Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar "Prishtina 2015" që po organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, nga data 29 prill deri më datën 2 maj 2015.
"Mbajtja e këtij panairi, ku po marrin pjesë rreth 150 biznese nga vendi, rajoni dhe bota është një tregues i mirë për të parë kahun pozitiv të zhvillimit, të cilin kanë marrë ndërmarrjet e sektorit privat në vendin tonë", tha Presidentja Jahjaga në takim me ndërmarrësit.
Presidentja Jahjaga shtoi se, Kosovës i duhen më shumë histori suksesi dhe inkurajoi ndërmarrësit vendorë dhe të huaj që të vazhdojnë afarizmin dhe investimet e tyre në Kosovë e të vazhdojnë të jenë shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik, punësimit dhe eksportit, duke i siguruar ata se mbështetja e institucioneve të vendit nuk do të mungojë.
Në emër të Odës Ekonomike të Kosovës dhe ndërmarrjeve pjesëmarrëse, kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu e falënderoi Presidenten për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që po i bën zhvillimit të sektorit privat dhe promovimit të zhvillimit ekonomik të vendit.
/atsh/