Shërbimet e check-up-it dhe dializës do të ofrohen nga vetë shteti. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e cila pas mbledhjes së qeverisë njoftoi se, me përfundimin e kontratave koncesionare në vjeshtë, shërbimi i check-up-it, i ofruar prej vitit 2015 nga kompania 3P Life Logistic, si edhe ai i dializës, që aktualisht ofrohet nga DiaVita, do të kalojnë në administrimin e sektorit publik dhe kontratat me privatët nuk do të rinovohen më.

“Shërbimi i check up dhe i dializës që përkatësisht përfundojnë në shtator dhe në nëntor të ofruara për momentin nga koncesesionari merren në dorëzim dhe ofrohen nga shteti”, tha ministrja Sala.

Me një tjetër vendim të miratuar nga Këshilli i Ministrave, nga muaji shtator hiqet edhe kufiri maksimal i moshës për check-up-in. Kjo do të thotë se për herë të parë kontrolli shëndetësor falas do t'u ofrohet edhe qytetarëve mbi 70 vjeç, ndërsa përfitues do të jenë të gjithë personat mbi 35 vjeç.

"Për herë të parë hiqet tavani moshor për shërbimin e check-up-it... Qytetarëve mbi moshën 70 vjeç do t'u ofrohet nga shtatori shërbimi i check-up-it falas”, tha ministrja.

Një tjetër vendim i rëndësishëm i qeverisë ishte krijimi, për herë të parë, i Institutit Kombëtar të Tumoreve. Sipas ministres Sala, ai do të ndërtohet sipas modelit të Institutit të Tumoreve të Milanos dhe do të funksionojë në ambientet aktuale të shërbimit të Onkologjisë në QSUT.

Instituti do të ketë tre shtylla kryesore veprimi: trajtimin e pacientëve, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Ai do t'u japë pacientëve shqiptarë mundësinë të bëhen pjesë e studimeve klinike ndërkombëtare, të kenë akses në barna inovatore dhe do t'i mundësojë Shqipërisë aplikimin për fonde europiane në fushën e onkologjisë.

“Shqipëria për herë të parë do të ketë një Institut Kombëtar të Tumoreve, një Institut Kombëtar të Tumoreve sipas modeleve europiane kemi marrë si shembull modelin e Institutit Kombëtar të Tumoreve të Milanos. Ky institut do ketë tre fusha veprimi. Fushën klinike që sigurisht përfshinë shërbimet e kirurgjisë së tumoreve, kimi radioterapisë, fushën e mësimdhënies që është pjesë organike e Universitetit Mjekësor të Tiranës, por dhe një fushë të re, fushën kërkimore shkencore e para e këtij lloji në Shqipëri”, tha Sala.

Lajmi në përditësim....