Ja kush i ka bllokuar institucionet
e reja anti-korrupsion 

Ja kush i ka bllokuar institucionet<br />e reja anti-korrupsion 
Përfaqësuesit e politikës kanë një shpjegim për bllokimin e finalizimit të institucioneve të reja anti-korrupsion, Byrosë Kombëtare e Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale, projektuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin në nivele të larta.

Sipas tyre, fakultetet jopublike të drejtësisë nuk kanë paraqitur kandidatë nga radhët e personelit akademik për anëtarë të KLGJ dhe KLP. Referuar parashikimeve të ligjit nr. 95/2016 për SPAK (pika 6, neni 57), fillimi i muajit gusht ishte afati i fundit për ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja anti-korrupsion, kur parashikohej kalimi i dosjeve të krimit dhe korrupsionit në duart e organeve të reja.

Që pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit, çështja e institucioneve të reja anti-korrupsion nuk është më pjesë e ligjërimit politik të partive kryesore, duke krijuar një perceptim të fortë se, politika nuk ka interes për t’u investuar në këtë çështje.

Dyshimet shtohen kur SPAKU dhe ligji i ndryshuar anti-mafia, do të kenë në fokus pikërisht praktikat abuzive të konsumuara nga zyrtarët dhe pushtetarët e të gjitha niveleve në Shqipëri. Janë rreth 22 vepra penale në fushën e korrupsionit, të cilat kanë kaluar me ligj në kompetencë të SPAK. Gjithashtu, një komision me ekspertë të drejtësisë penale nga SHBA dhe BE, do të monitorojnë dy vitet e para punën e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Nga ana tjetër, presioni i Perëndimit për shembjen e murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëria sa vjen e shtohet.

Sqarimi i Vasilika Hysit   
Deputetja socialiste Vasilika Hysi, e cila ka relatuar disa ligje të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, thotë për Shqiptarja.com se, ngritja e organeve të reja që do luftojnë korrupsionin në nivele të larta kushtëzohet me zgjedhjen e anëtarëve të fundit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Zonja Hysi shton se dy muaj nga momenti i zgjedhjes së anëtarit të fundit të KLGJ dhe KLP, duhet të ngrihen organet e SPAK.

Zvarritja e paraqitjes së kandidaturave në radhët e profesorëve të fakulteteve të drejtësisë ka bllokuar ngritjen e KLGJ dhe KLP, dhe për pasojë edhe Byronë Kombëtare të Hetimit, Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatat Speciale. “Ngritja e organeve të reja lidhet me afatin e ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Dy muaj nga momenti që zgjidhjet anëtari i fundit i i këtyre dy institucioneve ngrihet SPAK-u.

Ndërkohë që, për KLGJ dhe KLP, një pjesë e kandidaturave kanë ardhur në Kuvend, janë vlerësuar edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe pritet të vijnë kandidatura nga radhët e profesorëve të fakultete jopublike.

Ky i fundit nuk është një proces i Parlamentit, por i dekanëve dhe i pedagogëve”, tha Hysi. Sipas ligjit secili prej institucioneve të arsimit të lartë që kanë në përbërje të tyre si njësi kryesore fakultete të drejtësisë, të akredituar sipas rregullave të legjislacionit në fuqi, përzgjedh jo më shumë se 3 kandidatë nga radhët e personelit akademik me kohë të plotë, me kushtin që të mos jenë propozuar nga radhët e avokatëve ose nga radhët e organizatave të shoqërisë civile.

Afatet për KLGJ dhe KLP
Ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë parashikon afate dhe procedura të qarta për zgjedhjen e dy anëtarëve të KLGJ nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës. Pika 1 e nenit 37 të ligjit parashikon që jo më vonë se 7 ditë nga shpallja e vendeve vakante nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, rektori i institucionit të arsimit të lartë që ka fakultet drejtësie dhe Drejtori i Shkollës së

Magjistraturës shpallin thirrjet për paraqitjen e shprehjeve të interesit nga anëtarët e personelit akademik dhe nga pedagogët e Shkollës së Magjistraturës që plotësojnë kriteret.

Sipas ligjit, në qoftë se, në përfundim të afatit rektori ose Drejtori i Shkollës së Magjistraturës nuk kanë shpallur thirrjen për paraqitjen e shprehjes të interesit, shpallja bëhet menjëherë nga Ministri i Drejtësisë.

Ndërkaq, brenda 15 ditëve nga shpallja e thirrjes për pranimin e shprehjeve të interesit, pedagogët e interesuar duhet të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar, sipas rastit, dekanit të fakultetit ose Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës.

Brenda 7 ditëve nga dita kur mbyllet afati për dorëzimin e shprehjeve të interesit, dekanati i fakultetit të drejtësisë mblidhet në një mbledhje të posaçme për të verifikuar plotësimin e kushteve ligjore nga kandidatët.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

SPAK, 1 mln € i gjeti të groposura në oborrin e shtëpisë së Hajdar Bakos! Kush janë Maklen Mici e Bashkim Lika që pastronin lekët e Çopjave

SPAK, 1 mln € i gjeti të groposura në oborrin e shtëpisë së Hajdar Bakos! Kush janë Maklen Mici e Bashkim Lika që pastronin lekët e Çopjave