Juventusi fiton 3-0 në Bologna në javën e 17-të të Serisë A, parakalon Interin dhe ngjitet në vend të dytë në kampionat me 41 pikë vetëm një larg Napolit kryesues. Për bardhezinjtë ka qënë gjithçka e thjeshtë. Juvja e ka dominuar Bolognën dhe goli i parë ka ardhur në minutën e 27-të.

Miralem Pjanic dërgon topin në rrjetë nga një goditje dënimi duke mposhtur portierin Mirante dhe kalon Juven në avantazh. Më pas vjen edhe goli i dytë me autor Mandzukic.

Sulmuesi shënon mjaft bukur në minutën e 36-të.Kroati e merr topin me gjoks dhe me të majtën mposht portierin kundërshtar. Në fraksionin e dytë dominimi i Juventusit vazhdon dhe shënohet edhe goli i tretë. Matuidi shënon golin e parë në Itali dhe të tretin e ndeshjes duke e mbyllur takimin Bologna 0 e Juventus 3.

Ndërsa më herët Verona morri hak ndaj Milanit. Në “Bentegodi” erdhi humbja e parë e trajnerit Gattuso në stolin e Milanit. Verona e fitoi takimin 3-0 duke siguruar një trepikësh jetik. Goli i parë u shënua nga Caracciolo.

Futbollisti shënoi me kokë pas zhvillimeve të një goditje këndi dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë. Në pjesën e dytë Milani nuk reagoi aspak dhe Verona do të shënonte edhe dy herë të tjera me Kean dhe Bessa për ta fituar takimin në shifrat e pastra 3-0. Gattuso nuk kërkon alibi pas kësaj humbje duke thënë se skuadra e tij bëri një figurë të keqe dhe se nuk reagon kur është në vështirësi.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com