Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të zhgënjyer për vendimin e Këshillit Europian për sa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me anë të një reagimi zyrtar Departamenti i Shtetit shprehet se BE nuk i njohu përpjekjet dhe reformat e të dy vendeve.

Në reagimin në fjalë thuhet se DASH shpreson që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër. Mes të tjerash zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus thekson se një vendim pozitiv do të rikonfirmonte besueshmërinë për integrimin e këtyre dy vendeve në BE. Ndër të tjera SHBA shpreson që të gjendet një konsensus për hapjen e negociatave para Samiti BE-Ballkan Perëndimor në majin e ardhshëm.

Deklarata nënvizon faktin që “Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër”.

Në fund Departamenti i Shtetit shpjegon se SHBA do të vijojë të mbështesë Maqedoninë e veriut dhe Shqipërinë dhe se i inkurajon të dy vendet qëndrojnë të palëkundura në ndërtimin e një shoqërie transparente.

Kujtojmë se pjesa dërrmuese e shteteve të Bashkimit Europian ishin pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por megjithatë presidenti i Francës Emmanuel Macron nuk u arrit të bindej për një vendim 'Pro' duke përdorur si argument azilkërkuesit në shtetin që ai drejton. 

Ndërkohë në lidhje me reagimin e Departamentit të Shtetit ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Ai duke shpërndarë fjalën e plotë të Departamentit të Shtetit ka falenderuar SHBA për përkrahjen.

Reagimi i plotë i DASH:

Shtetet e Bashkuara mbështesin përkushtimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndaj integrimit transatlantik dhe aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian. 

Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë. Një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik. 

Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër.

Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar. I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundur në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.