/ATSH/ - Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Bruksel. Takimin e tij të parë kryeministri Rama e e zhvilloi me Presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

"Takim tejet inkurajues me Presidentin e KE Juncker ku dëgjuam fjalët më të mira për reformat tona shtetndërtuese", shkroi Kryeministri Rama në një postim në "Facebook" menjëherë pas takimit.

Ndërsa, zëdhënësi i KE, Margaritis Schinas, në një konferencë për shtyp pas takimit bëri të ditur disa çështje që u diskutuan.
"Presidenti Junker u takua sot me kryeministrin Rama. Ata diskutuan për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe rolin kontruktiv të këtij vendi në rajon. Presidenti i KE, Junker rikonfirmoi mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugën europiane. Kjo është hera e parë që Junker takohet me Ramën si president i Komisionit Europian", tha Schinas.
Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Bruksel.

Sipas tij, pjesë diskutimit në takim ka qenë edhe situata e përmbytjeve në jug të Shqipërisë. Presidenti Junker ka shprehur keqardhjen e madhe për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në disa prej rajoneve të Shqipërisë. Ai nënvizoi se Komisioni është duke mobilizuar ndihmën e emergjencës nëpërmjet mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së.
Kreu i qeverisë shqiptare është i pari udhëheqës i rajonin që pritet nga Juncker që pas zgjedhjes së tij në krye të këtij institucioni.
Sipas axhendës, kreu i qeverisë shqiptare do të jetë në orën 15:00 në Këshillin e Europës, ku do të takohet me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk dhe më pas do të jenë para medias në një konferencë për shtyp. Pas konferencës do të ketë një tryezë të gjërë diskutimi mes përfaqësuesve të Këshillit të Europës dhe delegacionit shqiptar.

Kryeministri Rama shoqërohet në këtë vizitë nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha.