Valët e emigrimit kryesisht të moshave të reja do të vijojnë me një intensitet të lartë edhe në periudhat në vijim. Një sondazh për Potencialet e Emigrimit i mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert zbuloi ketë javë se mbi 52 % e popullsisë në grupmoshën 18 – 40 vjeç dëshiron të emigrojnë nga Shqipëria, me një rritje me 8 pikë përqindje në krahasim me 2007.
Vrojtimi i profesorëve Gëdeshi-King zbuloi trende të reja të emigrimit, ku vala e ikjeve ka përfshirë qytetet me nivel më të lartë jetese. Gjysma e personave që marrin paga nga 1000-1400 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të ikin sërish
Rikthimi i flukseve të larta të emigrimit vitet e fundit është vetëm maja e ajsbergut të asaj që pritet të ndodhë. Rezultatet e frikshme të anketimeve të fundit, ku më shumë se gjysma e popullsisë së vendit dëshiron të largohet dhe tashmë ka nisur përgatitjet për këtë proces, ndoshta është përgjigjja më e saktë se Shqipërisë nuk po i shkojnë punët aspak mirë.
Vala e fundit e emigrimit është më dramatike dhe po rrezikon ta çojë vendin drejt “shuarjes”, pasi eksodi ka përfshirë qytete të mëdha si Vlora, Tirana Durrësi dhe Elbasani, kurse ata që duan të ikin janë individë në punë me paga të larta dhe të mirarsimiuar – fenomene që nuk ishin vërejtur në vrojtimin e vitit 2007. Përpos arsyeve ekonomike për të emigruar, mungesa e shpresës se situata në Shqipëri do të përmirësohet për mirë është një faktor që ka shënuar rritje krahasuar me 10 vite më parë.
Profesorët Ilir Gëdeshi dhe Russell King nëpërmjet Qendrës për Kërkime Sociale dhe Ekonomike, me kërkimin e tyre mbi emigracionin ndër vite, kanë gjetur së fundi trende të reja të fenomenit dhe shkaqeve të flukseve të larta të emigracionit. Së fundmi, ata prezantuan një kërkim mbi emigrimin potencial, i cili u mbështet nga Fondacioni Friedrich Ebert. Sipas të dhënave të anketës së këtij viti, 52% e popullsisë shqiptare të grupmoshës 18 – 40 vjeç, dëshirojnë të migrojnë nga Shqipëria, në krahasim me anketën e vitit 2007, ku 44.2% e kësaj grupmoshe donte të emigronte.
Ata e fokusuan anketën dhe kërkimin e tyre vetëm në popullsinë 18-40 vjeç, pasi këto përbëjnë potencialin më të lartë për emigrimin. Anketa përfshiu 1436 intervista në të gjithë vendin dhe u zhvillua gjatë periudhës shkurt-korrik të këtij viti. Me herët anketa të tjera mbi potencialet e emigrimit si ajo e Gallup vitin e kaluar, që janë shtrirë në të gjithë popullsinë, kanë gjetur shifra më të larta të dëshirës për t’u larguar mbi nivelin 56%.
Profesor Gëdeshi tha se dëshira për të migruar në këto përmasa lidhet me përfytyrimin që kanë njerëzit për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Nga njëra anë, ai është një reflektim i gjendjes reale ekonomike, sociale e politike në vendin e origjinës, dhe nga ana tjetër, i mundësive potenciale në vendin pritës. Vrojtimi tregoi se, rreth 50% e personave që marrin paga nga 1000-1470 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të largohen sërish.
Nis zbrazja e Vlorës, Tiranës, Elbasanit…
Vlora, Elbasani, Tirana, Berati, Lezha, Fieri dhe Durrësi janë evidentuar si qarqet me potencialet më të larta të emigrimit, në anketën e vitit 2018 të Gëdeshi-King. Dëshira për të ikur është e lartë për qytetarët e Vlorës, ku 66.7% e qytetarëve i kanë thënë po emigracionit, të ndjekur nga elbasanllinjtë, ku mbi 57% e tyre duan të emigrojnë dhe po në këtë masë, kanë dëshirë të ikin nga Shqipëria edhe qytetarët e Tiranës. Kryeqyteti, i cili ka të ardhurat për frymë mbi mesataren kombëtare dhe ofron mundësi më të larta jetese, renditet i treti në 12 qarqet e vendit për potenciale të larta të emigrimit.
