Jahjaga viziton Novobërdën,
Kaçanikun dhe Hanin e Elezit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, edhe sot vazhdoi vizitat e saj nëpër komuna. Sot, presidentja zhvilloi vizita në Komunën e Novobërdës, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit.

Këto vizita janë duke u zhvilluar në kuadër të nismës për fuqizimin e zhvillimit ekonomik, përkrahjes së bizneseve vendore dhe krijimin e kushteve për investimet e huaja në vendin tonë.

E shoqëruar nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi, presidentja vizitoi fillimisht komunën e Novobërdës, ku u prit nga kryetari i komunës, Svetislav Ivanovic.

Sipas komunikatës, ai e njoftoi Jahjagën dhe drejtuesit e odave ekonomike me specifikat e zhvillimit të komunës që drejton, me hapat e ndërmarrë në drejtim të përkrahjes së bizneseve, por edhe me problemet me të cilat përballet komuna dhe bizneset që aktivitetin e zhvillojnë në këtë rajon.

Në vazhdim, Presidentja Jahjaga shkoi për vizitë në komunën e Kaçanikut. Kryetari i komunës, Besim Ilazi u ndal te gjendja e përgjithshme në komunën që drejton, raste specifike të punës së bizneseve, por edhe vështirësitë e problemet me të cilat përballen ato, duke kërkuar mbështetje si nga institucionet qendrore, ashtu edhe nga organizimet që përfaqësojnë bizneset, për të siguruar një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik, që do të mundësonte më shumë vende pune dhe mirëqenie për banorët.

Pas takimit, presidentja vizitoi fabrikën “Kivo” në këtë qytet, e cila prodhon ambalazhe fleksibile plastike, e ndërtuar me kapital holandez-kosovar.

Drejtuesit e saj e njoftuan Jahjagën me punën që kryhet në këtë fabrikë, perspektivën e investimit holandez-kosovar dhe vështirësitë me të cilat përballen. Ndërsa, komuna e tretë ku qëndroi sot presidentja është ajo e Hanit të Elezit.

Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun i presidencës njofton se Rufki Suma, kryetar i kësaj komune, paraqiti gjendjen e përgjithshme në komunë. Ai foli gjithashtu për problemet me të cilat përballen bizneset që veprojnë në këtë komunë dhe përpjekjet e pushtetit lokal për t’i dalë në ndihmë atyre.

Pas vizitës në Han të Elezit, Jahjaga tha se, si në komunat e tjera, edhe në Han të Elezit ka hasur në problematika dhe sfida të njëjta, me të cilat përballen komunat.

“Ato çfarë dëgjuam, sidomos sa i përket sfidave, nuk ndryshojnë edhe aq shumë prej komunave të tjera, që kryesisht ndërlidhen me aspektin e pronave, me aspektin e procedurave burokratike dhe po ashtu probleme të tjera të sundimit të mirëfilltë të rendit dhe ligjit dhe veçanërisht të luftës efikase kundër korrupsionit”, ka theksuar presidentja.

Në sajë të kësaj, presidentja konsideron se specifikë e kësaj komune dhe komunës së Kaçanikut, që e vizitoi më herët, është përqindja e madhe e rinisë, që është specifike në gjithë vendin tonë. Por, sipas Jahjagës, në këto komuna është më e theksuar përqindja e rinisë duke shprehur interesimin që t’i kushtojë një rëndësi më të madhe hapjes së perspektivës më të madhe për të rinjtë, që ata të mos e shohin të ardhmen e tyre sidomos në ato kauza të cilat jo vetëm janë rrezik për sigurinë tonë kombëtare, por janë rrezik edhe për vetë jetën e tyre.

Sipas saj, sektori privat ka një rol të rëndësishëm në këtë, që të ofrojë një perspektivë më të mirë për të rinjtë

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij