Ja kushtet që duhet t'i plotësoni
personave me aftësi të kufizua

Ja kushtet që duhet t'i plotësoni<br />personave me aftësi të kufizua
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, qeveria ka përcaktuar edhe masat që duhen marrë nga insitucionet përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve publike ndaj personave me aftësi të kufizuara.
 
Masat e përcaktuara në këtë vendim kanë të bëjnë kryesisht me mënjanimin e pengesave në komunikm dhe infrastrukturë.
 
Më poshtë vendimi në fjalë rendit edhe aktorët të cilët duhet të përfshihen në zbatimin e saj, ku organ monitorimi caktohet nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore i cili duhet të raportojë pranë ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
 
 
V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E MASAVE PËR MËNJANIMIN E PENGESAVE NË KOMUNIKIM DHE INFRASTRUKTURË NË OFRIMIN E SHËRBIMEVE PUBLIKE PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 11, të ligjit nr.93/2014, “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave  
 
V E N D O S I:
 
KREU I 
RREGULLIME TË PËRGJITHSHME
 
1. Ky vendim përcakton masat për zbatimin dhe unifikimin e rregullave, në bazë të të cilave mënjanohen pengesat mjedisore dhe infrastrukturore për të bërë të mundur aksesin në strehim, transport, shëndetësi, kujdes social, arsimim, punësim dhe shërbime për personat me aftësi të kufizuara.
 
2. Janë pengesa në komunikim:
 
a) vështirësitë në komunikim që kanë personat me dëmtime ndijore, veçanërisht ata me dëmtime në shikim e dëgjim;
b) vështirësitë në komunikim që kanë personat që kërkojnë formate të thjeshta për t’u lexuar dhe për t’u kuptuar.
 
3. Janë pengesa infrastrukturore:
a) pengesat fizike si burim vështirësish për lëvizjen e kujtdo dhe në mënyrë të veçantë të atyre që, për çfarëdolloj arsyeje, kanë një aftësi lëvizëse të kufizuar, të përhershme ose të përkohshme; 
b) pengesat që kufizojnë ose pengojnë këdo në përdorimin komod dhe të sigurt të hapësirave, pajisjeve e të pjesëve përbërëse; 
c) mungesa e mjeteve dhe e sinjalizimeve që lejojnë orientimin dhe njohjen e vendeve e të burimeve të rrezikut për këdo dhe, në veçanti, për personat me shikim apo dëgjim të kufizuar.
 
4.  Ky vendim e shtrin zbatimin mbi:
 
a) bashkitë dhe strukturat e tyre të kontrollit, sipërmarrësit privatë, administratorët e bizneseve, kompanitë e projektimit e të zbatimit të projekteve ndërtimore, si dhe të gjitha subjektet përgjegjëse për të garantuar një mjedis pa pengesa për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara;
b) të gjitha ndërtimet e strukturat ndërtimore të reja dhe ekzistuese, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, kryesisht objektet e shëndetit publik, banesat dhe objektet rezidenciale, shkollat dhe institucionet shkencore, objektet kulturore, objektet e kultit, qendrat tregtare, institucionet administrative e të shërbimit publik, ndërmarrjet e qendrat e punës, në mjediset e të cilave ofrohen shërbime publike, parqet, sheshet e rrugët;
c) mjetet e transportit publik; 
ç)  mediat dhe tërësinë e mjeteve publike apo private të informimit publik.
 
5. Standardet e përshtatshmërisë zbatohen në të gjitha ndërtimet e strukturat ndërtimore ekzistuese si dhe në parqet, sheshet e rrugët ekzistuese, bazuar në kërkesat e parashikuara në kreun II, të këtij vendimi.
 
6. Shërbimi dhe mjetet e transportit publik përmbushin kërkesat e përshtatshmërisë, të parashikuara në kreun II, të këtij vendimi.
 
7. Njësitë vendore përgjegjëse për transportin publik, qytetas dhe ndërqytetas, publikojnë/afishojnë në çdo stacion të mjeteve të transportit publik orarin e lëvizjes së mjeteve të përshtatura dhe monitorojnë zbatimin e tij.
 
8. Mjetet, mënyrat dhe formatet e komunikimit të përdorura në ofrimin e shërbimeve publike përmbushin kërkesat e përshtatshmërisë në komunikim, të parashikuara në këtë vendim.
 
