JAPONI- Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe u zotua se qeveria do të marrë masa të forta në ndalimin e rrjedhjeve të ujit radioaktiv në centralin bërthamor të Fukushimës.
 
"Kjo është një çështje urgjente që duhet të adresohet", tha Abe për gazetarët.
 
Të mërkurën, një zyrtar i qeverisë tha se deri në 300 ton ujë radioaktiv mund të rrjedhin në det çdo ditë.
 
Ndërkohë një propozim është duke u marrë në konsideratë për të ngrirë terrenin përreth uzinës.
 
Kompleksi bërthamor është dëmtuar rëndë nga tërmeti dhe tsunami i vitit 2011, dhe kohët e fundit ka pësuar një seri rrjedhjesh dhe problemesh funksionimi.
 
Megjithatë, kompania që menaxhon impiantin, TEPCO, tha se kjo shifër ishte vetëm një hamëndje dhe se nuk është e qartë se sa ishin përmasat e ujit të kontaminuar të derdhur në det.
 
Qindra çisterna janë ngritur në kompleks për të depozituar ujin e kontaminuar të përdorur për të ftohur bërthamat e nxehura të reaktorit.
 
Qeveria është duke diskutuar propozimet për të ndërtuar një mur të ngrirë rreth ndërtesave të reaktorit për të parandaluar rrjedhjet e mëtejshme.
 
Raportet sugjerojnë se kjo mund të kushtojë deri në 400 milionë dollarë.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)