PRISHTINË, 29 Janar/ATSH/.- Presidentja Atifete Jahjaga dekretoi sot ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, të miratuar në seancën plenare të Kuvendit te Republikës së Kosovës, më 19 janar 2015.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Jahjaga thekson se "sot dekretova Ligjin nr. 05/L-008 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-035 për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, të miratuar në seancën plenare të Kuvendit te Republikës së Kosovës, më 19 janar 2015.
Qëllimi i këtij ligji është që t'i japë kohë dhe hapësirë qeverisë së Republikës së Kosovës të parandalojë likuidimin e Trepcës, kësaj pasurie të patjetërsueshme të Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe të krijojë kushtet që do të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës".
"Shpresoj që ky ligj do t'i mundësojë qeverisë dhe kuvendit të Kosovës të gjejnë zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme për këtë aset vital të Republikës së Kosovës, që do të rrisë prosperitetin e të gjithë qytetarëve të saj",shprehet Jahjaga./k.s/







