Joga, duke mëtuar
lirinë nga mendimi

Joga, duke mëtuar <br />lirinë nga mendimi
Në ambjentin ku zhvillohen seancat e Sahaja Yoga, (Sahaxha) bien në sy objektet e Lindjes së Largët, mbulesat e mobiljeve të pakta e të ulëta, qirinjtë dhe dy - tri foto të Shri Matajit… Befas vëzhgimin ma ndërpret një vërejtje. Kur nuk heq këpucët dallohesh që je një mysafir, ose një praktikant fillestar. Duhet t’i heqësh ose do të mbetesh aty ku je, jashtë tapetit. Pastaj nëse ke menduar se ke shkuar vetëm për të parë, do ta kuptosh se nuk mund të jesh një vëzhgues i jashtëm. Fjalët e instruktores “Të lutem mos qesh me ne” të japin lejen për të soditur, por të tregojnë me delikatesë kufirin për mysafirët. Në fakt nuk e kisha çuar fare nëpër mendje se mund të qeshja. Jam mësuar me pamje të tilla nga filmat, më i fundit që kam parë, “Eat Pray Love”. Pra  mund të them se kam marrë leksione nga Xhulia Roberts për të mos qeshur.
 Jam e ulur në karrike ndërsa të gjithë në dysheme. Pesë minuta më pas, vendos të ulem edhe unë si të tjerët. Përse te mos e provoj edhe unë një seancë? Jo, nuk është thjesht kjo kureshtje, por ajo lartësi ku unë gjendesha po më vinte në siklet. Ulem thuajse këmbëkryq. Vështrimi i Mirelës më përkrah. Ajo fillon lëvizjet e para dhe unë së bashku me të tjerët e ndjek. Krahë që ngrihen nga njëra anë në tjetrën, pëllëmbë të hapura të mbështetura mbi gjunjë… “Të lumtë” është një lavdërim i ngjyer me pak habi. Por gjithsesi funksionon. Më jep krahë që të ndërthur të majtën me të djathtën. Nga euforia, diku ngatërrohem me ngritjen e kundalinit. Por e ndreq dhe vazhdoj të lëviz në mënyrë thuajse mekanike. Kam lexuar me kujdes një material mbi seancat  dhe Sahaja jogën, por nuk mund të mbaja mend gjithçka.  Pas disa lëvizjesh vjen momenti kur duhet të mbyllësh sytë. Fillimisht ngjan një veprim mekanik. Më pas bëhet më i vështirë të qëndrosh symbyllur, palëvizur, të përsërisësh herë pas here disa shprehje që thërrasin qetësinë  ”Nuk është e thënë t’i besoni ato që thoni”… thotë instruktorja- “Duhet vetëm t’i thoni”. Këtu ndien largësinë nga feja dhe afrinë me sugjestionin që të fton të mbyllësh dyert e jatshme të mendjes. Tingujt e shkëputur sikur duan të të tërheqin me vete, aroma e vajit, heshtja në dhomë janë të përsosura për të arritur meditimin. Përpiqem të mbyll portat. Së pari të mos dëgjoj zhurmën e tmerrshme të makinave përtej xhamit. Së dyti të harroj dhimbjen e shpinës që më jep ky pozicion i ngrirë. Së treti të harroj intervistën me mësuesin e jogës që nuk është sot në seancë, së katërti të heq mendjen nga meraku se vajza po më pret në shtëpi pas një dite shumë të gjatë pune. …të pestën nuk e mbaj mend tani, por të jeni të sigurtë se shkova deri tek dhjeta. Tre të parat arrita t’i fshij nga mendja për 10 sekonda të bekuara, të tjerat për 5 sekonda besoj, ndërsa të katërtën nuk arrita dot ta hiqja nga mendja për më shumë se 1 sekondë.  Hapim sytë nuk e disa saktësisht pas sa minutash.  E kam humbur kohën.  