Anketa ka evidentuar se duan të emigrojnë 56% e beratasve, 54.8% e lezhjanëve, 52.7% e fierakëve, 51.6% e durrsakëve dhe 50% e shkodranëve. Potencialet më të ulëta për emigrim në raport me mesataren kombëtare u vunë re në Qarkun e Dibrës me 21.7%, në Gjirokastër me 23.2%, në Korçë me 40.7% dhe në Kukës me 41.2%. Përqindja më e ulët e potencialeve për emigracion në këto qarqe reflekton zbrazjen e këtyre qyteteve nga migrimi i brendshëm dhe emigracioni i lartë që kanë pësuar në të shkuarën.
Në vitin 2007, kur profesor Gëdeshi bëri anketën për emigrimin potencial, gjeti se tendenca për t’u larguar ishte më e theksuar në të rinjtë e pakualifikuar dhe me nivel të ulët arsimor, kryesisht nga zona e varfra (Kukësi) dhe kufitare (Korça, Gjirokastra) të vendit ishin më të prirë të migronin. Kjo tendencë nuk vërehet në anketën e vitit 2018. Migrimi potencial është më i lartë nga qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë, Berat, etj., dhe më i vogël në qarqet e varfra (Kukës, Dibër) dhe kufitare të vendit (Korça, Gjirokastra).
Planifikojnë të ikin në tre vitet në vijim
Profesor Gëdeshi shpjegoi se potencialet e emigrimit nuk përkthehen në emigrimin real, pasi dëshirës për të ikur shpesh nuk i përgjigjen mundësitë. Të dhënat e anketës 2018 treguan se 17.2% e shqiptarëve të grupmoshës 18 deri në 40 vjeç ose 33.1% e atyre që shprehin dëshirën për emigrim mendojnë të ikin brenda vitit. Ndërsa 16.7% e shqiptarëve të kësaj grupmoshe, ose 32.1% e atyre që shprehin dëshirën për migrim, mendojnë të migrojnë brenda 3 viteve të ardhshme. Pjesa tjetër e emigrantëve potencialë shprehet se dëshiron të migrojë në harkun kohor të 10 viteve të ardhshme (16%) ose në më shumë se 10 vjet (0.7%).
Ndërsa pjesa që mbetet dhe që akoma nuk ka vendosur përfaqëson 18.1% të emigrantëve potencialë. Treguesi i dytë ose “të mundshëm për të emigruar”, krahas përfshirjes së të parit, lidhet edhe me mundësinë për të financuar udhëtimin, me ekzistencën e rrjeteve sociale në vendin e migrimit, me njohjen e gjuhës së vendit pritës në një nivel të caktuar dhe me informacionin e nevojshëm për këtë vend. Llogaritja e treguesit të dytë ose “të mundshëm për të emigruar”, tregon se rreth 7% e emigrantëve potencialë ose 3.6% e popullsisë së grupmoshës 18 deri 40 vjeç, mund të emigrojnë. Ky tregues është dukshëm më i ulët se dëshira për migrim dhe pa dyshim, i afrohet më shumë realitetit.
Ikin të rinjtë
Rezultatet e anketës tregojnë se përgjithësisht, dëshirojnë të emigrojnë të rinjtë dhe se dëshira për migrim ulet dukshëm në moshat pas të 40-ave. Ajo zbret në 43.7% për grupmoshën 18-50 vjeç, 35.9% në grupmoshën 18-60 vjeç dhe 30.3% deri në 70 vjeç. Shumë nga ata që mendojnë të migrojnë pas të 60-ave dëshirojnë bashkim familjar me fëmijët e tyre emigrantë, kryesisht në Greqi, Itali dhe në SHBA.
Studimi tregon se dëshira për emigrim kulmon në segmentin 27 deri në 30 vjeç. Të dhënat e anketës tregojnë se mesatarja e migrimit potencial për këtë segment të popullsisë shqiptare arrin në 71.2%. Ndërkaq, një krahasim i të dhënave të dy anketave tregon se në rast se në vitin 2007, potenciali migrator shqiptar kulmonte për grupmoshat 18 deri 25 vjeç, në vitin 2018 ai kulmon për moshat 27 deri në 30 vjeç.
Meshkujt largohen më shumë
Historikisht kanë emigruar meshkujt, por në vitet e fundit, përqindja e femrave që kanë emigruar dhe dëshirojnë të ikin është rritur. Sipas studimit, dëshira për të ikur mbetet më e lartë te meshkujt, me rreth 61.8%, ndërsa te femrat, 48.3%. Kjo lidhet me normat kulturore që ekzistojnë në Shqipëri dhe statusin e tyre civil, tha profesor Gëdeshi. Përgjithësisht, migrimi shqiptar është dominuar nga meshkujt, ndërsa femrat pasonin në një periudhë të mëvonshme nëpërmjet bashkimit familjar ose martesave. Pak më shumë se gjysma (51.7%) e atyre që dëshirojnë të migrojnë janë të martuar dhe 47.6% janë beqarë.
