TIRANE- Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK sekuestroi 31 pasuri të dy anëtarëve të një grupi kriminal, Jusel Mici dhe Mendim Domi, të goditur në dhjetor 2022 , për mashtrim përmes call center dhe grup i strukturuar kriminal, ndërsa aktualisht, të dy janë në gjykim për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Me vendim të GJKKO u sekuestruan 21 pasuri në emër të Jusel Micit dhe familjarëve të tij, 4 apartamente në Tiranë, 5 parcela tokë arë në Mazrek të Tiranës me sipërfaqe totale prej gati 17 mijë metër katror, 6 hapësira garazhi, 1 njësi biznesi, 20% e shoqërisë tregtare “Super Foods”, një vilë me 2 kate në “Lalzi Marina Seaside” në Gjirin e Lalëzit dhe 3 makina luksoze.
10 pasuri iu sekuestruan bashkëpunëtorit të tij, Mendim Domi, gati 14 mijë metra katror tokë arë në Mazrek dhe Kashar, 1 apartament në Tiranë, 1 vilë në kompleksin “San Pietro” në Gjirin e Lalëzit, 40% të aksioneve në shoqërinë tregtare “Super Foods” dhe 3 llogari bankare.
Mbi bazën e dispozitave të Ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ndryshuar me ligjin nr.70/2017, janë identifikuar pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personave nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me to.
Si rezultat i hetimeve të deritanishme rezultojnë pasuri të pajustifikuara nga burime të ligjshme, të cilat prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë së kriminale të personave të akuzuar dhe të personave të lidhur me ta, informoi sot SPAK.
Nga hetimet që SPAK ka kryer deri më tani, ka rezultuar se këto janë pasuri të pajustifikuara nga burime të ligjshme, të cilat dyshohet se janë rezultat i veprimtarisë së kriminale të mashtrimit përmes call center të qytetarëve europian, italianë, spanjollë dhe gjermanë, duke sjellë një dëm prej rreth 15 milionë eurosh.
Ata kontaktoheshin përmes telefonit, i bindnin të investonin në instrumente financiare realisht inekzistente, me premtimin e normave të larta të kthimit, por përfundonin duke humbur investimet e tyre. Në dhjetor 2022, operacioni u zhvillua në Shqipëri dhe Itali, ku u kontrolluan call center, banesa dhe ambiente të tjera.
Si funksiononte skema?
Në fillim të huajve u garantohet një përfitim i menjëhershëm ekonomik kundrejt një investimi të vogël, i cili shërbente për t'i bindur të investonin. Më pas, viktima, duke u konsultuar me një platformë mashtruese në internet, krejtësisht fiktive, bindej nëpërmjet një ndërmjetësuesi të rremë, që të investonte gjithnjë e më shumë para.
Krijohej një "marrëdhënie besimi" midis investitorëve dhe këshilltarëve financiarë të rremë, i cili lejonte këta të fundit, përmes një programi kontrolli të veçantë në distancë, të hynin në faqet personale bankare të viktimave, duke marrë kështu njohuri për të dhënat dhe gjendjen ekonomike të këtyre të fundit dhe duke arritur, në shumë raste, për t'i bindur ata të investojnë të gjithë kapitalin ekonomik që kishin në dispozicion.
Pasuria “Apartament”, me sipërfaqe 83.00 m², në pronësi të Jusel Mici, me adresë: Kompleksi Rezidencial “Siri”, në Rrugën, “Siri Kodra” Tiranë.
Veprat penale për të cilën po hetohen :“Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a dhe 334 të K.Penal, informoi SPAK
Komente








