BRUKSEL - Presidenti i eurogrupit Jean-Claude Juncker u shpreh se ministrat e financave nuk do të marrin një vendim të hënën më datë 12 nëntor për t’i dhënë kredinë e rradhës të emergjencës Greqisë, pavarësisht progresit që ka bërë Greqia me përmbushjen e angazhimeve të saj politike.

“Jam i impresionuar nga arritjet e fundit politike në Greqi. Parlamenti ka aprovuar një paketë reformash mjaft ambicioz të mërkurën e kaluar dhe sapo ka votuar mbrëmë buxhetin për vitin 2013. Hap pas hapi Greqia po përmbush atë që në kërkonim përsa i përket detyrimeve të saj. Sot, ne do të vlerësojmë raportin e trojkës e cila na është dhënë gjatë natës. Nuk do të ketë një vendim përfundimtar sot por unë besoj se po bëhen punët përgatitore që Greqisë t’i jepet kësti i radhës dhe të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme’’, u shpreh Juncker.

Deklarata e tij u mbajt në Bruksel, para një takimi me ministrat e financave të eurozonës, të njohur si eurogrupi. Kreditë për Greqinë u dhanë pasi Greqia shkoi përpara me reformat e premtuara dhe konsolidimin fiskal.

Parlamenti grek miratoi një buxhet të shtrënguar për vitin 2012 të dielën dhe një paketë reformash strukturale të Mërkurën, në mënyrë që të arrijë kushtet për të marrë këstin tjetër të kredisë së emergjencës prej 31.5 billion euro nga Eurozona.

Por kreditorët e Greqisë ende nuk kanë rënë dakord se si të bëjnë borxhin e Greqisë të qëndrueshëm dhe ministrat nuk patën mundësi të marrin një vendim final për këstin e rradhës.

(eç/shqiptarja.com)