Jahjaga takon delegacion e OKB-së
kundër zhdukjes së personave

Jahjaga takon delegacion e OKB-së<br />kundër zhdukjes së personave
PRISHTINË- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të Grupit të Punës të Kombeve të Bashkuara kundër zhdukjes me forcë, të udhëhequr nga Airel Dulitzky, që po qëndron në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit në një mision faktmbledhës për çështjen e personave të pagjetur.

Duke theksuar se që prej 15 vjetësh nga përfundimi i luftës Kosova vazhdon të përballet me çështjen më të rëndë të mbi 1700 qytetarëve të saj të pagjetur, Presidentja Jahjaga theksoi domosdoshmërinë që sa më parë të zbardhet fati i tyre, me qëllim të përmbylljes së një plage të rëndë në shoqëri dhe që familjet e të pagjeturve të gjejnë paqen e tyre. "Zbardhja e fatit të të pagjeturve do të vendosë edhe paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin e Ballkanit dhe do të ndihmojë edhe në krijimin e kushteve për ndërtimin e mirëbesimit dhe pajtimit mes njerëzve", u shpreh Jahjaga.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka treguar konstruktivitet në çështjen e të pagjeturve dhe theksoi se "bashkësia ndërkombëtare duhet të kërkojë nga autoritetet në Serbi që të rrisin shkallën e bashkëpunimit me qëllim të zgjidhjes së fatit të të gjithë të pagjeturve". Presidentja Jahjaga theksoi se krahas zbardhjes së fatit të të pagjeturve, duhet të vendoset edhe drejtësia për të gjitha familjet e të pagjeturve.

Kryesuesi i Grupit të Punës të Kombeve të Bashkuara Kundër Zhdukjes me Forcë, Airel Dulitzky, e njohu Presidenten Jahjaga se qëllimi i këtij misioni faktmbledhës është njohja nga afër me çështjen e të pagjeturve në gjithë rajonin e Ballkanit, si dhe sfidat me të cilat përballen vendet që kanë qytetarë të tyre të pagjetur, si pasojë e konflikteve të armatosura. Ai tha se "qëndrimi i OKB-së është që sa më parë të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet e tjera të rajonit, të cilët kanë kaluar nëpër konflikte të armatosura, drejtësia të jap fjalën e saj dhe viktimat e familjarët e tyre të gëzojnë përkujdesjen e shoqërisë". "ATSH"

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Rama publikon pamjet e pushuesve në plazh dhe ironizon: Jala plot me patronazhistë

VIDEO/ Rama publikon pamjet e pushuesve në plazh dhe ironizon: Jala plot me patronazhistë