Inter Miami njoftoi se ka emëruar legjendën e Argjentinës dhe FC Barcelonës, Javier Mascherano si trajner kryesor, duke e nënshkruar me të një kontratë deri në sezonin 2027 në MLS.
Mascherano do të pasojë në stol një emër të njohur si Tata Martino, që u largua pak ditë më parë. 40-vjeçari do të gjejë ish-shokët e skuadrës te Barcelona, si Leo Messi, Jordi Alba, Sergi Busquets dhe Luis Suarez, të cilët tashmë janë pjesë e Inter Miami.
Argjentinasi bashkohet pas një periudhe si trajner i Kombëtares U-20 dhe Olimpike të Argjentinës dhe do të marrë përgjegjësitë e trajnerit në Inter Miami pas marrjes së dokumentacionit të punës. Mascherano filloi trajningun kur u emërua trajner i Kombëtares U-20 të Argjentinës në dhjetor 2021, pas një karriere të shkëlqyer si lojtar.
Me të rinjtë e Argjentinës, ai ishte trajner në disa turne të mëdhenj ndërkombëtarë, duke përfshirë Lojërat Olimpike 2024. Gjatë karrierës, ish-mbrojtësi dhe mesfushori luajti për klube si Liverpool dhe Barcelona, ku fitoi të gjithë trofetë e mundshëm.
Mes emrave që Inter Miami kishte në listë për postin e trajnerit ishin edhe ata të Sylvinhos dhe Xavit.