Dëshira për migrim është dukshëm më e lartë tek meshkujt e pamartuar, 64.6% se sa tek ata të martuar me rreth 35.4%. Kjo shpjegohet me faktin se meshkujt e pamartuar janë më të pavarur dhe të lirë për të migruar, kurse meshkujt e martuar duhet të marrin në konsideratë familjen (gruan dhe fëmijët) për të cilët ata janë përgjegjës. E kundërta ndodh me femrat. Migrimi potencial është më i ulët për ato që nuk janë të martuara dhe më i lartë për ato që janë të martuara. Kjo shpjegohet me faktin se femrat e pamartuara kanë mundësi të limituara të emigrojnë në mënyrë të pavarur.
Rritet emigracioni i të arsimuarve, 65% e studentëve duan të ikin
Ekziston një lidhje e fortë midis edukimit dhe dëshirës për migrim. Të dhënat e anketës 2018 tregojnë se migrimi potencial është më i lartë për personat që kanë edukim profesional, terciar dhe sekondar. Profesor Gëdeshi thotë se ky fakt shpjegohet me mundësitë më të mëdha të punësimit të personave që zotërojnë aftësi në vende si Gjermania dhe në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian dhe SHBA.
Globalizimi po i bën tregjet e punës gjithnjë e më konkurruese, çka do të thotë se vendet e zhvilluara do të tërheqin gjithnjë e më shumë punonjës të kualifikuar nga vendet në zhvillim. Ikja e kësaj kategorie ndodh edhe për faktin se personat e kualifikuar dhe të arsimuar janë të pakënaqur me mundësitë e punësimit dhe kushtet e punës në Shqipëri.
Një krahasim me anketën e vitit 2007 shihet një përmbysje e tendencës. Të dhënat e anketës të vitit 2007 tregonin se sa më i ulët ishte niveli arsimor, aq më e lartë ishte dëshira për migrim. Rreth 10 vite më parë, 75% e personave të pashkolluar dëshironin të emigronin, ndërsa aktualisht duan të emigrojnë vetëm 20%. Kjo shpjegohej me faktin se njerëzit e paarsimuar dhe të pakualifikuar ishin të papunë ose kishin vështirësi në gjetjen e një pune në Shqipëri dhe dëshironin të migronin (kryesisht në Itali dhe Greqi).
Ndërsa ata që zotëronin një profesion, ose kishin një arsimin më të lartë, e kishin më të lehtë të integroheshin në tregun e punës në Shqipëri. Ndërsa në vitin 2018, personat me universitet dhe master nuk shohin perspektivë në Shqipëri, pasi 53% e tyre planifikojnë të ikin, në raport me 40% që kishin plane të tilla më 2017. Dëshira për t’u larguar është rritur edhe te të rinjtë me shkollë të mesme, pasi 53-57% e tyre duan të ikin, me një rritje 12-13% në krahasim me anketën e vitit 2007.
Raporti i edukimit me migrimin lidhet edhe destinacionet e reja ku duan të ikin shqiptarët. Personat e kualifikuar gjithnjë e më shumë dëshirojnë të emigrojnë në Gjermani, Amerikën e Veriut dhe në vende të tjera shumë të zhvilluara të Europës Perëndimore. Kurse personat me më pak edukim dëshirojnë të ikin më shumë në Greqi dhe pjesërisht në Itali, ku nëpërmjet rrjeteve sociale mund të gjejnë punë të pakualifikuara, qoftë edhe në sektorin informal.
Profesor Gëdeshi thotë se raporti midis migrimit potencial dhe edukimit ka edhe një anë tjetër që duhet shfrytëzuar nga politikëbërësit në të ardhmen. Dëshira për të migruar në Gjermani dhe në vende të tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore mund të shërbejë si nxitje për arsimim, kualifikim profesional dhe mësimin e gjuhës së huaj nga ana e emigrantëve potencialë. Sipas një interviste të zhvilluar në Institutin Goethe në Tiranë, numri i të rinjve që mësojnë dhe marrin dëshminë e gjuhës gjermane është rritur tre herë në vitin 2017, në krahasim me vitin 2013. Në shumë nga intervistat e realizuara nga CESS-i me azilkërkuesit e kthyer nga Gjermania, vërehej interesi për të kryer shkolla profesionale në mënyrë që t’u përshtaten kërkesave të tregut të punës në këtë vend, në rast të një migrimi të mundshëm .
