PRISHTINË, 18 Dhjetor/ATSH/.- Ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi thotë se takimi në Bruksel me Johannes Hahn, Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, ishte i fokusuar te të gjitha çështjet akute të Kosovës në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE.
Sipas KosovaPress, Thaçi thotë se Hahn shumë shpejtë do të jetë në Kosovë për një vizitë zyrtare.
"Hapi i parë i nënshkrimit të MSA-së do të ndodhë shpejt, tani kur kemi akorduar tekstin mes BE-së dhe Kosovës. Ky zhvillim shënon edhe lidhjen e parë formale midis BE-së dhe Kosovës. Diskutuam edhe projektet për përkrahjen e Kosovës, vazhdimin e dialogut dhe po ashtu ramë dakord për një vizitë të shpejtë të komisionerit Hahn në Kosovë. Diplomacia e jashtme e Kosovës do të nxisë fuqishëm bashkëpunimin me shtetet anëtare të BE-së dhe organizmat multilateralë evropianë", thotë Thaçi.
Johannes Hahn është njëherësh zyrtari më i lartë që udhëheqë politikat e zgjerimit të BE-së në Ballkan. /m.m/