Politikani republikan me origjinë shqiptare, Joe Hoxha ka fituar mandatin e tretë në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të Connecticut-it, duke triumfuar me një diferencë prej vetëm 164 votash ndaj rivalit demokrat Nate Brown. Ndërkohë, disa kandidatë të tjerë shqiptarë që garuan në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk arritën të siguronin fitore.
Sipas rezultateve paraprake dhe ende të pacertifikuara, Hoxha mori 4,585 vota, ose 50.91% të totalit, ndërsa demokrati Nate Brown siguroi 4,421 vota. Hoxha, arriti të fitojë në zonën e Plymouth-it me 400 vota diferencë, ndërsa në Bristol u rendit pas rivalit të tij me 236 vota.
Fitorja e Hoxhës erdhi në një garë zgjedhore të favorshme për demokratët, të cilët sipas projeksioneve të CBS News, pritej të fitonin shumicën si në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe në Senatin amerikan. Në të njëjtën kohë, në distriktin fqinj republikania Cara Pavalock-D’Amato, e cila kishte shërbyer për gjashtë mandate, humbi vendin e saj.
Në Nju Jork, kandidati republikan me origjinë shqiptare, Diamant Hysenaj humbi përballë kongresmenes Alexandria Ocasio-Cortez në distriktin e 14-të të Kongresit. Hysenaj, i cili u largua nga Kosova në vitin 1991 dhe u vendos në Bronx, siguroi 21.54% të votave, ndërsa Ocasio-Cortez mori 78.22%, me 97% të makinave të numërimit të votave të raportuara.
Humbje shënoi edhe demokrati Shpetim “Tim” Qorraj, i cili emigroi nga Kosova drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2011. Ai kandidoi për distriktin e 64-t të Asamblesë së Nju Jorkut, por u mund nga republikani Michael Tannousis, i cili siguroi 60.53% të votave, kundrejt 39.33% të Qorrajt.
Ndërkohë, në Connecticut, republikani Peter Lumaj nuk arriti të fitojë garën për postin e Sekretarit të Shtetit, duke u mundur nga demokratja dhe mbajtësja aktuale e këtij posti, Stephanie Thomas. Me rreth 90% të qendrave të votimit të raportuara, Lumaj kishte siguruar 37.53% të votave, ndërsa Thomas kryesonte me 62.47%. Lumaj kishte kandiduar për të njëjtin pozicion edhe në zgjedhjet e vitit 2014.
Një tjetër kandidate shqiptare që nuk arriti të fitonte ishte republikania Alma Sarelli, e cila garoi për një vend në Senatin e shtetit të Connecticut-it, në distriktin e 26-të. Ajo u mund nga demokratja Samantha Nestor me rezultatin 34.6% kundrejt 65.4%. Sarelli e pranoi humbjen që në mbrëmjen e zgjedhjeve, duke i uruar rivales sukses në përfaqësimin e distriktit.
“I uroj asaj gjithë të mirat, ndërsa punon për distriktin tonë”, u shpreh Sarelli.
Në Michigan, demokratja me origjinë shqiptare Edlira Sako ishte gjithashtu në disavantazh në garën për Senatin e shtetit, në distriktin e 24-t. Sipas numërimit të pjesshëm, republikani Doug Wozniak kryesonte me 63% të votave, ndërsa Sako kishte siguruar 37%, kur ishin raportuar rezultatet nga 53 prej 66 qendrave të votimit.
Rezultatet përfundimtare të kësaj gare nuk ishin publikuar ende në momentin e raportimit.
Të gjitha rezultatet e zgjedhjeve mbeten jozyrtare deri në përfundimin e procesit të certifikimit nga autoritetet përkatëse.








Komente
Komento