Joe Biden dhe marrëveshja bërthamore me Iranin

Joe Biden dhe marrëveshja bërthamore me Iranin

Foto ilustruese

Me ardhjen e Joe Bidenit në pushtet, të gjitha palët e marrëveshjes bërthamore duan të merren sërish me të. Irani kërkon që të qëndrojë tek marrëveshja e vjetër. Por ka mundësi që Perëndimi të kërkojë më shumë se kaq.

Nuk do jetë e lehtë t'i kthehesh një marrëveshjeje që kërkoi vite me radhë që të arrihej dhe u sabotua jashtë çdo rregulli menjëherë pasi u arrit, por presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së Joe Biden ka treguar interes të merret me të. Irani e mirëpriti këtë gjë.

Presidenti Iranian Hassan Rouhani, tha së fundi se vendi i tij do t'i kthehej pa hezitim marrëveshjes nukleare, të njohur si JPCOA, brenda një ore pasi SHBA të ketë bërë të njëjtën gjë. Por ka mundësi që kjo të mos mjaftojë.

Sepse SHBA dhe forcat europiane mund të kërkojnë më shumë se kaq. Ata mund të shpresojnë që Irani të hyjë në bisedime për programin e kontestueshëm të armëve balistike dhe mbështetjen rajonale që u jep aktorëve jo-shtetërorë, gjë që SHBA dhe Europa e shikon si politikë destabilizuese. Zyrtarë iranianë kanë thënë se mund të hyjnë në bisedime për këto gjëra me fqinjët e vendeve të Gjirit Persik. Nëse ky konflikt vazhdon, përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen nukleare do të dështonin.

Fryma jo-nukleare e marrëveshjes bërthamore

"Irani nuk po i përmbahet frymës së marrëveshjes bërthamore." Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e përsëriste këtë sa herë që vendoste saksione të reja kundër Iranit. Zyrtarët e tij përsërisnin pa pushim se marrëveshja bërthamore ka qenë një dështim, sepse nuk arriti të ndryshonte qëndrimin e Iranit në fushat e tjera.

"Në vend që të hidhte poshtë marrëveshjen, Trump mund ta përdorte atë për të ngritur çështje të tjera,” thotë Kelsey Davenport, drejtor për politikat për mospërhapjen e armëve tek Arms Control Association. Por ai nuk e bëri një gjë të tillë. Në publik Trump thoshte në mënyrë të përsëritur se donte të arrinte një marrëveshje të re me Iranin, një marrëveshje që të merrej me të gjitha çështjet e aleatëve të SHBA. Por ai nuk pati ndonjë strategji të qëndrueshme për të zëvendësuar marrëveshjen bërthamore, vëren Davenport.

Tani, që Biden thotë se SHBA mund t'i rikthehet marrëveshjes, janë shtuar zërat që kërkojnë një marrëveshje të re.

Një nga këto zëra është ajo e ministrit gjerman të Jashtëm, Heiko Maas. Në intervistën e fundit për revistën gjermane Der Spiegel, Maas thotë: "Një kthim tek marrëveshja e mëparshme nuk mjafton, gjithësesi. Do duhet të arrihet një lloj "marrëveshjeje bërthamore plus.”

Mbështetje për një marrëveshje bërthamore plus

Përveç Gjermanisë, edhe Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë dhënë sinjale për mbështetjen e tyre. Në një deklaratë të lëshuar në fillim të muajit dhjetor për marrëveshjen bërthamore, tre vendet europiane, të njohura si E3, thanë se mirëpresin "një rrugë diplomatike për të shprehur më gjerë shqetësimet që kanë me Iranin.” Shefi i zyrës së OKB për kontrollin e armëve bërthamore, IAEA, Rafael Grossi, ka shprehur mbështetjen e tij për këtë qasje duke thënë: "Unë nuk mund ta imagjinoj që ata të thonë vetëm "ne po i kthehemi marrëveshjes së parë, sepse marrëveshja e parë nuk ekziston më.”

Të kërkosh më shumë nga Irani, është një punë e vështirë, thotë Ellie Geranmayeh, një ekspert për JPCOA në Këshillin Europian për marrëdhëniet me jashtë, European Council for Foreign Relations: "Rruga e vetme për të arritur bisedime të tjera me Iranin është që në fillim të arrihet një precedent duke zbatuar marrëveshjen bërthamore për të krijuar besimin e institucioneve politike të Iranit, se mund të bëjnë aktualisht marrëveshje me Perëndimin, marrëveshje që të jenë të qëndrueshme dhe prej të cilave mund të përfitojë edhe Irani.”

"Heqja dorë nga marrëveshja bërthamore e 2015-ës dhe propozimi i një kuadri më të gjerë çështjesh dhe një marrëveshje më e gjerë, të cilën iranianët nuk do ta pranonin kurrë, as me Trumpin, nuk do ishte e realizueshme,” thotë Geranmayeh.

Megjithëse fushata e "presionit maksimal” nuk solli ndonjë rezultat, disa zyrtarë të Trumpit propozojnë që Bideni ta përdorë atë. I dërguari special amerikan për Iranin, Elliott Abrams është një prej atyre që ndodhen aktualisht në Shtëpinë e Bardhë dhe që beson se fushata e ushtrimit të presionit i ka shkaktuar dhimbje të mëdha Iranit dhe Bideni mund ta përdorë këtë gjë për të arritur një marrëveshje më të mirë. "Ne kemi në dorë një çelës; le ta përdorim atë,” tha ai në një diskutim të bërë në ëebinar këtë javë nga grupi United Against Nuclear Iran.

Kurse Davenport thotë, se skenari me të cilin po përballet Bideni është i ngjashëm me atë të bisedimeve para se të arrihej marrëveshja bërthamore: "Shtetet e Bashkuara duhet një herë të neutralizojnë rrezikun në rritje shkaktuar nga dhunimi që Irani i bëri marrëveshjes bërthamore, duhet të rikthejnë besimin tek kredibiliteti i SHBA-së duke iu rikthyer marrëveshjes, dhe pastaj mund të vazhdojnë bisedimet për të folur për çështjet kritike që dalin nga parametrat e marrëveshjes bërthamore."

Iran: vazhdim bisedimesh vetëm me vendet fqinjë

Irani ka refuzuar deri tani që të shtojë çështje të tjera në marrëveshjë."Ne nuk do të rihyjmë në bisedime për një marrëveshje për të cilën është biseduar tashmë," tha ministri i Jashtëm Iranian Javad Zarif,në një konferencë politike të zhvilluar në muajin nëntor në Romë.

Irani i sheh programet e raketave balistike si parandaluese. Zyrtarët iranianë shpesh krahasojnë shpenzimet relativisht të larta ushtarake të fqinjëve me industrinë iraniane të armëve dhe aviacionit, e cila ndodhet nën sanksione. Nëse shtetet e tjera të rajonit nuk janë dakord për të bërë të njëjtat reduktime, Teherani nuk do pranojë të bëjë asnjë lëshim.

Zgjidhja e Iranit për t'i dhënë fund bllokimit të situatës është një dialog rajonal, por pa praninë e fuqive botërore. Propozimi i Iranit, "Hormuz Peace Endeavor" shkurt HOPE, fton fqinjët për të diskutuar çështjet e sigurisë rajonale, siç pati shkruajtur ministri i Jashtëm, Javad Zarifz. HOPE kërkon që në vend të involvimit të fuqive botërore, të përdoret një trupë më e lartë ndërkombëtare, si përshembull Këshilli i Sigurimit të OKB-së, për të miratuar rezultatet e bisedimeve.

HOPE e Iranit mund të mos jetë krejt realiste. Fuqitë perëndimore janë mbështetësit kryesorë në fushën ushtarake dhe të mbrojtjes për vendet e Gjirit Persik dhe nuk mund të mos përfshihen në bisedime. Përveç kësaj, mendon Davenport, "Marrja me aktivitetet destabilizuese rajonale të Iranit kërkon bisedime me të dy palët, si vendet e Lindjes së Mesme ashtu edhe të fuqive botërore."

Sidoqoftë, propozimet e Iranit mund të jenë pikënisja për të arritur dialogun e domosdoshëm, pa të cilin marrëveshja bërthamore do të ishte jo efektive.”Për të marrë më shumë siguri se Irani nuk do të blejë armë bërthamore në të ardhmen, është e rëndësishme të merresh me shkaqet themelore që do mund ta nxisnin Teheranin që të merrte vendimin se përfitimet që nga armët bërthamore janë më të mëdha se sa kostot,” thotë Davenport.

Lindja e Mesme ka ndryshuar shumë që nga koha kur u nënshkrua marrëveshja bërthamore. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrei, dy vendet fqinje me Iranin, kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, dhe Izraeli mendohet të ketë qenë pas disa sulmeve të bëra kundër Iranit. Marrëdhëniet janë të prishura. Të diskutosh çështje të sigurisë duhet të kesh nivel të lartë besimi, shumë më të lartë se sa mund të krijojë Irani, rivalët e tij rajonalë dhe Perëndimi. Koha nuk mund të kthehet mbrapsht në vitin 2015. Por nëse diplomacia dështon sërish, atëherë mund të ketë përhapje armësh dhe kolaps të ekonomisë që lëngon në Iran. Kjo mund të hapë çështje serioze sigurie në Lindjen e Mesme dhe në botë, shumë më serioze se sa ato aktualet./ DW

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale