Flakët kanë përfshirë një banesë në fshatin Adë të Fierit, duke shkaktuar dëme të shumta materiale.
Zjarri dyshohet se u shkaktua nga një shkëndije elektrike, ndërsa e moshuara Arsino Taulla 65 vjeçe, e cila jetonte e vetme arriti të shpëtojë pa lëndime.
Të afërmit kërkojnë nga bashkia e Fierit ta strehojë të moshuarën dhe të kompensojë për dëmet në banesë.
“Zjarri ka rënë rreth orës 10:00 të ditës së sotme. Më lajmëron komshiu hajde se ka rënë zjarri në shtëpinë tënde, kur vij shoh që zjarri kishte rënë në shtëpinë e kunatës time. Shyqyr që shpëtoi! Arsinoja jeton e vetme se çunat janë larguar jashtë vendit. Dëmit janë shumë të mëdha në banesë. i lutemi shtetit, bashkisë të vërë dorë mbi të se ne jemi hallexhinj për vete…”, tha kunati i saj.
“Erdha këtu, ishte tmerr e gjithë shtëpia kishte marrë flakë. Erdhi zjarrfikësja dhe u shua zjarri, por shtëpia është shkatërruar plotësisht. Arsinoja është e vetme, vajza e ka të martuar në Fier dhe djemtë ne emigrim. Normal që ka nevojë për ndihmë”, tha një tjetër i afërm.