Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ka kërkuar llogari ditën e sotme në Kuvend ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, se përse fondet e IPARD nuk po çelen për të tretin vit radhazi.
“A mund t’i japësh sqarime të gjithë fermerëve se përse për të tretin vit radhazi BE nuk çel fondet e IPARD. Këtë pyetje ka sot çdo fermer. Sado të spërdridhesh, nuk besoj se do jesh i sinqertë. Sepse nuk thua dot që ato para kanë shkuar në xhepin e Ramës. Justifiko rrogën që të japin shqiptarët, dil dhe jepu sqarime shqiptarëve për fondet IPARD”, tha mes të tjerash Blushi.
Në përgjigjen e tij, ministri Andis Salla premtoi se fondet IPARD do të jenë në dispozicion për fermerët brenda këtij viti. Salla tha se në total janë 146 milionë euro që do të përfitojë Shqipëria nga fondet IPARD.
“Zoti Blushi, së pari keni përmendur disa herë se kam qenë me pushime. S’kam qenë asnjëherë me pushime, kam bërë vetëm detyrën që më është besuar. IPARD është një IPARD është një çështje që është në hetim nga organe të tjera. Kemi përmbushur të gjitha procedurat që na është kërkuar për pjesën e IPARD dhe shumë shpejt IPARD, brenda vitit, është pjesë e qytetarëve dhe fermerëve shqiptarë. 146 milionë euro në total do të jenë në dispozicion të fermerëve për të aplikuar dhe për të çuar bujqësinë shqiptare në një tjetër nivel ku ne jemi duke shkuar për të përmirësuar të gjitha fermat shqiptare dhe të gjitha ato që do të jenë pjesë e IPARD”, tha ministri Salla.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Seanca mbyllet pas 10 orësh diskutime! Debate për ndryshimet në Rregullore, shtyhen 3 interpelanca me Nufin, Kumbaron e Koçiun