9. Çdo subjekt, që ofron shërbime për publikun, është i detyruar që të miratojë një plan masash për zbatimin e kërkesave të këtij vendimi brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja e tij në fuqi. 
 
10. Në planin e masave përfshihet detyrimi i subjektit për:
 
a) evidentimin e objekteve ekzistuese dhe të shërbimeve, për të cilat nevojitet përshtatshmëria;
b) planifikimin progresiv të fondeve të nevojshme për përshtatjen;
c) përcaktimin e afatit kohor për realizimin e përshtatshmërisë. 
 
11. Plani i masave, një kopje e të cilit i dërgohet Këshillit Kombëtar për Aftësinë e Kufizuar, miratohet me urdhër të titullarit/drejtuesit të subjektit dhe bëhet publik. 
 
12. Subjektet planifikojnë në mënyrë progresive procesin e përshtatjes në përputhje me dispozitat e këtij vendimi.
 
13. Çdo subjekt, sipas pikës 4, të këtij vendimi, ka detyrimin që, brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve nga data e miratimit të planit të masave, të fillojë punën për të realizuar procesin e përshtatshmërisë lidhur me objektet ekzistuese dhe shërbimet e ofruara.
 
14. Plani i masave e raportimet periodike/vjetore për realizimin e tyre publikohen nga subjektet e ngarkuara sipas këtij vendimi në çdo rast në faqet e internetit të institucioneve të tyre dhe dërgohen gjithashtu edhe në ministrinë përgjegjëse për çështjet e aftësisë së kufizuar. 
 
15. Marrja e masave për përshtatshmëri, në çdo rast, do të jetë pjesë e specifikimeve teknike, si një nga kushtet e detyrueshme për t’u plotësuar në një proces prokurimi.
 
16. Ndalohet dhënia e financimeve ose mbështetja financiare nga ana e shtetit apo enteve publike dhe jopublike/donatorëve për ndërtimin e një vepre, me qëllim ofrimin e shërbimit publik, nëse objekti nuk përmbush kërkesat e parashikuara në këtë vendim.
 
KREU II 
RREGULLA TË POSAÇME
 
1. Niveli i aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara garantohet në përputhje me kërkesat teknike, në çdo rast. 
 
2. Çdo kërkesë teknike për përshtatshmërinë e objekteve të reja dhe atyre ekzistuese, parqeve, shesheve dhe rrugëve zbatohet sipas dispozitave të parashikuara në vendimin nr.1503, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuara””. 
3. Subjektet, që ofrojnë shërbim publik, garantojnë proces komunikimi dhe informimi për individët me vështirësi shikimi ose plotësisht të verbër, duke botuar në gjuhën braille dhe/ose me shkrim të zmadhuar dhe/ose në formatin audio materiale të lidhura drejtpërdrejt me interesat parësorë të këtij grupi njerëzish, duke parashikuar në mënyrë progresive edhe buxhetin përkatës të nevojshëm për përmbushjen e kësaj përshtatshmërie. Shërbimet e ofruara, ku përparësi kanë shërbimet e ofruara nga institucione të ligjit dhe tatim-taksave, institucione të arsimimit dhe botimit, të shëndetësisë, të punësimit e të transportit, respektojnë kërkesat e përshkruara në këtë vendim.
 
4. Ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit e bën të detyrueshëm (pjesë të kurrikulës arsimore) mësimin e gjuhës Braille, krahas mësimit të gjuhës së shkruar dhe/ose të folur shqipe në shkollën speciale për personat që nuk shikojnë, e cila është pjesë e  sistemit të arsimit të detyrueshëm. 60% e stafit pedagogjik, përfshi organet drejtuese, të shkollës speciale për personat që nuk shikojnë janë persona që nuk shikojnë dhe që zotërojnë gjuhën braille.
 
5. Ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit merr masa për mbarëvajtjen e procesit të shndërrimit të instituteve speciale për nxënësit e verbër në qendra burimore multidisiplinare.
 
6. Ministria përgjegjëse për çështjet e aftësisë së kufizuar zyrtarizon dhe publikon, brenda 1 viti nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi, kodin e gjuhës braille.
 
