Gjetjet tregojnë se institucionet publike që gëzojnë besimin më të madh janë: Forcat e Armatosura (63%), Institucionet e Arsimit Publik (63%), Institucionet e Shëndetit Publik (53%) dhe Policia e Shtetit (53%). Prokuroria (22%), Gjykatat (21%) dhe Partitë Politike (21%) rezultojnë të jenë institucionet më pak të besuara. Në lidhje me institucionet e tjera kombëtare, Institucionet Fetare (76%), Organizatat e Shoqërisë Civile (57%) dhe Media (54%) janë më të besuarat. Krahasuar me vitin 2016, shtatë institucione kanë shënuar rritje në besim, përkatësisht: Qeveria (rritje me 3 pikë përqindje), Institucionet e Shëndetit Publik (rritje me 3 pikë përqindje), Institucionet e Arsimit Publik (rritje me 4 pikë përqindje), Parlamenti (rritje me 7 pikë përqindje), Forcat e Armatosura (rritje me 8 pikë përqindje), Shoqëria civile (rritje me 11 pikë përqindje) dhe Institucionet Fetare (rritje me 18 pikë përqindje).
Krahasuar me 2016, përqindja e të anketuarve që kanë besim tek bashkia e tyre qëndron e pandryshuar në 49%. Krahasuar me 2016, katër institucione kanë shënuar rënie në besim, përkatësisht: Policia e Shtetit (ulje me 8 pikë përqindje), Media (ulje me 4 pikë përqindje); Presidenti (ulje me 3 pikë përqindje) dhe Partitë Politike (ulje me 2 pikë përqindje). Në lidhje me Reformën në Drejtësi, perceptimet për zbatimin me korrektësi të saj në praktikë vazhdojnë të jenë të ndara, me 43% e të anketuarve që besojnë se Reforma në Drejtësi do të zbatohet me korrektësi, ndërkohë që 38% besojnë të kundërtën. Gjatë 2017, Gjykatat janë perceptuar si më të prekshme ndaj ndikimit politik (72%), ndjekur nga Prokuroria (69%) dhe Policia e Shtetit (49%).
Korrupsioni
Të dhënat e sondazhit të opinionit për vitin 2017 tregojnë se 8 nga 10 të anketuar e konsiderojnë korrupsionin e nivelit të ulët (87%) dhe të lartë (88%) si të përhapur ose shumë të përhapur në Shqipëri. Megjithatë, të dhënat tregojnë një mospërputhje të dukshme midis perceptimeve mbi përhapjen e korrupsionit dhe përvojave personale të përballjes me fenomenin. Kur pyeten mbi përvojat personale, vetëm 21% e tyre raportojnë se kanë qenë dëshmitarë i të paktën një rasti korruptiv në qeverisjen e tyre vendore krahasuar me 15% në qeverisjen qendrore. Krahasuar me vitin 2016, për vitin 2017 shifrat e përballjes personale me korrupsionin në qeverisjen vendore janë rritur me 6 pikë përqindje, ndërsa për qeverisjen qendrore me 5 pikë përqindje.
Media
Të pyetur mbi kredibilitetin e raportimit në media, vetëm një në çdo dy të anketuar (50%) mendojnë se informacioni i dhënë nga media është i saktë dhe i vërtetë. Në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike, të anketuarit kanë vlerësuar më mirë furnizimin me ujë të pijshëm (56%), shërbimet e pastrimit (57%), shërbimet e emergjencave (53%) dhe shërbimet e arsimit publik (54%). Shërbimet publike që janë vlerësuar më pak janë shërbimet e punësimit (74%) dhe gjykatat (73%) të ndjekura nga shërbimet e shëndetit publik (57%) dhe shërbimet sociale (55%).
Sondazhi
Mbledhja e të dhënave është kryer gjatë periudhës 17-30 nëntor 2017. Një total prej 1648 qytetarësh u intervistuan në 61 bashkitë e Shqipërisë. Sondazhi i Opinionit mbështet nga PNUD Shqipëri përmes projektit “Mbështetje për inovacionin kundër korrupsionit: Ngritja e një modeli shërbimesh me në qendër qytetarin në Shqipëri”. Sondazhi i Opinionit 2017 “Besimi në Qeverisje” është zhvilluar për të pestin vit radhazi. Ai shqyrton perceptimin publik në çështje si: besimi në institucionet publike, transparenca dhe llogaridhënia institucionale, korrupsioni, niveli i përfshirjes qytetare në politikëbërje dhe vendimmarrje, kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve publike dhe zbatimi i ligjeve dhe politikave për mbrojtjen nga diskriminimi. Sondazhi është zhvilluar duke përdorur një metodologji, pyetësor dhe mbulim kombëtar të ngjashëm.
d.b/shqiptarja.com