Ja harta e 105 'pikave të zeza' në
segmentet kombëtare rrugore

TIRANE- Në rrjetin e rrugëve kombëtare, sipas statistikave të organeve të Transportit, ekzistojnë 105 pika me mundësi të lartë për të pësuar një aksident rrugor me pasoja fatale. “Shqiptarja.com” zbardh zonat ku ekzistojnë këto 105 pika të rrezikshme, ose siç emërtohen ndryshe në terminologjinë e infrastrukturës rrugore: njolla të zeza.

Duke qenë se këto njolla ndodhen në rrugët kombëtare, institucioni përgjegjës për trajtimin e tyre është Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARrSh). Në kuadër të minimizimit të aksidenteve rrugore në tërësi, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme si edhe Ministria e Drejtësisë, kanë hartuar një paketë masash dhe kanë firmosur aktmarrëveshje bashkëpunimi.

Njollat e zeza
Përcaktimi i një njolle të zezë, sipas ekspertëve, varet nga 3 karakteristika, të cilat janë shpeshtësia e aksidenteve, afërsia e tyre dhe serioziteti i pasojave. Një zonë e rrugës, emërtohet si një pikë e zezë, nëse brenda një distance prej 300 m deri në 500 m, kanë ndodhur 2 aksidente me pasoja fatale, në një hark kohor nga 6 muaj deri në një vit.

Rrugët kombëtare me më shumë njolla të zeza janë në qarqet e Shkodrës dhe të Lezhës. Një tjetër aks rrugor me një numër jo të vogël njollash të zeza është edhe aksi rrugor Tiranë – Vorë – Durrës. Gjithashtu dy akse të tjera problematikë përsa i përket aksindenteve të shpeshta me pasoja fatale janë akset Elbasan – Librazhd si edhe rruga në rrethin e Devollit drejt Kakavijës.
 
Trajtimi
Nga këto 105 njolla të zeza, ARrSh-ja, do të ndërhyjë për përmirësimin e 10 njollave të zeza, për të cilat ekzistojnë projektet. Afati për përfundimin e trajtimit të këtyre pikave parashikohet të jetë muaji shtator i këtij viti. Ndërkaq, pritet që një muaj më vonë, në tetor, ARrSh-ja të ketë ndërmarrë projektimin dhe vlerësimin e mundësisë për ndërhyrje në 14 pika të zeza të tjera në akset kombëtare.

Në tërësi, për vitin 2014, në vendje të organeve të Transportit do të  jetë përgatitja e projekteve dhe preventivave për pikat e mbetura të zeza në akset kombëtare, sipas Raportit të Sigurisë Rrugore 2013.

Aksidentet
Vitin e kaluar, sipas Raportit të Sigurisë Rrugore 2013, kanë ndodhur 2075 aksidente rrugore, ku 295 persona janë vrarë (nga këta 237 meshkuj e 58 femra), 478 persona janë plagosur rëndë (nga këta 388 meshkuj e 90 femra) dhe 2025 janë të plagosur lehtë, ku një pjesë prej tyre do të jetë me aftësi të kufizuara për pjesën tjetër të jetës së tyre, në disa raste, duke rezultuar në vështirësi financiare për familjet e tyre.

Shkaqet
Arsyet kryesore të rritjes së numrit të aksidenteve, sipas analizës së organeve të Transportit,  janë: 1. Rritja e fluksit të lëvizjes së mjeteve në akset kryesore; 2. Rritja e shpejtësisë së lëvizjes mbi normat e lejuara; 3. Mos zbatimi i rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të  rrugës. Si rrjedhojë pak më shumë kujdes dhe kulturë në përdorimin e rrugës, e cila nuk kushton gjë, mund të ulë ndjeshëm numrin e aksidenteve.

rruget e rrezikshme me logo
rruget e rrezikshme me logo
(Në foto: Rrugët e rrezikshme në Shqipëri)

Shkrimi u publikua sot (12.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Panik gjatë uljes së avionit në Kanada, merr flakë njëri nga krahët

Panik gjatë uljes së avionit në Kanada, merr flakë njëri nga krahët