Një performancë e fuqishme dhe emocionuese, që rikthen thelbin e flamenkos tradicionale ka qenë shfaqja e djeshme “Recóndito” nga Lucía La Bronce në Tiranë. Në një skenografi të thjeshtë, pesë artistë ndërthurin kërcimin, këngën, kitarën dhe perkusionin, duke krijuar një atmosferë intime, autentike dhe plot emocione. Aktiviteti është pjesë e Javës Kulturore të Spanjës, pjesë e së cilës janë edhe koncerte, prezantime letrare, filma bashkëkohorë spanjollë dhe një udhëtim gastronomik me tapas tradicionale, sangria dhe paella.

“Kjo javë është një festë e miqësisë midis Spanjës dhe Shqipërisë. Përmes artit, letërsisë, kinemasë dhe gastronomisë, ne ndajmë me ju shpirtin e kulturës sonë.”, tha ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura

Festimet do të mbyllen me një koncert klasik spanjoll në kitarë nga kitaristi Denis Bizhga.

“Kitara spanjolle është më shumë se një instrument. Është zëri i historisë sonë dhe muzika e saj do të ofrojë një fund të përsosur dhe shpirtëror për festën.”, vijoi ambsadori. 

Por, sigurisht, flamenkoja është në zemër të shpirtit spanjoll, ndërsa Lucía La Bronce, me pasionin dhe fuqinë e saj skenike, solli në Tiranë frymën e Andaluzisë dhe emocionin e një arti që flet me trupin dhe shpirtin.