BRUKSEL- Liderët e Bashkimit Europian kanë mbyllur samitin dy ditor të mbajtur në Bruksel me zgjedhjen e Presidentit të ri të Komisionit Europian, ish-kryeministrin e Luksemburgut Jean Claude Juncker, i cili u zgjodh me 26 vota pro dhe dy kundër, ku kundërshtuesi më i madh i zgjedhjes së tij ishte David Cameron.
 
Arsyeja kryesore pse kryeministri britanik refuzoi është fakti që sipas Londrës zyrtare, centralizimi i pushtetit që kërkon Junker izolon Britaninë dhe i merr frymën demokracisë. Në fjalën e tij Kamerun është shprehur se ai do të vazhdojë të bashkëpunojë me Komisionin Europian për të siguruar interesin kombëtar të Britanisë, megjithatë paralajmëron se ky ishte një vendim i keq për Europën, duke u shprehur se ata do të pendohen për këtë zgjedhje, pasi në këtë mënyrë rrezikohen pozicionet e qeverive kombëtare duke i dhënë më tepër fuqi Parlamentit Europian.
 
Kamerun e konsideroi zgjedhjen e presidentit të ri një hap prapa për Bashkimin Europian megjithatë u shpreh për bashkëpunim intensiv në reformimin e BE-së.
 
Komisioni Europian gjithashtu vendosi prioritetet ekonomike për 5 vitet e ardhshme të Bashkimit Europian si dhe diskutoi mbi zhvillimet e mëtejshme në Ukrainë. Në fjalën e saj Kancelarja Gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar për marrjen e masave drastike në rast se nuk do të ketë zhvillime në vendosjen e paqes në kufirin lindor të Ukrainës.
 
Ajo ka kërkuar pranimin e marrëveshjes së armëpushimit të vendosur nga presidenti i Ukrainës Poroshenko, për të liruar pengjet dhe për të realizuar bisedime serioze për planin e paqes mes separatistëve pro-Rusë dhe forcave ushtarake ukrainase. Merkel ka dhënë ultimatum deri në fillimin e kësaj jave për vënien e paqes në vend, në të kundërt, është shprehur ajo, do të procedohet me sanksione dhe masa të rrepta.

Redaksia Online
(Suada Bajraktari/e.s/shqiptarja.com)