Ky interes në rritje i emigrantëve potencialë për arsim dhe trajnim profesional provohet edhe nga të dhënat e anketës. Kështu, thuajse 85% e emigranteve potencialë dëshirojnë të marrin pjesë në një trajnim në Shqipëri për t’u përgatitur për të jetuar dhe për të punuar jashtë vendit. Emigrantët potencialë që dëshirojnë të marrin pjesë në këto kurse shprehin më shumë interes për mësimin e gjuhës së huaj (72.3%), trajnim profesional (39.1%), orientim kulturor (22.9%) dhe studime universitare (17%) . Ky interes për t’u përgatitur për të punuar dhe për të jetuar në vendin e migrimit ka një rritje të dukshme në krahasim me anketën e vitit 2007, kur vetëm 48.7% e emigrantëve potencialë shprehte këtë dëshirë. Profesor Gëdeshi thotë se, kjo dëshirë duhet mbështetur, sepse rrit kapitalin human të vendit dhe atë të emigrantit potencial.
Preferojnë të largohen më shumë personat me paga mbi 1000 euro
Një nga risitë e anketës ka qenë zbulimi se, personat që duan të largohen janë më së shumti ata me paga të larta. Pavarësisht se dëshira për migrim vërehet tek të gjitha grupet shoqërore, ajo nuk është më një karakteristikë vetëm e grupeve të varfra të shoqërisë shqiptare. Vrojtimi i ndau të anketuarit në 10 grupe të mëdha, duke u bazuar në të ardhurat mujore ose vjetore të familjes së tyre . Grupi që është në fund të shkallës së të ardhurave ka më pak se 70 euro të ardhura familjare mujore, kurse ai që është në krye të saj ka 1.416 euro. Rezultatet ishin të ndryshme nga anketa e vitit 2007. Të dhënat e anketës tregonin se migrimi potencial ishte më i lartë te familjet që e karakterizonin gjendjen financiare si “fare e pamjaftueshme”, e “pamjaftueshme”.
Anketimi i vitit 2018 gjeti se rreth 55% personave që kishin pagë ndërmjet 1000-1400 eurove, donin të iknin. Gjithashtu, në këto përmasa, planifikojnë të ikin edhe personat me paga 470 deri në 950 euro në muaj. Nga ana tjetër, shihet se më pak se 50% e personave me paga nën 370 euro planifikojnë të ikin. Të dhënat e anketës tregojnë se studentët dhe të punësuarit janë më të prirë të migrojnë në krahasim me të papunët, të vetëpunësuarit dhe shtëpiaket. Kjo tregon se punësimi në vetvete nuk e parandalon migrimin. Rezultatet e vrojtimit tregojnë se, kushtet e punës, pagat e ulëta dhe mungesa e perspektivës janë disa nga faktorët që i shtyjnë njerëzit të migrojnë.
Të dhënat e anketës tregojnë se në disa sektorë të ekonomisë dhe në disa profesione, si në shëndetësi, call center, rrobaqepësitë, këpucaritë, ndërtim, etj., njerëzit janë më të prirë të migrojnë. Të gjitha këto karakteristika të reja të migrimit potencial pasqyrohen edhe në shpërndarjen gjeografike të tyre. Kështu, anketa e vitit 2007 tregonte se të rinjtë e pakualifikuar dhe me nivel të ulët arsimor, kryesisht nga zona e varfra (Kukësi) dhe kufitare (Korça, Gjirokastra) të vendit ishin më të prirë të migronin. Kjo tendencë nuk vërehet në anketën e vitit 2018. Migrimi potencial është më i lartë nga qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë, Berat, etj., dhe më i vogël në qarqet e varfra (Kukës, Dibër) dhe kufitare të vendit (Korça, Gjirokastra).
Ekonomia dhe arsimi, shkaqet e emigrimit
Profesor Gëdeshi thotë se, ekzistojnë shkaqe të ndryshme të migrimit potencial, ku mund të përmendim faktorët ekonomikë, arsimorë, familjarë e shëndetësorë. Në rast se krahasojmë faktorët aktualë shtytës të migrimit potencial me ata të anketës së vitit 2007, shihet se faktorët ekonomikë, megjithëse vazhdojnë të jenë mbizotërues, janë zbutur në Shqipëri. Krahas tyre janë ulur edhe faktorët familjarë. Por, nga ana tjetër, vërehet një rritje e numrit të njerëzve që theksojnë faktorët arsimorë, mungesën e së ardhmes në Shqipëri dhe, në një masë më të vogël, përkujdesjen shëndetësore që kanë për perspektivën e tyre në vendlindje.
