gjithë këtu, fëmijët, të rinjtë e të rejat që performuan sot dhe të gjithë bashkë të japim këtë mesazh. Të japim mesazhin e shpresës për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë, pa alkol, pa duhan, pa drogë dhe të gjeneratës tjetër.
Faleminderit të gjithëve!

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar