Kur Jensen Huang u rikthye në selinë e Nvidia-s në Santa Clara të Kalifornisë, punonjësit brohoritën emrin e tij sikur të ishte një yll, aksionet e kompanisë u rritën me vrull në Wall Street dhe Donald Trump u bë edhe më i pasur. Shumë më i pasur. Aq sa demokratët, me Hillary Clinton në krye, dhe disa përfaqësues të Partisë Republikane, mes tyre kongresmeni John Moolenaar, thonë se çështja duhet të hetohet edhe për arsye të sigurisë kombëtare.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka një talent të veçantë për ta kthyer pushtetin politik në përfitim personal. Nga disa anë, përfshirë edhe nga rivalja e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, janë ngritur akuza për tregtim aksionesh duke shfrytëzuar informacion të brendshëm. Këtë herë, fitimi erdhi nga Nvidia, falë rikthimit të bashkëthemeluesit të saj. Vetëm 11 ditë më parë, Huang kishte dhënë dorëheqjen si drejtor ekzekutiv, i përfshirë në një skandal seksi dhe spiunazhi për shkak të një lidhjeje jashtëmartesore me një grua që dyshohet se punonte për shërbimet e inteligjencës kineze. Por, sipas asaj që ka rindërtuar The Wall Street Journal, në mbledhjen e së dielës së kaluar me bordin drejtues, Huang thuhet se ka pranuar se kishte pasur katër lidhje jashtëmartesore. Ai u kërkoi falje punonjësve, tha se po ndiqte terapi dhe pranoi se "biseda me bashkëshorten time ishte më e vështira".

Sa fituan investitorët nga aksionet e Nvidia-s

Sipas përllogaritjeve të analistëve amerikanë, Trump mund të ketë fituar deri në 15 milionë dollarë nga aksionet që zotëron në Nvidia. Në të njëjtën shifër ka dalë edhe një përllogaritje e Financial Times. Gazeta londineze shkruan se ndërhyrja e presidentit amerikan krijon një "precedent të rrezikshëm" dhe tregon një "nivel shqetësues të ndikimit të qeverisë mbi një kompani" të listuar në bursë. Sipas gazetës, kjo ndërhyrje rrezikon gjithashtu t’u krijojë drejtuesve të tjerë të gjigantëve të teknologjisë bindjen se mund të veprojnë pa u ndëshkuar.

Vetë Trump e pranoi hapur se e kishte bindur bordin drejtues të votonte për rikthimin e Huang, pasi i njëjti bord e kishte pranuar njëzëri dorëheqjen e tij. "Kam folur me ta, le ta themi kështu", u mburr Trump. "Dhe i binda, e mbylla marrëveshjen", shtoi ai. Sipas The New York Times, presidenti ia kishte ngarkuar nënpresidentit JD Vance të merrej me çështjen.

Njoftimi për rikthimin e Huang në detyrë qarkulloi para hapjes së bursës së Wall Street-it, në kohën e duhur për të tronditur tregjet financiare dhe për të pasuruar disa investitorë. Në krye të tyre ishte Trump. Sipas të dhënave të zyrës së etikës të Kongresit, presidenti amerikan mund të ketë blerë 370 mijë aksione të Nvidia-s deri më 30 shtator. Të hënën, çmimi i aksioneve u rrit me 31,5%, duke e shtuar me rreth 950 miliardë dollarë vlerën e kompanisë në bursë. Sipas mediave amerikane, falë efektit të rikthimit të Huang, vlera e aksioneve që mendohet se zotëron Trump mund të ketë kaluar 62 milionë dollarë. Raportime të tjera flasin për 86 milionë dollarë.

Këto shifra kanë ngritur shqetësime te Hillary Clinton. "Rikthimi i Huang në detyrë nuk i zhduk kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare. Mbetemi të vendosur të marrim përgjigje", tha ish-sekretarja amerikane e Shtetit.

"A është ky një skandal i sigurisë kombëtare? Po. A është një skandal tregtimi aksionesh me informacion të brendshëm? Po. A është një skandal manipulimi të tregut? Po. Nëse kjo është superinteligjencë, quajeni Supergate", shtoi Clinton./La Repubblica