7. Ministria përgjegjëse për çështjet e rendit e të sigurisë pajis forcat e rendit me njohuri bazë për sinjalistikën me audio dhe forma të tjera të përshtatura për lëvizshmërinë e pavarur të njerëzve të verbër, njohjen e shkopit të bardhë, gjuhës braille dhe shenjave të tjera dalluese, si mjete identifikuese të individëve të verbër.
 
8. Institucionet e shërbimit të transportit publik/privat, përveç zbatimit të kërkesave për përshtatshmëri të parashikuara në vendimin nr.1503, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuara””, garantojnë sistem transporti për individët e verbër ose me dëmtim të shikimit, duke përfshirë sistem të shpjegimit me audio për orientim në linjat e transportit dhe ndërthurjen e tyre.
 
9. Shërbimet e transportit publik ofrojnë transport qytetas me mjete tërësisht të përshtatura minimumi çdo 1 (një) orë në çdo vendqëndrim dhe shërbim transporti ndërqytetas me mjete të përshtatura për personat me vështirësi në lëvizje, minimumi një herë në ditë. 
 
10. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bashkëpunim me bashkitë, realizojnë në raste të caktuara, sidomos gjatë periudhave zgjedhore, procese komunikimi konsultimi dhe këshillimi plotësisht të aksesueshme për individët e verbër, duke ofruar edhe formate të përshtatura me audio dhe/ose forma të tjera të porositura nga komuniteti i njerëzve që nuk shikojnë.
 
11. Operatorët e medias, ato përgjegjës për komunikimin on-line dhe subjekte që prodhojnë forma të tjera të transmetimit drejt audiencës, aplikojnë rregullat për aksesueshmëri nëpërmjet teknologjive të posaçme dhe ofrojnë për personat e verbër shpjegim në format audio të materialeve të transmetuara kryesisht me natyrë informuese, duke parashikuar në mënyrë progresive buxhetin përkatës për aplikim të përshtatshmërisë.
 
12. Subjektet, që ofrojnë shërbim publik, garantojnë proces komunikimi dhe informimi për individët me vështirësi në dëgjim ose që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin, duke siguruar përkthim në gjuhën shqipe të shenjave gjatë ofrimit të shërbimit për këtë komunitet e duke parashikuar në mënyrë progresive edhe buxhetin përkatës të nevojshëm për përmbushjen e kësaj përshtatshmërie. Shërbimet e ofruara, ku përparësi kanë shërbimet e ofruara nga institucione të ligjit, të shëndetësisë, financiare, të arsimit, të transportit, të punësimit e të kulturës, respektojnë kërkesat e përcaktuara në këtë vendim me kushtin që personi përfitues të ketë marrë/caktuar paraprakisht takim me to.
 
13. Ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit përfshin në kurrikulat e arsimit të detyrueshëm për shkollën speciale për personat që nuk dëgjojnë mësimin e gjuhës së shenjave shqipe, krahas mësimit të gjuhës shqipe, të shkruar dhe/ose të folur. 
 
14. Ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit merr masa që të paktën 10% e personelit pedagogjik të shkollës speciale për personat që nuk dëgjojnë janë persona që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin dhe që zotërojnë gjuhën e shkruar dhe gjuhën e shenjave shqipe.
 
15. Ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit ndërmerr politika për hapjen e një programi shkollimi në shkollë të lartë (bachelor/master) për përgatitjen e interpretëve/përkthyesve të gjuhës së shenjave shqipe si dhe të personelit shkencor në këtë fushë.
 
16. Ministria përgjegjëse për çështjet e aftësisë së kufizuar, në bashkëpunim me organizatat e personave dhe për personat që kanë aftësi të kufizuara të dëgjimit, identifikojnë çdo dy vjet nevojat për interpretë/përkthyes dhe instruktorë të mësimit të gjuhës së shenjave shqipe.
 
17. Ministria përgjegjëse për çështjet e aftësisë së kufizuar zyrtarizon dhe publikon, brenda 12 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, Fjalorin e Gjuhës së Shenjave Shqipe.
 
18. Televizionet kombëtare transmetojnë rregullisht emisionin kryesor të lajmeve në opsionin e transmetimit të shoqëruar me titra dhe me gjuhën e shenjave.
 
19. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bashkëpunim me bashkitë, realizojnë në raste të caktuara, sidomos gjatë periudhave zgjedhore, procese komunikimi konsultimi dhe këshillimi në distancë, me ndihmën e teknologjisë (telefon/television/internet) si dhe nëpërmjet videokonferencave.
 
