Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë në futboll, Berat Gjimshiti, është kthyer në një nga emrat më të përfolur në merkaton e verës në Itali. Sipas 'CalcioMercato' në Itali, Juventusi po monitoron nga afër situatën e mbrojtësit, i cili në qershor pritet të jetë lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Atalantën.

33-vjeçari vlerësohet për eksperiencën, lidershipin dhe lirshmërinë taktike, pasi mund të përshtatet si në skemën me tre mbrojtës, ashtu edhe në atë me katër. Megjithatë, mosha mbetet elementi që e bën disi më të komplikuar një marrëveshje të mundshme me torinezët.

Pavarësisht se Atalanta nuk dëshiron të humbasë një nga liderët e dhomave të zhveshjes, deri tani nuk ka sinjale konkrete për rinovimin e kontratës së tij.

Interesimi për Gjimshitin nuk mungon as nga klube të tjera të mëdha të Serie A. Roma dhe Milani po ndjekin me vëmendje zhvillimet, duke e bërë edhe më të nxehtë garën për firmën e mbrojtësit shqiptar.

Në sezonin aktual, Gjimshiti ka zhvilluar 32 ndeshje në të gjitha kompeticionet me fanellën e Atalantës dhe ka realizuar një gol në Kupën e Italisë, duke konfirmuar edhe një herë rolin e tij të rëndësishëm në prapavijë.