Një protestë paqësore e thirrur disa ditë më parë nga përfaqësues të shoqërisë civile është zhvilluar këtë të hënë në qytetin e Korçës në lidhje me situatën e krijuar pas rrëshqitjes dhe bllokimit të aksit Librazhd–Prrenjas, segment kyç i lidhjes mes Korçës dhe Tiranës.
Megjithatë, pjesëmarrja në këtë tubim ka qenë e ulët, me një numër të pakët qytetarësh të pranishëm. Ajo që ra në sy ishte mungesa pothuajse e plotë e bizneseve, të cilat, ndonëse konsiderohen ndër më të prekurat nga bllokimi i rrugës, thuajse nuk ishin të përfaqësuara.
“Thuajse të gjitha prenotimet u anuluan për shkak të rrugës dhe frikës që njerzit kanë për të kaluar nga rruga e Gramshit që është alternative dhe terren i vështirë. Është çështja sa do të zgjasë pas 10ditëve e njëjta situatë sepse pavarësisht asaj që u tha sot nga ARRSH për hapjen e rrugës, duket më shumë si për të qetësuar njerëzit”, thotë biznesmeni Esmerald Xhafa duke shtuar se dëmi i përllogaritur në këto ditë është 1-2 milionë lekë të vjetra.
Organizatorët kanë theksuar se kjo protestë synon të shërbejë si një mesazh për të gjitha institucionet përgjegjëse, pasi situata e krijuar prej gati 10 ditësh ka izoluar juglindjen e vendit, duke sjellë pasoja të menjëhershme ekonomike dhe sociale. Sipas tyre, bllokimi i aksit ka kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, ka rritur kostot e transportit dhe ka vështirësuar qarkullimin e mallrave.
"Jemi këtu për të vënë para përgjegjësisë institucionet që e trajtuan këtë gjendje emergjente me shumë indiferentizëm, s’u treguan aq të përkushtuar, nuk u gjendën pranë bizneseve të prekura e njerëzve. Kemi disa kërkesa që do t’i përcjellim me një peticion që janë një plan për afatet e bllokimit të rrugës, kërkojmë përmirësimin e akseve alternativë që të mos jetë i vetmi dhe të mos jemi në këtë gjendje sërish. Kërkojmë mbështetje financiare për bizneset që patën anulime dhe përmirësim të infrastrukturës në tërësi në juglindje”, thotë Ilion Thanasi.
Sektori i turizmit, transportit dhe tregtisë konsiderohet ndër më të prekurit nga kjo situatë. Devijimi i qarkullimit drejt aksit alternativ ka shtuar gjithashtu rrezikun për drejtuesit e mjeteve, për shkak të kushteve më të vështira të lëvizjes.
Mes kërkesave kryesore të renditura nga protestuesit janë përmirësimi i menjëhershëm i aksit alternativ, masa lehtësuese ekonomike për bizneset dhe qytetarët e prekur.
Komente