20. Në personat me aftësi të kufizuara të intelektit përfshihen:
 
a) personat që kanë vështirësi në të lexuar dhe në të nxënë nëpërmjet gjuhës (disleksi), në të shkruar (disgrafi);
b) personat me aftësi të kufizuara intelektuale/zhvillimi; 
c) personat me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor;
ç) personat me aftësi të kufizuara të të folurit/të të shqiptuarit.
 
21. Subjektet, që ofrojnë shërbim publik, garantojnë proces komunikimi dhe informacioni për personat me aftësi të kufizuara të intelektit, duke përdorur teknika në përshtatje me nivelin dhe formën e dëmtimit të intelektit të individit, duke parashikuar progresivisht edhe burimet njerëzore e buxhetore të nevojshme për përmbushjen e kësaj përshtatshmërie. Shërbimet e ofruara, ku përparësi kanë shërbimet e ofruara nga institucione të shëndetësisë, mbrojtjes shoqërore, arsimit, punësimit, transportit e të kulturës, respektojnë kërkesat e parashikuara në këtë vendim. 
 
22. Në teknikat e përshtatura përfshihen minimumi:
 
a) dhënia e kohës së nevojshme për të procesuar, kuptuar dhe reaguar; 
b) rimarrja dhe përsëritja e informacionit, shpjegimi i informacionit në gjuhë të thjeshtë, copëzimi i informacionit në koncepte më të thjeshtuara, pa e tepruar, dhënia e besimit dhe e sigurisë gjatë komunikimit;
c) të dëgjuarit e vëmendshëm, mosndërprerja e panevojshme e ligjëratës, përdorimi i fjalive e i fjalëve të thjeshta në të shkruar; 
ç) përdorimi i figurave, fotove, ngjyrave në materiale të shtypura. 
 
23. Ministria përgjegjëse për çështjet e aftësisë së kufizuar, në bashkëpunim me akademikë dhe ekspertizën e OJF-ve, përgatit, boton dhe shpërndan një udhëzues/manual për punonjësit e institucioneve të shërbimeve publike për mënyrat e komunikimit e të informimit të personave të përmendur në pikën 24, të këtij kreu, si dhe për mënyrën e përpilimit të materialeve të shkruara për këta persona.   
 
24. Në çdo rast, çdo institucion, që komunikon dhe informon nëpërmjet teknologjisë së komunikimit dhe informimit on-line, merr masa progresive për zbatimin e kërkesave të aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara të intelektit, duke ndërtuar dhe përshtatur në përputhje me nevojat e tyre çdo medium të komunikimit dhe informimit në internet të parashikuar për ta apo për konsum publik.
 
KREU III 
MONITORIMI DHE ANKIMI  
 
1. Monitorimi për zbatimin e këtij vendimi bëhet nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, i cili merr masat përkatëse sipas kompetencave të veta dhe njofton ministrinë që mbulon çështjet e aftësisë së kufizuar për çdo rast shkeljeje.
 
2. Ministria, që mbulon çështjet e aftësisë së kufizuar, për rastet e moszbatimit të rregullave të parashikuara në këtë vendim nga institucionet sipas pikës 4, të kreut I, të këtij vendimi, u kërkon subjekteve përkatëse të marrin masat e nevojshme dhe të korrigjojnë shkeljen brenda një afati, jo më shumë se ½ e afatit të parashikuar në planifikim. 
 
3. Moszbatimi i rregullave të vendosura në këtë vendim përbën shkak për dhënien e masave disiplinore për punonjësit përgjegjës në përputhje me legjislacionin në fuqi. 
 
4. Çdo subjekt, person fizik ose juridik, paraqet para ministrit që mbulon çështjet e aftësisë së kufizuar ankesa për shkeljen e së drejtës për aksesueshmëri në shërbime publike.
 
5. Ministri përgjegjës për çështjet e aftësisë së kufizuar, nëpërmjet sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar për Aftësinë e Kufizuar, merr në shqyrtim ankesën dhe u kërkon organeve kompetente referuese marrjen e masave administrative, si dhe përgatitjen e një informacioni për Këshillin Kombëtar për Aftësinë e Kufizuar.
 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)