Julian Deda: S’kam hequr dorë
nga teatri, do jem së shpejti aty

Julian Deda: S’kam hequr dorë <br />nga teatri, do jem së shpejti aty
Julian Deda është padyshim një ndër aktorët më të dashur për publikun shqiptar. Ai së bashku me Ermal Mamaqin dhe Gentian Zenelaj kanë dhuruar të qeshura pafund me grupin e tyre SHBLSH. Juli së bashku me trupën e aktorëve të Sketch Show dhe Apartamentit 2XL në Vizion Plus, sapo kanë mbyllur një tjetër sezon të spektakleve humoristike. Në një intervistë për suplementin “TH&TH” aktori i njohur rrëfen për mbylljen e këtij sezoni televiziv, planet surprizë në karrierën artistike, etj. Gjithashtu Juli nuk lë pa përmendur as familjen e tij, pasionin për futbollin dhe zhgënjimin që Hollanda, skuadra e tij e zemrës u eliminua shpejt nga kampionati europian “Euro 2012”.

Me çfarë po merreni tashmë që sezoni i fundit i Sketch show ka përfunduar?

Në fakt i kam filluar pushimet e gjata deri në shtator. Por nuk është se rri fare pushim sepse obligimet vazhdojnë. Ne vazhdojmë punën për Apartamentin dhe Sketch show, edhe pse nuk dalin në transmetim, ne punojmë. Përveç kësaj sapo mbarova një projekt, një bashkëpunim të cilin nuk dua t’a tregoj se mua më pëlqejnë shumë surprizat. Por pa merak se shumë shpejt, punë ditesh del në transmetim. Njëkohësisht po bëhem gati të prezantoj Festivalin Kombëtar për fëmijë në Shkodër, pasi jam ftuar për t’a bërë një gjë të tillë, dhe unë e pranova me shumë kënaqësi sepse është i 50-ti, pra është jubilar. Siç e shikon nuk jam edhe aq pushim.(qesh)

Si ishte ky sezon?

Mendoj se ishte një sezon i vështirë, por që shkoi mirë. Gjithsesi këtë duhet t’a thotë publiku e jo unë. Por me sa ndjej dhe nuhas, them se nuk ka shkuar keq.

Ku ndihet Juli më komod në Aparamentin 2XL apo në Sketch Show?

Janë të ndryshëm. Unë ndjehem mirë tek të dyja. E rëndësishme për mua është t’a bëj punën me qejf, dhe automatikisht ndihesh rehat. Por apartamenti është më komod, sepse aty jemi si në shtëpinë tonë.

Si është të punosh me Gentin Ermalin dhe gjithe pjesëtarët e tjerë të stafit?

Me Gentin dhe Ermalin tashmë kam vite që punoj, po bëhen gati 10 vjet. Fakti që ne vazhdojmë punojmë bashkë, do të thotë që çdo gjë shkon mirë. Sigurisht që ndjehem shumë komod me Gentin dhe Ermalin, sepse e njohim mirë njeri- tjetrin, si të thuash, kur jemi të tre bashke “nuk na e ha qeni shkopin”....(qesh). Kurse me të tjerët edhe pse nuk kemi aq shumë që punojmë bashkë, ndjehem shumë mirë. Përpiqem t’i respektoj në punën e tyre. Tashmë janë pjesë e familjes, kështu që duhen respektuar. Për gjithë këtë harmoni, që ndoshta ndonjë trupë tjetër e dëshiron por nuk e ka, duhet falenderuar e përgëzuar pikërisht producenti, Turi, sepse vërtetë ka arritur të ruaj mirë ekuilibrat mes nesh. Se aktor jemi në fund të fundit, edhe ndonjë kapriço më shumë e kemi.

Do të ketë aktorë të rinj në sezonin e ardhshëm?

Këtë nuk e di me saktësi, por besoj se nuk do ketë. Por gjithsesi, dyert tona janë të hapura për çdo njeri që është i talentuar në fushën e humorit.

