Dalin detaje të reja nga hetimet për ndjekjen dramatike në Milano që përfundoi me vdekjen e efektivit të policisë lokale Francesco Imprezzabile. Rindërtimi i bërë nga hetuesit, bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura deri tani, tregon se Audi Q8 që drejtohej nga shqiptari Genti Berisha arriti shpejtësi deri në 180 kilometra në orë gjatë arratisjes nga policia.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës, kur patrullat i bënë shenjë të ndalonte një Audi Q8 me qira në zonën e Ponte Lambro, pranë aeroportit Linate. Sipas hetimeve, në vend që t'i bindej urdhrit të policisë, Berisha tentoi fillimisht të bënte kthim sapo pa postbllokun. Në atë moment, efektivi Francesco Imprezzabile iu afrua me motoçikletën e shërbimit, aktivizoi sirenën dhe i bëri shenjë të ndalonte.

Por automjeti nuk ndaloi, i dha gaz dhe kështu nisi arratisja.

Për pak minuta, makina përshkoi rreth dy kilometra e gjysmë me shpejtësi shumë të lartë, nga via Vittorini deri në via Milano në Peschiera Borromeo. Sipas rindërtimit të hetuesve, gjatë ndjekjes makina kreu disa parakalime të rrezikshme dhe në një segment të rrugës hyri edhe në kah të kundërt, duke u përpjekur t'u largohej motoçikletave dhe patrullës së policisë që e ndiqnin.

Ndjekja mori fund në mënyrë tragjike. Në një kthesë majtas, motoçikleta e drejtuar nga 39-vjeçari Francesco Imprezzabile doli nga rruga dhe u përmbys. Efektivi pësoi plagë shumë të rënda dhe ndërroi jetë sapo mbërriti në spitalin Niguarda.

Sipas mediave italiane, kur kolegët mbërritën në vendin e aksidentit, motoçikleta ndodhej e përmbysur në anë të rrugës dhe treguesi i shpejtësisë kishte mbetur i fiksuar në 180 kilometra në orë, një element që po analizohet si pjesë e hetimit për të rindërtuar momentet e fundit të ndjekjes.

Në qendër të hetimeve ndodhet shqiptari Genti Berisha, i cili është arrestuar me akuzat për arratisje të rrezikshme dhe vrasje rrugore. Ai vazhdon të mohojë se ka goditur motoçikletën e policit.

"Nuk e kam prekur. Kur më dhanë sinjalin të ndaloja, shtova shpejtësinë dhe parakalova makina të tjera. Pastaj nuk pashë më askënd dhe nuk e kuptova çfarë kishte ndodhur", ka deklaruar ai para hetuesve.

Kjo nuk është hera e parë që Berisha jep versionin e tij për ngjarjen. Një ditë më parë ai kishte deklaruar se nuk ndaloi në postbllok sepse kishte me vete një sasi të vogël hashashi dhe kishte frikë nga pasojat, pasi ndodhej nën masën e detyrimit të paraqitjes.

"Kisha me vete pak hashash. Nuk doja telashe", ishte shpjegimi që ai u dha hetuesve. Berisha ka kërkuar edhe falje për vdekjen e efektivit, duke u shprehur se i vjen keq për familjen e tij dhe për shtetin italian, por autoritetet po verifikojnë nëse deklarimet e tij përputhen me provat e mbledhura.

Pas aksidentit, 26-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes. Pas një nate kërkimesh intensive, policia e arrestoi në një banesë në Monza, ndërsa Audi Q8 u gjet i braktisur në Pioltello. Bashkë me të u ndalua edhe një tjetër shtetas shqiptar, Andrea P., 30 vjeç, i cili tashmë është gjithashtu nën hetim.

Sipas hetimeve, pak orë pas aksidentit Berisha kishte dërguar një mesazh me vendndodhjen e automjetit duke shkruar: "E parkova këtu". Ky komunikim është tashmë pjesë e dosjes hetimore.

Autoritetet italiane po hetojnë edhe rrugën që ndoqi automjeti deri sa përfundoi në përdorimin e Berishës. Audi Q8 kishte kaluar përmes disa kontratave qiraje mes kompanive të ndryshme dhe dy administratorë të kompanive të fundit që e kishin në administrim automjetin janë vënë nën hetim për favorizim, pasi dyshohet se kanë dhënë deklarime kontradiktore gjatë marrjes në pyetje.

Emri i Genti Berishës ishte bërë i njohur për autoritetet italiane edhe më herët. Vitin e kaluar ai u arrestua në Shqipëri në kuadër të operacionit "Icaro", hetimi i Prokurorisë së Brescias që kishte në qendër trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Sipas autoriteteve italiane, operacioni goditi klanin Çela, ndërsa Berisha rezulton i përfshirë në atë hetim.

Ndërkohë, hetuesit vijojnë të analizojnë pamjet filmike, ekspertizat mbi automjetet dhe të gjitha provat e mbledhura për të përcaktuar me saktësi dinamikën e ndjekjes dhe për të kuptuar nëse manovrat e kryera nga Audi Q8 kanë ndikuar drejtpërdrejt në aksidentin ku humbi jetën efektivi Francesco Imprezzabile./CorrieredellaSera

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë