Policia Kufitare në Vlorë ka bllokuar një mjet lundrues tip Jet Ski, pas raportimeve nga pushuesit se kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë në zonën e Karaburunit, duke rrezikuar jetën e personave që ndodheshin në breg.

Sipas Policisë së Shtetit, ndërhyrja u krye menjëherë pas denoncimeve dhe videos së dërguar nga qytetarët, ku shfaqej mjeti duke lundruar në afërsi të vijës bregdetare në kundërshtim me rregullat e sigurisë.

Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, lokalizuan dhe ndaluan mjetin lundrues teksa po afrohej pranë molit të peshkimit në territorin e SPK Triport.

Mjeti u bllokua në pikën e posaçme të bllokimit të mjeteve lundruese pranë SMIL-it, ndërsa drejtuesi i tij me iniciale E.U., u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj.

Policia e Shtetit u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve përgjatë vijës bregdetare gjatë sezonit turistik.