Unë vazhdoj të ndiej dhimbje në shpinë. Kur më pyesin u them se diçka arrita, por jo aq sa duhet. Dhimbjen e shpinës e përmendi dikush tjetër. Fill pas kësaj të gjithë, ngrihen për të ikur. Pyes njërin prej tyre në ikje e sipër: Përse fillove jogën? Sepse kisha shumë pyetje që donin përgjigje…” Nuk më le kureshtja dhe i them:”I gjete përgjigjet?” Dikush tjetër i vjen në ndihmë djalit që duket se nuk do të flasë më. “Thelbi është që të arrish ta shndërrosh në dije informacionin që ke” thotë ai. Instruktorja shton: “dhe mos e ngatërro dijen me përvojën”. Bukur! Tani gjendem para një muri jogistësh. Nuk pretendoj ta kaloj, por të paktën të gjej një derë për të dalë në anën tjetër. Dera që kërkoja të hënën, u hap të mërkurën e së njëjtës javë. Takoj mësuesin e jogës, turkun Yekta Süngü. Dikur nuk ndihej mirë dhe kishte filluar jogën pas këshillës së një miku. E kishte lënë, e kishte filluar sërish kur jeta e tij ishte e mbushur me probleme dhe pasi ia kishte dalë vetë kishte filluar të mësonte të tjerët. Këtu shkon e vjen për seancat dhe ëorkshopet. E pyes për takimin e shqiptarëve me jogën… “Siç ndodh edhe në vende të tjera, femrat janë më të afërta me Sahaja yogën. Në përgjithësi e ndërpresin shpesh e nuk janë të disiplinuar shqiptarët. Disa prej tyre vijnë për disa muaj, pastaj zhduken. Por praktimi në pak orë nuk të ndihmon…. Shqiptarët janë si turqit apo iranianët apo njerëzit e lindjes, problemet u burojnë nga ana e majtë, që do të thotë se ata janë tipa emocionalë.  Po ashtu edhe maqedonasit apo rumunët” shpjegon Süngü.  Kanali i majtë është ai lunatik. I përket emocioneve dhe kur dominon, njerëzit janë tepër emotivë, jetojnë me të shkuarën, mes ngazëllimit dhe trishtimit duke u bërë pasivë. Problemet që vijnë nga kanali i majtë i përkasin të shkuarës. Kanali i djathtë është diellor,  përfaqëson fuqinë fizike për veprim dhe fuqinë mendore për analizim, por kur ky dominon atëherë kemi një personalitet agresiv dhe cinik. Mes këtyre të dyve vjen kanali qendror, që siguron ekuilibrin emocional dhe fizik dhe është i lidhur me frymëmarrjen e rrahjet  e zemrës. Süngü këshillon: “Ne mund t’ju mësojmë teknika që të rrisin kontaktin me diellin. Nëse keni pasur një fëmijëri problematike duhet të shmangni emisionet televizive dhe librat me histori romantike dhe dëshpëruese. Duhet të dilni jashtë, të takoni miq, të keni më shumë jetë të gjallë dhe aktive”.  Pastaj tregon një histori të ngjashme si në filmin “Eat Pray Love”. Süngü përpiqet të shpjegojë më shumë: “Në përgjithësi njerëzit priren që të harrojmë apo të lënë nën ndërgjegjen e tyre problemet. Ne përpiqemi që t’i gjejmë problemet dhe të ndihmojmë njerëzit që të  përballen me to e pastaj t’i analizojmë dhe ata të marrin përgjigje. Nëse e mban një problem në subkoshiencë, dikur do të shpërthejë e do t’u prishë qetësinë. Ne gjejmë çfarë nuk shkon dhe tregojmë teknikën për ta ndrequr”. Süngü thotë gati me të qeshur se ai nuk është doktor: “Disa kërkojnë çudinë. Ulen dhe nuk bëjnë asgjë. Por unë u them gjithmonë se jam vetëm duke u mësuar një teknikë që të ndihen më mirë dhe të ndihmojnë veten. Nuk jam doktor. Thelbi për ne është që ata mësojnë si të ndihmojnë veten. Shumë njerëz vijnë dhe thonë: “Ja ku jam. Më ndreq, më bëj të ndihem më mirë!” Mësuesi i jogës vazhdon të sqarojë, por në mendje më mbetën fjalët e tij për përgjigjet. Mu kujtua sërish djali që kisha pyetur pas seancës së jogës.  A i kishte gjetur përgjigjet e pyetjeve të tij të shumta?
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Imazhet e para nga dronët Bayraktar, Peleshi: Rrisim ndjeshëm aftësitë tona të mbikqyrjes dhe sigurisë

Imazhet e para nga dronët Bayraktar, Peleshi: Rrisim ndjeshëm aftësitë tona të mbikqyrjes dhe sigurisë