Sidoqoftë, faktorët ekonomikë, ku bëjnë pjesë përmirësimi i standardeve të jetesës, papunësia, pagat e ulëta dhe kushtet e punës, skemat e sigurimeve sociale dhe borxhet, vazhdojnë të mbeten shtytësit kryesorë të emigrimit shqiptar. Sipas anketës, këta faktorë përfaqësojnë 57% të shkaqeve të migrimit, ose më shumë se gjysmën e të gjithë faktorëve.
Kjo tregon se migrimi shqiptar edhe në dekadën e tretë të tij, vazhdon të udhëhiqet nga faktorë ekonomikë. Krahas faktorëve ekonomikë, një grup më i vogël personash (19.4%) citojnë faktorë që lidhen kryesisht me mungesën e perspektivës ekonomike, sociale dhe politike në Shqipëri. Këtu bëjnë pjesë pohimet e emigrantëve potencialë se ‘në Shqipëri nuk ka të ardhme’, ‘nuk më pëlqen të jetoj në Shqipëri’, ‘dëshiroj të migroj jashtë shtetit’ dhe ‘aventura’.
Një grup tjetër faktorësh është edhe arsimimi (17.4%). Një pjesë e emigrantëve potencialë theksojnë se ‘dëshirojnë të arsimohen’ në vendin pritës (5.4%) ose të ‘financojnë arsimimin e fëmijëve’ të tyre (12%). Faktorët familjarë ku bëjnë pjesë ‘për t’u martuar/sapomartuar’, ‘bashkimi me bashkëshortin ose prindërit’ dhe për t’u ‘larguar nga problemet familjare’ përfaqësojnë 4.6% të përgjigjeve. Krahas tyre, disa të anketuar theksojnë edhe faktorë shëndetësorë (1.5%). Për të thelluar analizën, migrantët potencialë u pyetën që nga tërësia e faktorëve të përzgjedhur të përcaktonin edhe faktorin kryesor shtytës për të migruar nga Shqipëria. Sipas përgjigjeve të emigrantëve potencialë, faktori kryesor për 36.5% të tyre është për të përmirësuar standardet e jetesës.
Zhvendosja te Gjermania, kryeson listën
Në krahasim me anketën e vitit 2007, ka një riorientim të flukseve të migrimit potencial shqiptar, që shpjegohet me ndryshimet e thella që kanë ndodhur nga ndikimi i dy krizave, krizës ekonomike globale dhe krizës së refugjatëve.
Gjermania është vendi i parë i preferuar i emigrantëve potencialë shqiptarë dhe rreth 22% e tyre dëshirojnë të migrojnë në këtë vend. Në vitin 2018, në krahasim me anketën e vitit 2007, ajo ka rritjen më të madhe nga të gjitha vendet e tjera, me 17 pikë përqindje.
Imazhi i krijuar për Gjermaninë nga azilkërkuesit shqiptarë, si një vend social (arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale) me mundësi të mëdha punësimi dhe të ardhura të larta, është transmetuar në masën e gjerë të njerëzve kur ata janë kthyer në Shqipëri. Thuajse të gjitha intervistat e zhvilluara me azilkërkuesit shqiptarë të kthyer tregojnë se ata dëshirojnë të migrojnë në Gjermani. Edhe një anketë e realizuar në periudhën 2017-2018, me 520 studentë shqiptarë që studiojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Europian dhe në Britaninë e Madhe tregoi se rreth 16% e tyre dëshirojnë të migrojnë pas përfundimit të studimeve në Gjermani.
Dhjetë vendet e para ku dëshirojnë të migrojnë shqiptarët janë Gjermania me 21.7%, SHBA me 16.4%, Italia me 15.7%, Greqia me 14.4%, Britania e Madhe me 11%, Franca me 3%, Kanadaja me 2.7%, Zvicra 2.3%, Suedia me 2.3% dhe Austria me 1.3%. Nga figura e mëposhtme shihet qartë se emigrimi potencial shqiptar, nga njëra anë, përqendrohet në vendet e Bashkimit Europian (74.6%), dhe nga ana tjetër në Amerikën e Veriut (SHBA dhe Kanada – 19.1%). Vende të tjera, jashtë këtyre dy zonave gjeografike, janë edhe Turqia me 1.3% dhe Australia e largët me 0.7%.
