Jensen: Plotësoni kriteret
të merrni statusin në 2012

Jensen: Plotësoni kriteret <br />të merrni statusin në 2012

TIRANE- Presidenti i Republikës Bamir Topi priti sot paradite në një takim pune ambasadorin danez Karsten Ankjaer Jensen. Takimi është zhvilluar në presidencë, me rastin e marrjes së Presidencës së radhës të Bashkimit Evropian nga ana e Mbretërisë së Danimarkës.

Kryetari i Shtetit theksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është objektivi kryesor i politikës së jashtme shqiptare dhe nënvizoi se për realizimin e kësaj aspirate, duhet angazhimi maksimal i shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij.  “Objektivi ynë është përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë dhe ne shpresojmë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian brenda këtij viti, pasi të kemi plotësuar kriteret e duhura, ku më kryesori është dialogu dhe bashkëpunimi politik institucional.” – theksoi Presidenti Topi duke shtuar nevojën e një bashkëpunim intensiv me Presidencën daneze dhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë.

Kryetari i Shtetit vlerësoi rolin dhe kontributin e Ambasadorit Jensen dhe shprehu bindjen në mbështetjen e plotë të Presidencës daneze për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës, i paraqiti Presidentit Topi përparësitë e programit të presidencës daneze ku një vend të veçantë zë vazhdimësia e procesit të zgjerimit të BE-së, si dhe mbështetja dhe ndihmesa ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në gjirin e familjes evropiane.

”Mbretëria e Danimarkës do të vazhdojë të mbështesë vendin tonë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian duke uruar që Shqipëria të arrijë ta marrë e ta meritojë statusin e vendit kandidat dhe do të ishte një gjë shumë e mirë sikur kjo të ndodhte në këtë vit të njëqindtë të pavarësisë së saj.”- theksoi ambasadori Jensen, njofton zyra e shtypit pranë presidencës.

JENSEN PER PRESIDENTIN
Zyra e shtypit nuk jep detaje nëse gjatë takimit mes presidentit dhe diplomatit danez është diskutuar në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Në një intervistë të botuar pak ditë më parë në revistën “Java” ambasadori danez  u quajti zgjedhjet presidenciale si test i demokracisë shqiptare.
"Duke patur parasysh rolin e Presidencës në ndërtimin konsitucional të Shqipërisë dhe në sigurimin e pavarësisë së institucioneve të tjera, përfshirë Gjyqësorin dhe SHISH-in, zgjedhjet presidenciale do të jenë një test lakmusi i demokracisë shqiptare dhe qëndrimit të Shqipërisë si e tillë. Prandaj, besoj fort se ka shumë rëndësi që Shqipëria të zgjedhë një president të pavarur, të fortë, të panjollosur nga e kaluara apo e tashmja, i pranuar nga të gjithë", deklaroi Jensen.
( ne foto takimi i ambasadorit Jensen me presidentin Topi)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë