Emisioni “Mat” në Kosovë ka zbuluar detaje nga vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë nga kunati i saj duke sjellë bisedën mes viktimës dhe efektivit Faruk Muçolli. 49-vjeçarja i drejtohej efektivit duke i kërkuar të zbatonte urdhrin e mbrojtjes që ajo kishte kërkuar ndaj ish-bashkëshortit.

Zekaj i ka shprehur edhe shqetësimin që ndiente për sigurinë e vet dhe të djalit, por nga policia ka marrë reagime shpërfillëse.

“Sa herë po vjen e kërkon Farukin, po të del Faruki. Nuk jam i detyruar, bindu se nuk jam”, i ka thënë Faruk Muçolli.

Arlinda Zekaj: “U shkatërrua shëndeti mendor i djalit tim, nuk keni vepruar aspak.”

Faruk Muçolli: A ke paraqit ankesë ndaj nesh? Të kam thënë nuk jam i detyruar të merrem me ty. Atë moment që dyshon që ne nuk jemi në rregull, ke të drejtë të paraqesësh ankesë, edhe ne jemi lodhur. E kemi detyrim të të çojmë deri te dera e shtëpisë.

Arlinda Zekaj: Të lutem, unë vritem, nuk ka lidhje, po ju do të përgjigjeni! Krejt gratë që janë vrarë kështu janë përgjigjur pasi janë vrarë, a po?

Faruk Muçolli: Unë më ty nuk kam për të të pranuar, nuk e kam obligim.

Në deklaratën e saj në polici, Arlinda Zekaj ka rrëfyer me detaje me çfarë përballej brenda mureve të asaj shtëpie që refuzonte aq shumë të shkonte nëse nuk dilnin familjarët e ish-burrit. Ajo shprehej se ata e keqtrajtonin, kishin ndërprerë energjinë elektrike dhe shfaqnin sjellje agresive.

“Bashkëjetesa me ta është e pamundur dhe ata nuk mund të qëndrojnë në shtëpinë time as si mysafirë. Ata po më kërcënojnë, nuk më lejojnë të siguroj as ushqimin dhe ujin e nevojshëm, madje nuk më lejojnë as të shikoj televizor. Për më tepër, po më kërcënojnë me jetë. Furnizimi me energji elektrike është ndërprerë qëllimisht, gjë të cilën e ka konstatuar edhe policia gjatë qëndrimit në shtëpi. Jetoni nuk e ka lejuar djalin tim të hyjë dhe të qëndrojë në shtëpi. Në prani të policisë, ai ka bërtitur dhe ka përdorur fjalë fyese, por, pavarësisht kësaj, policia nuk e ka arrestuar. Policia ka qenë dëshmitare kur ai nuk e ka lejuar djalin tim të hyjë brenda dhe kur djali im ka refuzuar të hyjë për shkak të kësaj situate. Për këtë arsye, nuk është aspak e çuditshme që edhe familjarët e tij po ndërmarrin veprime të tilla kundër meje brenda shtëpisë”, deklaronte Zekaj.

Në një bisedë me një efektiv, Zekaj kërkonte ndërhyrje për të larguar familjarët e ish-burrit që i kishin zaptuar shtëpinë, por nuk arrin të gjejë zgjidhje.

Rreshteri policor: Prokurorja kujdestare thotë se është shënim zyrtar për Prokurorinë. Për momentin nuk është rast, ka mbetur që këto që janë cekur të verifikohen nga kamerat e sigurisë.

Arlinda Zekaj: Pse kamerat e sigurisë? Nuk janë pronar të shtëpisë..

Rreshteri policor: Prokurori udhëzon ç’të bëjmë në një rast.

Arlinda Zekaj: Nuk guxon kështu. Si të shkoj në shtëpinë time kur janë njerëzit e panjohur?

Rreshteri policor: Duhet të bësh padi në gjykatë, padi civile, që t’i dëbosh ata prej shpisë.

Arlinda Zekaj: Të shkojë dikush në shtëpinë tënde, tani të shkosh e t’i gjesh, a i lë aty? Ky është dështim total.

Në një bisedë me të motrën, Arlinda tregon se nuk po arrinte të hynte në shtëpi dhe se nuk e dinte se ku ndodhej djali i saj. Ajo thotë se kishte ndërmend ta thërriste sërish policinë nëse situata përkeqësohej.

“Jo nuk rri policia, po veç le të provojnë le të më prekin edhe tani veç dijeni ju familja ime, edhe e dini ku të drejtoheni, nëse më gjen diçka se unë nuk dal prej shtëpisë sikur ta di që rrotullohet krejt bota. Unë hyj e kyç derën, sikur të më afrohet Jetoni dy metra unë e thërras prapë policinë, do të vijnë orë e çast këta sonte. More duhet të ma japin edhe djalin. Djali nuk e di as ku është.  Motër nuk më lënë të hyj më në shtëpi. Edhe nëse më vrasin, këta do të japin përgjegjësi”, i thoshte ajo.