Deri ditën e djeshme janë paraqitur për këtë vend pune 170 kandidatë, më së shumti studimet i kanë përfunduar në universitetin Ismail Qemali në Vlorë, ndërsa mosha e aplikantëve varion nga 22 deri në 50 vjeç. Zyra e deputetit Rama vlon nga zhurma. Nuk janë vetëm kandidatët që hyjnë e dalin çdo 15 minuta për t’u intervistuar nga komisioni, por janë edhe punëtorët që po bëjnë gati zyrën e Ramës, disa duke vendosur posterin e madh të mitingut përmbyllës të fushatës zgjedhore, e disa të tjerë që vendosin sistemin elektrik e të kondicionimit. Kandidati përballë komisionit zihet disi ngushtë nga pyetja, por që anëtarët e komisionit sqarojnë se kjo nuk ka të bëjë me zyrën, thjesht me njohuritë që kanë kandidatët për qytetin e tyre.
“Deri ditën e shtunë, përpara nesh, me orare të përcaktuara, janë paraqitur 120 kandidatë që kërkojnë të punësohen në këtë zyrë. Kanë pritshmëri nga më të ndryshmet. Ka disa prej tyre që zyrën e kandidatit për deputet dhe kryeministrit të ardhshëm, e shohin si trampolinë që nesër të kenë dyert e hapura për të shkuar në një tjetër pozicion. Një nga kandidatet psh, që ka ardhur, ka mbaruar jashtë për diplomaci. Kur e pyetëm se pse donte të punonte në një zyrë deputeti, na e tha fare qartë se do të donte që kjo të ishte nisja e një pune dhe një rrugëtimi, për të punuar më pas në ministrinë e jashtme”, thotë zonja Dhame.
“Ajo që bie në sy është se të gjithë e mirëpresin procesin e intervistimit me gojë përpara nesh. Por, vlerësojnë faktin se për herë të parë po merren në konsideratë CV e tyre dhe po dëgjohen vetë kandidatët”.
Ditën e enjte, vetë Edi Rama, sapo të përfundojë punët me qeverinë, do të shohë se çfarë ka bërë komisioni, ndërkohë që deri tani numri i aplikimeve për tre vendet e punës i ka kaluar të 180 vetët. Do të përzgjidhen 10 më të mirët, ndërkohë që vetë Rama do të zgjedhë 3 prej të 10-tëve dhe këta persona do ti takojë të gjithë vetë.
Po me CV e tjera çdo të bëhet?
Anëtarët e komisionit sqarojnë se të gjitha CV madje edhe intervistat janë duke u hedhur në një databaze të plotë dhe sikurse është deklaruar edhe nga selia qendrore e PS, do të jenë një bazë e mirë të dhënash për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e Rilindjes.
Po ndoshta kanë ardhur vetëm socialistë që kanë aplikuar?
Jo, jo nuk është e vërtetë. Ka shumë prej atyre që kanë idhull Edi Ramën dhe duan të punojnë me të. Ka nga ata që nuk kanë qenë pjesë e PS dhe po aplikojnë se duan të kontribuojnë për Rilindjen. Ashtu sikurse ka nga ata që kanë qenë pjesë e strukturave të partisë lokale dhe në CV e tyre nuk e kanë shkruar këtë fakt, vetëm e vetëm se kanë kujtuar se një gjë e tillë mund t’u prishë punë.
Konkursi është kreativ. Ka nga ata që kanë shkruar në CV e tyre se marrin vesh nga piktura, vizatimi, poezia, muzika...e krejt papritur gjenden përpara kërkesës së ndonjë prej anëtarëve të komisionit që të vizatosh diçka në letër, apo edhe të recitosh...Këto në fakt nuk kanë të bëjnë me zyrën e deputetit, por me atë që është shkruar në CV.
Dhe ja, komisioni gjendet përballë një të papriture. Eshtë 16-vjeçari me inicialet A.K. Jeton në Vlorë, është në vitin e 2-të në gjimnaz dhe ka një audicion të veçantë pyetësori në komision. Sigurisht që anëtarët e komisionit e kanë parë moshën e tij, por prapë, meqë ai ka ngulmuar, gjendet aty pari duke dhënë përgjigjet e tij. “Çfarë specifikohet në faqen 20 të librit-program të Partisë Socialiste?” Djaloshi 16 vjeçar nuk ia përton fare. Fillon analizon gjithë programin e PS, madje është gati të të japë sqarime edhe për historikun e PS duke folur për adhurimin dhe besimin që ka te Edi Rama se “ky vend do të bëhet”.
“Do ta përfshijmë në strukturat e forumit rinor të PS. Mandej do të shohim. Ai ka nevojë të vazhdojë studimet e në të njëjtën kohë të impenjohet me shumë aktivitete të tjera në kohën e lirë”, sqaron Dhame.
Një ndër kandidatët që është paraqitur para komisionit, është edhe studiuesi Virgjil Kule. Ai ka dhënë argumentet e tij se pse ka aplikuar në këtë detyrë përpara komisionit. Sigurisht që e ka eksperiencën e nevojshme, madje më shumë se kaq. Ka vendosur të punojë në zyrën e Edi Ramës në Vlorë, sepse është shpërngulur për të jetuar në këtë qytet, pas fatkeqësisë për ndarjen e parakohshme nga jeta të bashkëshortes së tij.
“Në rast se përzgjidhem do të jap edhe prononcimet përkatëse. Unë jam ndër qindra të tjerë që kam aplikuar dhe nuk dua të influencoj askënd publikisht. Mendoj se do të jetë një përzgjedhje “fair” dhe unë ndoqa me përpikmëri rregullat e shpallura. Nuk preferova ndërhyrje paraprake”, tha dje për shqiptarja.com, Virgjil Kule.
Ka edhe një pyetje specifike: Nëse ndonjë nga kandidatët do të donte të punonte vullnetar në këtë zyrë. Të gjithë japin përgjigjen “Po”, por, me orare të kufizuara. E ndërsa ka më shumë se një jave që vazhdojnë me përpikmëri intervistat për tre pozicionet, pjesa më e madhe e aplikuesve, nuk harrojnë të vishen me bluza me ngjyrë violet, apo ngjyrat e Rilindjes.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja (print) 20.08.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)