Keni menduar t’i riktheheni teatrit?

Unë nuk kam hequr ndonjëherë dorë nga teatri. Por sigurisht më mungon pak. Më pëlqen shumë teatri. Është emocion i veçantë. Në fakt kam diçka në mendje. Hmm nuk e them se pastaj nuk realizohet (qesh).

Ku e shihni më shumë veten në role komike apo dramatike?

Kjo në fakt është një pyetje, që çdo aktor nuk e preferon shumë si pyetje. Sepse përgjigja është shumë e koklavitur. Unë për veten time e di që rolet dramatike i bëj shumë mirë. Madje po të më shikoni duke luajtur një rol dramatik do më duartrokisni, sepse nuk e prisni që unë Juli aktor i humorit dhe i komedisë të bëj diçka të tillë. Kurse për rolet komike nuk kam çfarë të shpjegoj sepse dihet...(që nuk jam fare i zoti t’a bëj) (qesh)

Po në zhanrin e kinematografisë e keni menduar ndonjëherë veten?

Patjetër. Unë madje kam luajtur në disa filma. Sigurisht role të vogla, por kam luajtur dhe është vërtetë shumë bukur të luash në film. Më pëlqen. Gjithmonë them me vete, pse nuk realizojnë një film komedi në Shqipëri. Pse e kanë të gjithë mendjen te tragjeditë, ndërkohë që mund të shohim komedinë.

Çfarë i’u tërheq tek humori që u profilizuat më së shumti në këtë zhanër?

Të bësh humor, apo të trajtosh një situatë, ngjarje, problem social etj, është gjëja më e bukur dhe më humane. Imagjino që duhet t’a bësh tjetrin të qesh me hallet e veta të përditshme. Të përcjellësh edhe mesazhin, i cili në zhanrin e humorit është shumë i rëndësishëm.

Cili nga personazhet që keni luajtur e keni me përzemër dhe pse?

Edhe këtë pyetje e kam inat. Unë i dua të gjithe rolet e mia. I dua dhe i vlerësoj , sepse kanë dalë nga unë, nga vetja ime.(qesh)

Sa kohë i kushtoni familjes tuaj?

Familjes time të mrekullueshme unë i kushtoj aq kohë sa kam në dispozicion. Mundohem të jem i pranishëm, edhe pse puna intensive t’a kufizon qëndrimin me familjen.

Me kë jeni më i lidhur me vajzën apo me djalin?

Me të dy njësoj. Vajza është mbretëresha e babit, kurse djali është kampioni i babit.(qesh)

Do të dëshironit që edhe ata të ecnin në gjurmët tuaja ashtu siç ndoqët ju shembullin e babait tuaj?

Unë do të dëshiroja me shpirt që ata të ecnin në ato gjurmë ku ndjehen mirë , të realizuar, dhe të suksesshëm. Mjafton të jetë punë e ndershme. Nuk do t’jua imponoj kurrë se në çfarë rrugë duhet të ecin. Unë thjesht do t’i ndihmoj ata në rrugën që ata vetë do zgjedhin.

Si është Juli si bashkëshort?

Pyesni gruan, unë nuk e di. I mirë ndoshta (qesh).

Do të keni angazhime artistike në verë , apo do t’i kushtoni më shumë kohë familjes tuaj?

Angazhimet pak a shumë i thashë më sipër. Pastaj sigurisht do iki me pushime me familjen, do bëjmë një udhëtim jashtë.

E ndiqni Euro 2012 dhe nqs po me kë bëni tifo?

E ndjek gjithmonë futbollin. Unë jam tifoz me Hollandën, por kësaj radhe mbaruam punë shpejt, u eleminuam pa filluar akoma mirë kampionati.

Përveç aktrimit keni ndonjë hobi tjetër?

Futbollin, luaj shpesh kalçeto. Në përgjithësi, të gjitha lorëjat me top i luaj.

Su/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi