JERUSALEM, 23 shkurt /ATSH-AFP/ - Shërbimi izraelit i sigurisë së brendshme (Shin Beth) njoftoi sot se kishte arrestuar 11 anëtarë të lëvizjes islamike palestineze të Hamasit në Çisjordaninë e pushtuar duke konfirmuar se ata kishin projektuar atentate.
"Këta militantë me origjinë nga rajoni Hebron, në jug të Çisjordanisë, u arrestuan në muajin janar ndërkohë që ata po përgatiteshin për kryerjen e një sërë sulmesh, duke përfshirë këtu atentate kamikaze", theksoi në një komunikatë Shin Beth.
"Ata kishin parashikuar të sulmonin enklavën ku jetojnë kolonët izraelitë në qendër të Hebronit, një prej qyteteve më të mëdha palestineze të Cisjordanisë", shtoi komunikata.
"Marrja në pyetje e 11 personave të dyshuar ka mundësuar zbulimin e armëve dhe eksplozivëve", shtoi Shin Beth.
Rreth 700 kolonë izraelitë jetojnë në një enklavë në zemrën historike të Hebronit, mbrojtur nga ushtarët. 200 000 banorët palestinezë të qytetit jetojnë në tension të vazhdueshëm për shkak të pranisë së tyre dhe ushtarëve./
/ec/