Tabela e numrit të diskutimeve në seancat plenare reflekton vetëm angazhimin numerik, duke mos marrë në konsideratë dy elementë të tjerë të rëndësishëm: faktin se në gjysmën e sesionit pranveror të Kuvendit opozita nuk ishte e pranishme në Kuvend, si dhe përmbajtjen e diskutimeve, nëse ato janë diskutime cilësore që lidhen me zonën zgjedhore, alternativat politike apo janë debate politike të zakonshme, kryesisht replika dhe retorika të konsumimit të ngjarjeve të ditës. Në monitorimin e legjislaturës së re ky element analitik i monitorimit të fjalimeve në seancat plenare do të zërë një vend të rëndësishëm.
Referuar të dhënave rezulton se gjatë sesionit të pranverës 2017 deputeti më aktiv në diskutimet parlamentare ishte Ben Blushi. Një kritik i ashpër i qeverisë dhe themelues i një partie të re politike, Blushi diskutoi në 15 nga 21- 23 seancat aktive parlamentare, dhe në total, në 15 nga 17 seancat ku kishte diskutime parlamentare. Pas tij, gjithashtu deputeti më me shumë diskutime është Mimoza Hafizi, bashkëthemeluese e LIBRA bashkë me Blushin.
Lista e deputetëve të heshtur
Në listën e deputetëve “të heshtur” për sesionin parlamentar të vitit 2017 kemi numër rekord deputetësh, në krahasim me sesionet parlamentare të viteve 2015-2016. Janë 48 deputetë që nuk janë përfshirë në debate parlamentare, nuk kanë diskutuar për lidhet ose mbi problematika të veçanta, nuk kanë pasur nisma ligjore dhe nuk e kanë shfrytëzuar tribunën parlamentare për deklarime politike.
Në listë bëjnë pjesë emra të njohur të politikës, drejtues të partive politike, disa drejtues aktiv të komisioneve parlamentare, si dhe një listë e gjatë njerëzish të biznesit, të cilët tradicionalisht nuk kanë qenë diskutues në parlament./Deputetim.al
Redaksia Online
A.Gj/Shqiptarja.com












