Siç ndodh gjithmonë në samitet e mëdha, jo çdo gjë mund të parashikohet. Dhe nëse samiti i Pekinit rezultoi në fund me përmasa historike, një copëz historie për vete arriti të rrëmbejë edhe djali gjashtëvjeçar i Elon Musk, Lil X (emri i plotë: X Æ A-Xii).

Djali u shfaq në takimet zyrtare në korridoret e Pallatit të Popullit krah të atit, i cili pëlqen ta ketë gjithmonë pranë, i veshur me një jelek mëndafshi bojëqielli, të qëndisur, me stil bashkëkohor por të frymëzuar nga dinastia Tang. Por mbi të gjitha, ai mbante një çantë krahu në formë koke tigri, të punuar me dorë. Rezultati? Kinezët u çmendën pas tij.

Ata e adhuruan vogëlushin, paksa të padisiplinuar, vlerësuan respektin që i ati tregoi ndaj kulturës vendase dhe pamjet u bënë virale.

Me një zhvillim po aq të papritur në planin tregtar — temë, duhet thënë, jo fort e lehtë këto kohë mes dy vendeve — prodhuesit e çantës artizanale në formë tigri dhe të jelekut u gjendën të papërgatitur përballë një kërkese të papërmbajtshme. Të dy produktet u shitën plotësisht brenda pak orësh.

Çanta prodhohet nga Yastee, një markë artizanati popullor e krijuar 19 vjet më parë, me seli në Guangxi të Kinës, një rajon autonom jugor pranë kufirit me Vietnamin. Ky stil tipik kinez quhet “Hǔtóu” (“koka e tigrit”), lehtësisht i dallueshëm në ikonografinë tradicionale të artit popullor kinez, me një prekje moderne sipas tendencës “Guochao” (“moda kombëtare”).

Zgjedhja e kujdesshme e Musk për djalin e tij nuk duket rastësore: në kulturën kineze, e mbushur me besëtytni, rrobat tradicionale me figurën e kokës së tigrit u vishen fëmijëve për të larguar shpirtrat e këqij, për t’i mbrojtur nga sëmundjet dhe për të sjellë fat, forcë dhe shëndet.

Pikërisht për këtë arsye, platformat që kishin ende produktin në magazinë u “sulmuan” nga blerësit deri në shterimin e stokut. Madje, menjëherë më pas hynë në lojë koleksionistët, të cilët pushtuan tregjet e rishitjes online. Çmimi i objektit ishte rreth 39 euro, por për shkak të karakterit të tij unik artizanal, shumëkush donte pikërisht serinë nga e cila ishte blerë çanta e Lil X, duke paguar edhe dhjetëfishin e çmimit.

Vetë vogëlushi u shfaq krejtësisht i qetë, ndoshta edhe falë emrit të tij tepër të veçantë, plot elementë simbolikë që i magjepsin kinezët, gjithmonë të interesuar për kuptimin e fshehur të gjërave.

Emri përmbledh një homazh ndaj matematikës, inteligjencës artificiale dhe industrisë së hapësirës — fusha e re ku Elon Musk po investon energjitë e tij. X përfaqëson të panjohurën më të përdorur në matematikë; Æ lidhet me revolucionin e inteligjencës artificiale; ndërsa A-Xii i referohet avionit futurist të zbulimit Lockheed A-12, të ndërtuar në vitin 1967 për CIA-n, i aftë të fluturonte me shpejtësi Mach 3 (3.540 km në orë, tri herë më shpejt se zëri), dhe i tërhequr nga përdorimi në vitin 1968.

Problemi ishte se ligji i Kalifornisë nuk lejon regjistrimin e emrave me numra, ndaj “12” u shndërrua në “Xii”, si një homazh indirekt ndaj latinishtes.

E vetmja pikëpyetje për supersticionin kinez lidhet me pjesën e emrit që i kushtohet inteligjencës artificiale: a mos vallë ajo ka sjellë ters në vend të fatit? Ndoshta po.

Për Musk, në frontin e IA-së, deri tani ka pasur më shumë probleme sesa suksese, si në biznes, ashtu edhe në imazh publik. Sipërmarrësi vizionar u largua nga OpenAI (ChatGPT), ku kishte investuar, për të ndjekur një projekt të vetin. Ai nuk e priti mirë faktin që Sam Altman, një nga bashkëthemeluesit, ndryshoi statusin e organizatës nga “jo fitimprurëse” në “fitimprurëse”.

Duke ndjekur stilin tipik trumpian, Musk e çoi menjëherë në gjykatë ish-mikun dhe bashkëinvestitorin e tij. Gjatë javëve të fundit, në sallën e gjyqit janë dëgjuar histori nga më të ndryshmet.

Në bankën e dëshmitarëve kanë kaluar figura legjendare të teknologjisë kaliforniane, përfshirë edhe Satya Nadella, CEO i Microsoft. Musk e ka akuzuar Altmanin se është “gënjeshtar patologjik”, por ndër episodet më të pazakonta të dala gjatë dëshmive ishte edhe ai për dhurimin e spermës së Musk për të ngjizur Shivon Zilis, partneren e tij aktuale — një marrëdhënie po aq e pazakontë.

“E njoha në bordin drejtues të OpenAI,” – ka dëshmuar Musk. – “Meqë nuk kishte fëmijë, i ofrova spermën time që të mund të mbetej shtatzënë dhe të bëhej nënë. Kështu ndodhi, dhe lindën katër fëmijë.”

Problemi është se kur Musk dhe Altman nisën konfliktin e tyre, Zilis u detyrua të hiqte dorë nga posti në bord për të shmangur një konflikt të dukshëm interesi.

Juria tani është në diskutim dhe pritet një vendim së shpejti.

Një tjetër element që ka ngjallur kureshtjen e kinezëve është fakti se nëna e Lil X (emër që në anglisht tingëllon si “Lily” – zambak) nuk është Zilis, një investitore e diplomuar në Yale për biznes dhe filozofi, por këngëtarja dhe muzikantja Grimes.

Me një detaj të veçantë: si Zilis, ashtu edhe Grimes, janë të dyja kanadeze.

Edhe mbi domethënien e kësaj “rastësie”, juria e madhe e rrjeteve sociale vazhdon debatin — dhe, edhe aty, ende nuk ka një verdikt./ Corriere della Serra