Juristja deklaroi në emisionin 'Rreze Dielli' në Report Tv se para se të miratohej reforma, drejtësia nuk po luante rolin e vet dhe shërbimi i saj nuk po bëhej në mënyrë të barabartë, madje dhe po shitej.
“Drejtësia nuk po luante rolin e vet, shërbimi i drejtësisë nuk po bëhej në mënyrë të barabartë, por edhe po shitej. Zëri i ngritur fort nga qytetarët detyroi politikën të ulë kokën dhe ta pranojë këtë reformë. Reforma tani ka hedhur hapin e parë dhe tani jemi në kuadër të zbatimit të saj. nuk është diçka që ndodh brenda 24 orëve, do kohë. Reforma do të largojë ata që janë të korruptuar, ata që kanë lidhje me krimin dhe të paaftët.
Drejtësia është një shërbim, që ofrohet përmes një kompleksi institucionesh. Akses në drejtësi do të thotë të kesh mundësi t’i hysh një procesi dhe gjatë tij të paraqesësh një kërkesë, të marrësh pjesë aty ku shqyrtohet kjo kërkesë, të marrësh një vendim, të kesh të drejtën të bësh një ankim.
Shteti duhet të ofrojë shërbim ligjor falas për të gjithë ata qytetarë që nuk kanë mundësi ekonomike për të marrë një avokat. Qytetarët kanë të drejtë të jenë pjesë aktive. Drejtësia është një proces që kushdo duhet ta marrë. Nuk jemi për drejtësi që flet me terma që askush nuk i kupton.
Ne kemi këmbëngulur gjithmonë për barazinë mes njerëzve dhe respektimin e të drejtave të tyre. Drejtësia është proces, reforma është proces, dhe duhet ndjekur e monitoruar. Ka kaluar një vit dhe edhe katër vjet të tjera do të vazhdojmë. Organeve të reja ne ju japim besimin tonë, por duhet të tregojnë që janë transparentë. Nëse na dështon reforma në drejtësi dhe do kthehemi sërish te një drejtësi e korruptuar neve do të na kushtojë shumë”, deklaroi juristja Meçe.
d.c./shqiptarja.com










