TIRANË - Një deklaratë dhe kundërvënie në distancë mes Nikolin Jakës dhe deputetit socialist, Erion Braçe (në foto). Kryetari i Dhomës së Tregtisë sot, pasi zgjedhjet përfunduan dhe pritet formatimi i qeverisë së re, ka kërkuar që qeveria Rama të ulet me biznesin për të dalë nga kriza dhe është e detyruar t’i paguajë biznesit 220-215 milionë euro borxhe për vepra publike.
Ndërkohë, ka reaguar në Facebook, deputeti socialist Erion Braçe, i cili i është përveshur me akuzat se zotit Jaka i ka ardhur goja dhe se deri dje as i zinte dot emrin në gojë Berishës, por e quante vetëm kryeministër dhe as që guxonte ta mendonte e jo më t’i kërkonte borxhet, që shteti u kishte bizneseve.

REAGIMI I NIKOLIN JAKËS
“Qeveria Rama të ulet paraprakisht, të hartojë një strategji të qartë për daljen nga kriza dhe sidomos në kontekstin e shërbimit ndaj biznesit të qartësojë afatet se kur do të shlyhen detyrimet që ka qeveria dhe buxheti i shtetit ndaj sipërmarrjes private.

Rritja është thelluar, gjatë dy muajve shkon nga 8 në 10 për qind; mund të shkojë 220-215 milionë euro, një detyrim i cili parashikohet që mund të jetë ndaj sipërmarrjes për vepra publike dhe shërbime, pa futur shifrat e kompensimit tatim-fitim, TVSH-ja apo taksa të tjera, që qeveria është e detyruar të likuidojë ndaj biznesit”, është shprehur Jaka për Tch.

REAGIMI I ERION BRAÇES
“E mbani mend shefin e Dhomës se Tregtisë së Tiranës? Quhet Nikolin Jaka. E keni dëgjuar ndonjëherë t’i thotë Sali Berishës ndryshe nga kryeministër? Tani i thotë kryeministrit të ri, thjesht Rama.

Jo vetëm kaq. Por tani kërkon me tërsëllëmë dhe paratë që Berisha ua mori borxh. E keni dëgjuar ndonjëherë të kërkojë pagimin e parave të papaguara nga qeveria e Sali Berishës? Kurrë! Nuk guxonte as ta mendonte. Kurrë nuk e dëgjova një herë të vetme në takimet e Berishës të kërkonte paratë.

Por, tani i ka ardhur goja dhe kërkon edhe afate për kthimin e parave. Dy vite me radhë harxhova për t’ju kërkuar këtyre të dhëna për paratë që qeveria e Sali Berishës ju kishte pa paguar. ‘Jooooo, s’na ka borxh’-thoshin. Ndërkohë, me paratë e tyre paguanin punët elektorale të Sali Berishës. Ja këta janë. PS bëri t’u vijë goja”.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)