Italia dhe Greqia, tradicionalisht dy vendet kryesore të emigracionit shqiptar, padyshim për shkak të papunësisë së lartë dhe të zgjatur që përjetuan si pasojë e krizës ekonomike globale, po e humbasin joshjen për emigrantët shqiptarë. Krahasimi i dy anketave tregon se gjatë një harku kohor prej 11 vjetësh, ato kanë humbur respektivisht 15.5 dhe 12 pikë përqindje secila.
Tendencat e reja tregojnë se migrantët shqiptarë do të koncentrohen gjithnjë e më shumë në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore. Karoline Novinscak Kölker, në një studim të saj, thekson se në fund të vitit 2015, numri i emigrantëve legalë shqiptarë në Gjermani arrinte në rreth 59.000 persona. Nëpërmjet rrjeteve sociale migrantët potencialë e kanë më të lehtë marrjen e informacionit, strehimin, gjetjen e një vendi pune, rregullimin e dokumenteve, martesat, etj.
Ky riorientim i flukseve të migrimit shqiptar kryesisht drejt Gjermanisë, por edhe disa vendeve të tjera të Europës Perëndimore dhe Qendrore (Mbretëri e Bashkuar, Francë, Suedi, Zvicër, Austri, Spanjë, Belgjikë, etj.), do të sjellë në perspektivë ndryshime të tjera, sasiore dhe cilësore, në raport me të ardhurat, kursimet, remitancat, investimet dhe kapitalin human e social të emigrantëve shqiptarë. Kështu, dy anketa të mëdha të realizuara në vitet e para të krizës ekonomike globale (2008 dhe 2009) tregojnë se të ardhurat, kursimet dhe remitancat e familjeve të emigrantëve shqiptarë nga vendet e Europës Perëndimore dhe Qendrore janë më të larta se ato nga Greqia dhe Italia. Rrjedhimisht, impakti i flukseve të reja të migracionit shqiptar në ekonominë e vendit – nëpërmjet remitancave financiare e sociale, investimeve dhe kapitalit human në rast kthimi – do të jetë më i madh.
Por, nga ana tjetër, ky proces do të shoqërohet edhe me një zvogëlim të burimeve humane në Shqipëri. Migrantët potencialë u pyetën edhe për mundësinë e përzgjedhjes së një vendi tjetër, krahas të parit, për të migruar. Është interesante se edhe në këtë rast, Gjermania është përsëri vendi i parë i dëshiruar nga 23.7% e emigrantëve potencialë. Shumë nga migrantët potencialë që kanë zgjedhur si vend të parë të migrimit Greqinë ose Italinë, kanë si opsion të dytë Gjermaninë.
Emigrantët potencialë janë pyetur edhe për disa nga faktorët që ndikojnë në përzgjedhjen e vendit të dëshiruar të migrimit. Përgjigjet tregojnë se përzgjedhja e këtyre vendeve përcaktohet kryesisht nga faktorë ekonomiko-socialë, si mundësia e punësimit dhe të ardhurat e larta (39.6%), mundësia për të kursyer para (12.5%), ekzistenca e rrjeteve sociale (10.6%), mundësitë e arsimimit (9.6%), bashkimi familjar (5.3%) dhe sistemi i sigurimeve sociale (4.2%). Nga përgjigjet vërehet se punësimi dhe të ardhurat, mundësia e arsimimit të fëmijëve, bashkimi familjar, prania e rrjeteve sociale dhe përvojat e mëparshme në atë vend janë faktorët kryesorë shtytës të migrimit potencial. Kështu faktorët kryesorë që i frymëzojnë njerëzit të emigrojnë janë material, humanë (edukimi) dhe kapitali social./monitor/
1000_1400€ në muaj nuk përkthehet në të ardhme për fëmijët... Gëzojeni e mos u ngopshit o plehra!!
Përgjigjuedhe? jan ata qe kan honger ato me 240 mijlek nuk i hajn dot mo edhe ikin me mire se ikin
PërgjigjuMinistri Ahmetaj eshte fajtor per fatin e te rinjeve,ai s'ka plan dhe program per punesimin e te rinjeve shqiptare. Eshte minister jo energjik, sa me shpejte te jep doreheqeje
PërgjigjuKjo ashte politika shqiptare.
Përgjigju