Juventus u dënua me heqjen e 15 pikëve nga renditja për shkak të manovrave financiare në lidhje me "plusvalencat". Drejtësia sportive e Federatës Italiane të Futbollit vendosi t'i ulë pikë "Zonjës", duke e dërguar nga vendi i tretë në të dhjetin e Serie A.
Tanimë fansat e bardhezinjve kanë nisur një aksion në kanalet e komunikimit, teksa kanë kërkuar që të heqin abonimet nga kompanitë që transmetojnë Serie A. Sipas raportimeve nga Italia, SKY dhe DAZN kanë humbur gati 140 milionë euro nga tërheqja e abonimeve prej tifozëve të Juventus.
Veç saj, në ambientet ultras është hedhur ideja se lojtarët e Juventus nuk duhet të pranojnë ftesën e kombëtares së Italisë. E gjithë kjo nismë vjen në kushtet kur disa skuadra në Itali kanë luajtur me "plusvalencat", teksa vetëm Juventus është dënuar me heqje pikësh.