Juglindja e vendit prej 6 ditësh vijon të jetë në izolim për shkak të shembjes totale të rrugës Librazhd-Prrenjas. Pas shembjes së urës 30-vjeçare të Dragostunjës, ARRSH ka nisur me punën për të ndërtuar një rrugë provizore rreth 1.3 kilometra buzë lumit, pranë trasesë së hekurudhës, me qëllim rikthimin e përkohshëm të qarkullimit.

Sipas ARRSH, në dy anët e rrugës do të vendosen sonda për realizimin e një studimi të detajuar gjeologjik dhe vlerësimin teknik të rrëshqitjes së tokës.

Për shkak se rrëshqitjet e dherave dëmtuan edhe segmentin e korridorit të VIII, të aksit Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë, burime nga ARRSH për Report Tv sqarojnë, se pas studimit gjeologjik do të vendoset nëse ky segment i dëmtuar i korridorit 8, do të raportohet aty ku është, pra mbi rrugën e vjetër që u shemb Librazhd-Prrenjas, apo projekti do të ripunohet dhe ky segment të zhvendoset.

Traseja e dëmtuar e aksit të Korridorit VIII

"Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punën me intensitet të lartë në disa fronte, me synim zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës së krijuar. Aktualisht po punohet për heqjen e masave të dherave në të dy anët e rrugës ekzistuese, me qëllim hapjen e terrenit ku do të vendosen sondat për realizimin e studimit të detajuar gjeologjik dhe për vlerësimin teknik të zonës pas rrëshqitjes.

Paralelisht, me një mobilizim të shtuar të mjeteve të rënda, kanë nisur punimet për sistemimin e rrjedhës së lumit Shkumbin. Rrjedha po orientohet në krahun e majtë, për të krijuar hapësirën e nevojshme për ndërtimin e një rruge alternative përgjatë linjës hekurudhore.

Pas përfundimit të studimit gjeologjik, do të kryhet ripunimi i projektit të zbatimit për aksin e ri rrugor Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë. Autoriteti Rrugor Shqiptar do të vijojë të informojë në kohë reale mbi ecurinë e punimeve dhe masat e mëtejshme që do të ndërmerren", thuhet në njoftim.

Një ditë më parë u demontua dhe ura në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës” për shkak të daljes jashtë funksioni. Ndërkohë shkak për shembjen e rrugës është bërë erozioni i vazhdueshëm në zonë. Dyshohet se kjo mund të jetë pasojë e gërryerjeve masive që kompani private të pajisura me leje nga shteti kanë bërë në basenin e lumit të Shkumbinit për ndërtimin e segmentit të ri Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.

ARRSH ka marrë si vendim ndërtimin e një rruge provizore rreth 1.3 kilometra buzë Shkumbinit me qëllim zgjidhjen provizore të qarkullimit, por nuk ka një afat se kur do të hapet.

Lajm në përditësim...