TIRANË, 23 Shkurt/ATSH/.- Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, dha sot dorëheqjen nga posti që mban, vetëm pak muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve lokale në vend.
Shkëmbi e bëri publike dorëheqjen përmes një konference për shtyp nga selia e PS-së, ku deklaroi se, dëshiron ta lërë tërësisht të lirë rrugën për zgjedhjen e një kandidati apo kandidateje të re për të vazhduar punën e tij.
"Nuk dua të pengoj dhe as të influencoj në këtë zgjedhje të rëndësishme, aq më tepër në kushtet kur pas riorganizimit territorial, bashkia e re ka një hapësirë shumë më të madhe përgjegjësie dhe sfidash për të përballuar", shprehet Shkëmbi.
Njëkohësisht, ai thekson se kërkon të përcjellë edhe një mesazh modest mirënjohjeje dhe përgjegjshmërie ndaj forcës politike që përfaqëson, i cili mbase mund t'iu vlejë qindra të zgjedhurve që janë votuar falë mbështetjes së PS-së ,por që nuk do të jenë dot më kandidatë.
"Jo vetëm s'kemi lindur për t'u plakur në karriget ku na kanë ulur të tjerët, por kemi detyrimin t'ia kthejmë familjes sonë politike investimin e bërë për ne, me gatishmërinë për të vazhduar t'i shërbejmë qoftë edhe si komisionerë të thjeshtë në zgjedhje", shtoi ai.
Gjithashtu, Shkëmbi shpreh mirënjohjen ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili e mbështeti pa asnjë rezervë në kandidimet e tij. "Edi Rama më ndihmoi me shembullin e tij si kryebashkiak botërisht i vlerësuar për suksesin dhe me këshillat e tij si lideri i socialistëve. Gjithashtu, më bëri të ndjehem pjesëmarrës aktiv i një procesi historik reformimi dhe transformimi të PS-së, çka solli një gjeneratë të re në politikë dhe rikthimin e socialistëve në qeveri pas tetë vitesh të rënda për Pogradecin e për gjithë Shqipërinë", tha Shkëmbi.
Sigurisht që pa PS dhe Edi Ramën unë nuk do të isha dot kryebashkiaku i qytetit tim, vijon Shkëmbi, duke shtuar se nga ana tjetër, pa qytetarët e Pogradecit dhe mbështetjen e tyre të pakursyer për më shumë së një dekade, nuk do të ishte në këtë post.
"Dhashë gjithë çfarë munda e dija, për të bërë më të mirën për qytetin tonë. Jam krenar për gjithçka kemi arritur të ndryshojmë. Jam zemërthyer për disa gjëra që nuk arritëm të bëjmë dot, sepse mundësitë tona financiare nuk na e lejuan dhe Sali Berisha u soll me Pogradecin si armiku më i betuar i historisë së qytetit tonë, duke mos firmosur asnjë qindarkë për projektet e panumërta që i çuam", thekson më tej ai./m.m/








